Albspirit

Media/News/Publishing

Nishani viziton Luginën e Preshevës, rrugët vishen kuqezi 

Presidenti Bujar Nishani do të zhvillojë një vizitë më 7 Mars në Luginën e Preshevës, me ftesë të kryetarit të komunës së Bujanocit, Shaip Kamberit.

Në një prononcim për “Presheve jonë” këshilltari i Presidentit për çështjet e rajonit Flamur Gashi ka konfirmuar vizitën e Nishanit, të martën në Bujanoc dhe Preshevë.

Banorë të trevave shqiptare në Serbi kani nisur përgatitjen për Presidentin Nishani.

Anës rrugëve në Bujanoc, shihen flamuj dhe banderola kuqezi që i urojnë mirëseardhjen kreut të shtetit Shqiptar.

Këtë vizitë të të parit të shtetit shqiptar e kanë mirëpritur edhe liderët politikë shqiptarë të Luginës së Preshevës, të cilët e cilësojnë këtë vizitë si historike.

Kreu i Komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi i tha agjencisë së lajmeve “Presheva Jonë” se “gjithçka është gati për ta pritur presidentin Bujar Nishanin, ashtu siç e ka adet shqiptari me bukë, kripë e zemër”.

Agjencia e lajmeve “Presheva jonë” ka mësuar se deri më tani flamujt shqiptarë janë vendosur ashtu sikurse edhe një tapet i kuq prej 100 metrash bashkë me rreth 100 ftesa për të ftuarit nga Lugina dhe diaspora.

“Vizita historike e Presidentit të Shqipërisë, ka rëndësi të madhe për shqiptarët që jetojnë në këto komuna për shkak se tregon se Republika e Shqipërisë interesohet për ne dhe kështu i tregohet botës se ne nuk jemi vetëm”, – ka deklaruar për “Presheva Jonë”, Jonuz Musliu, kryetar i Kuvendit të Bujanocit.

“Sipas axhendës së vizitës, Presidenti Bujar Nishani do të vijë në mesditë më 7 mars dhe do zhvillojë një takim të përbashkët me udhëheqësit politikë të shqiptarëve nga Lugina e Preshevës. Ne do të diskutojmë të gjitha problemet që kanë shqiptarët që jetojnë këtu”, – ka deklaruar Musliu.

Please follow and like us: