Albspirit

Media/News/Publishing

Qytetarët në protestë, ndërkombëtarët dhe LSI…

Kastriot Islami

Protesta qytetare e nisur në 18 shkurt 2017 është protesta më e madhe dhe më e gjatë në 25 vjet. Një protestë me një objektiv të qartë e të pakundërshtueshëm si nga shqiptarët ashtu edhe nga ndërkombëtarët, realizimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme, përmes një qeverie teknike-kujdestare të zgjedhjeve të lira e të ndershme, mbështetur nga të gjitha faktorët politikë por pa pjesëmarrjen e tyre direkte, pra të faktorëve politikë dhe individëve që janë të angazhuar për zgjedhjet e lira e të ndershme.

Kjo qeveri kujdestare-teknike por me mbështetje të gjërë politike do të garantojë rregulla të barabarta për të gjithë qytetarët ose thënë ndryshe do tju mundësojë qytetarëve të zgjedhin dhe jo thjesht të votojnë, do të krijojë kushtet që parlamenti, mazhoranca por edhe opozita të pastrohen nga individët e korruptuar e të inkriminuar, por edhe ata të implikuar në kultivimin, trafikimin dhe përdorimin e drogës. Rruga për realizimin e këtij objektivi është pa kthim.

Prej 15 ditësh vihet re rritje e angazhimit dhe vendosmërisë, për të vazhduar këtë rrugë pa kthim dhe arritur objektivin. Besimi i qytetarëve është i lartë, pra ata janë besimplotë se përmes kësaj rruge, e cila u diktua nga Rama si rruga e vetme, do të mund të sigurohen kushtet minimale dhe besimi reciprok se vota e tyre e lirë nuk do të tjetërsohet, nuk do të manipulohet, dhe që paratë e korrupsionit nuk do të mund ta blejnë votën e tyre, që kriminelët nuk do të mund të kërcënojnë të drejtën e tyre të votës së lirë dhe që kanabisi nuk do të mund të helmojë voten e tyre.

Qytetarët duken shumë të vendosur, madje ka shumë prej tyre që kërkojnë ta realizojnë objektivin e tyre sa më shpejt

i) për ti dhënë fund halleve të pafundme e shqetësimeve të tyre të cilat i lidhin me këtë qeveri të korrupsionit, krimit e kanabisit;

ii) për të hequr zgjedhën e nënshtrimit që kjo qeveri iu ka vendosur në qafë përmes varfërimit të skajshëm;

dhe iii) për të krijuar kushtet për të bërë zgjedhjen e tyre me votën e lirë.

Protesta dhe qytetarët…

Protesta është “pronë” e qytetarëve dhe askujt tjetër. Objektivi i saj dhe kërkesat e tyre për zgjedhje të lira e të ndershme s’kanë të bëjnë aspak me marifete e pazare politike apo aq më pak me llogari mandatesh të një parlamenti të mbushur me oligarkë, kriminelë e kanabistë, e një parlamenti ku as fjala dhe as numrat s’kanë më vlerë.

Protesta s’ka lidhje as me blerje mandatesh, as se si zmadhohet apo zvoglohet “maxhoranca e turpit”, as nëse ajo është e qëndrueshme apo shkërmoqet, as nëse pjesët e saj shkojnë mirë apo përlasen për jetë a vdekje me njëri tjetrin, sepse kjo është një protestë e shumicës qytetare që rritet, përshkallëzohet e intensifikohet cdo ditë,  Një protestë që merr cdo ditë mbështetje në rritje nga qytetarët e ndërkombëtarët. Prandaj qytetarët janë shumë optimistë se do të arrijnë pa asnjë dyshim objektivin e tyre përmes protestës paqësore, duke e rrethuar qeverinë e së Keqes me protestuesit e së Ardhmes, duke e detyruar të vetëlargohet apo largohet.

Sepse qytetarët e kanë të qartë se gjithnjë betejat, mes qytetarëve që luftojnë për një kauzë të drejtë dhe qeverive që kërkojnë të manipulojnë në një vend demokratik zgjedhjet janë fituar nga qytetarët ose vëndi është zhytur në kaos, trazira sociale, destabilitet e më tej në rregjime obskurantiste. Ky është një përfundim historik që është ndeshur kudo në hapsirë e kurdoherë në kohë; dhe besojnë se ky leksion historik është i qartë për Ramën duke shpresuar se Rama do të reagojë shpejt duke u vetëlarguar, përndryshe përgjegjësia do ti mbetet për gjithcka vetëm atij individualisht. Madje duhet kujtuar se përballja e qytetarëve me qeveritë ka qënë gjithnjë proporcionalisht e ashpër me arrogancën, papërgjegjshmërinë, provokimet, reagimin negativ dhe shpërfilljen e qeverisë ndaj qytetarëve. Shpresoj dhe uroj që reagimi të jetë i shpejtë e adekuat.

Protesta dhe ndërkombëtarët…

Protesta ka jo vetëm mbështetje masive qytetare por edhe një mbështetje në rritje ndërkombëtare. Asnjë ndërkombëtar deritani s’është shprehur kundër protestës dhe objektivit të saj dhe s’mund të shprehet kundër një proteste qytetare që kërkon thjesht dhe vetëm zgjedhje të lira e të ndershme. Deklarata e ambasadorit të OSBE (pavarësisht kthimi prapa nga një “kërcënim” i qeverisë) e ciftuar me deklaratën e Prokurorit të Antimafias lidhur me përdorimin e parave të drogës prej 6 miliard në zgjedhje është një mbështetje direkte për kauzën e qytetarëve në protestë. Duhet patur parasysh se OSBE është organizmi ku bëjnë pjesë SHBA dhe të gjithë vëndet e BE.

Po ashtu, protesta dhe kauza qytetare ka marrë mbështetje të fuqishme nga jo pak përfaqsues të kongresit amerikan dhe në ditët në vijim kjo mbështetje jo vetëm do të rritet por edhe konkretizohet. Madje edhe “mbështetës klientelistë” të Ramës nuk kanë guxuar të mos mbështesin protestën ndonëse kanë kërkuar që deputetët e opozitës të shkojnë për negocimin e kërksave qytetare në parlament. Kjo mbështetje ndërkombëtare për protestën do të rritet në ditët në vijim dhe kjo rritje do të jetë proporcionale me rritjen e saj në madhësi e intensitet. S’ka si të ndodhë ndryshe, sepse kancelaritë përëndimore jo vetëm e kanë të qartë situatën në Shqipëri por njohin deri në detaje lidhjen e korrupsionit, krimit dhe kultivimit të kanabisit me Ramën dhe ministrat e tij. Të gjithë kancelaritë perëndimore dinë se Rama është politikani më i korruptuar në Shqipëri me një pasuri prej 200 milion euro të fshehur në llogari off shore.

Është politikani që ka sjellë kriminelët në qeverisje, në kuvend e administratën publike. Është i kryeministri i vetëm në botë që ka dhunuar ligjin elektoral të SHBA thjesht për të bërë një foto me ishpresidentin Obama dhe përdorur atë për të mashtruar publikun shqiptar në fushatën zgjedhore. Është kreu i shtetit më grotesk e qesharak që  njihet në të gjithë botën demokratike për gafën e famshme duke sulmuar kandidatin për president të SHBA Donald Trump si “turpi i njerzimit” fitorja e të cilit do të conte në prishjen e marrëdhënieve Shqipëri-SHBA. Të gjithë kancelaritë e kanë tashmë të qartë se Rama synon të fitojë zgjedhjet duke blerë votat me paratë e korrupsionit, me kërcënimet e individëve me rekorde të tmerrshme kriminale dhe duke përdorur rrjetin e policisë që kontrollon milliarda euro nga kultivimi i kanabisit. Kancelaritë perëndimore kanë në tavolinat e tyre konkluzionet e ekspertit amerikan të sigurisë e NATO, Bill Kouen i cili pohon se për shkak të “kultivimit të kanabisit nga Rama e Tahiri e familjarët e tyre, Shqipëria është kthyer në hallkën më të dobët të Natos”. Këto janë disa nga arsyet që mbështetja ndërkombëtare për Ramën është në nivelet më të ulta përballë mbështetjes  në rritje për kauzën e drejtë të qytetarëve.

Protesta dhe LSI…

Bëhet një pyetje gjatë këtyre ditëve: Cfarë do të bëjë LSI lidhur me kërkesën qytetare për zgjedhje të lira e të ndershme? Madje ka edhe disa figura qytetare që kanë bërë apel që LSI ti bashkohet kërkesave qytetare. Mendoj se Objektivin e kësaj proteste e kanë përcaktuar qytetarët  dhe vetëm ata që duan zgjedhje të lira e të ndershme. Qytetarët janë të vendosur të mos futen në pazare politike. Ata janë shprehur qartas se kushdo që i bashkohet protestës, kurdo që kjo të ndodhë, do të kenë shansin të mos përballen me të.

Kushdo që do të rrjeshtohet me objektivin dhe kërkesat e saj, qoftë edhe me vonesë do të pranoheshin në llogoren e qytetarëve që kërkojnë zgjedhje të lira e të ndershme, ose më saktë në llogoren e së Mirës në betejë të ashpër dhe me tolerancë zero ndaj përfaqsuesve të vendosur në llogoren e së Keqes. Dhe në këtë rast, qytetarët s’do të bëjnë asnjë koncesion as me objektivin e kësaj proteste dhe as me rrugën e saj, dhe në asnjë rast me kahun e saj, që tashmë është qartësisht e vendosmërisht i përcaktuar, gjithnjë vetëm përpara dhe pa kthim. Protesta qytetare ka vetëm një objektiv sa të thjeshtë aq edhe madhor, realizimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme, pa Ramën kryeministër dhe me një qeveri teknike-kujdestare, që mbështetet nga të gjithë forcat politike që janë të angazhuara për zgjedhje të lira e të ndershme.

Kushdo që i bashkohet kësaj proteste është i mirëpritur, ndërkohë që kushdo që do të vazhdojë të vendoset përballë kësaj proteste do të ketë fatin e Ramës. Qytetarët s’bëjnë negociata me asnje forcë politike për kauzën e tyre të drejtë, por duke qënë shumë të hapur, besoj i kanë bërë ftesë përmes mesazheve të tyre, të gjithëve pa përjashtim për tju bashkuar kauzës së tyre. Pra qytetarët ja kanë dhënë mesazhin e qartë edhe LSI: “…nëse je per zgjedhje të lira e të ndershme shkëputu nga Rama…” që të mos kesh fatin e tij. Në këtë rast protesta do të ishte edhe më e madhe dhe fitorja edhe më e shpejtë dhe më e thellë, por në cdo rast fitorja e protestës  është e garantuar…

Please follow and like us: