Reforma në drejtësi duhet t’i besohet referendumit
Reforma në drejtësi po kthehet në pikën e fillimit nga bllokimi i saj, jo vetëm opozitar pasi dhe aktorë të tjerë kërkojnë ta minojnë atë sepse fundja ata, një dorë njerëzish të korruptuar janë në të drejtën e tyre për t’ju shmangur ligjit. Por ata janë kundër interesit të shqiptarëve që e duan reformën në drejtësi si një mundësi reale për të qenë të barabartë para ligjit, por dhe për t’u integruar dhe hedhur bazat e para të një shteti demokratik, prandaj edhe duhen pyetur në mënyrë ligjore, siç është referendumi.
I gjithë ai procesi i gjatë dy vjeçar, me aktorë të ndryshëm jo vetëm vendas por dhe ndërkombëtarë dhe me financime të mëdha nga paratë e publikut dhe SHBA dhe BE, po shkojnë dëm sepse ngërçi ishte paramenduar dhe pas dështimeve të herë pas hershme, tashmë duket se kriza në reformën në drejtësi është themeluar pa kthim, madje deri në çuarjen e vendit në fatalitet.
Përtej konsensusit me 140 vota realisht në brendësi qëndronte pa dëshira për ta votuar, por presioni i shqiptarëve dhe kryesisht ai ndërkombëtar solli atë të pamundurën, por për një kohë të shkurtër sepse tashmë në pragun elektoral kemi një ngërç të procesit të reformës në drejtësi dhe me shumë gjasa aktorët politikë do ta minojnë procesin pa mbarim. Shqiptarë dhe jo vetëm, por dhe ndërkombëtarët e dinin se presioni kundër reformës në drejtësi do të rritej, ndërsa përfaqësues të lartë të trupit diplomatik të akredituar në Shqipëri, deklaruan se do të ketë reagime të ashpra dhe pikërisht në momentin kur në Shqipëri të mbërrijë Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, ONM që është garanti për të monitoruar emërimet në institucionet e reja të reformës në drejtësisë dhe për vetë vetingun e kandidatëve.
Kushtetuta e re me gjithë ndryshimet kushtetuese u miratua nga Parlamenti në mënyrë unanime dhe parashikon se në procesin e reformës në drejtësi duhet të jetë ONM, por ka nga ata që thonë se duhet marrëveshje ndërkombëtare, që në të vërtetë marrëveshjet ndërkombëtare pasi miratohen nga Parlamenti, si hierarki ligjore rrinë në krye të ligjshmërisë dhe janë të detyruar të zbatohen. Janë në fakt të dy çështje të ndryshme, sepse marrëveshjet ndërkombëtare nuk bëhen pjesë e Kushtetutës por miratohen nga Parlamenti dhe janë norma juridike të zbatueshme, ndërsa Kushtetuta e vendit jo vetëm është si burim i së drejtës, por dhe si forma më e lartë e ligjit në vend qëndron në krye të hierarkisë së ligjit, pasi ligji për ONM është bërë organike e saj dhe pjesë e trupit kushtetues dhe është e detyrueshme për zbatim.
Ja si shprehet Kushtetuta e Shqipërisë për marrëveshjet ndërkombëtare dhe pikërisht në Nenin 180, pika 1, thuhet se “Marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara nga Republika e Shqipërisë para hyrjes në fuqi të kësaj Kushtetute konsiderohen të ratifikuara sipas kësaj Kushtetute”. Por ajo që nuk shkon sipas kundërshtarëve të reformës në drejtësi është preteksti i pavend juridik dhe ligjor madje qëllimkeq, sepse Parlamenti ka votuar unanim ndryshimet kushtetuese dhe bashkë me të edhe OMN në formën e ligjit kushtetues dhe jo të një marrëveshje ndërkombëtare. Prandaj, aktorët politikë duhet që çështjen e reformës në drejtësi medoemos duhet ta kthejnë sovrani pra në pushtetin e qytetarët, që ai ta votojë atë duke anashkaluar politikën e korruptuar, madje dhe çliruar nga reforma dhe aksesin e aktorëve politik, që u pranua të kenë ndikim në reformën në drejtësi për hir të kompromisit dhe tashmë ata kanë akses në propozimet e tyre, siç edhe ndodh rëndom në KQZ, ku palët kanë anëtarë të tyre, pra e politizuan procesin e reformës në drejtësi.
Reforma në drejtësi duhet t’i kthehet referendumit dhe është mundësia më e mirë e shqiptarëve për t’u shprehur dhe dënuar këtë klasë politikë të vjetër, që është një gangrenë e vërtetë që degjeneron çdo ditë në dëm të shqiptarëve dhe Shqipërisë. Shoqëritë civile që janë edhe më të ndjeshmit në shoqëri dhe janë më afër qytetarëve kanë filluar të mbledhin firma pro reformës në drejtësi, por duhet që dhe ata forca politike që e mbështesin drejtësinë t’i shërbejnë proceduarës dhe aktit final për ta zbritur reformën në drejtësi në popull, sepse fundja opozita në rrugë e kërkon pengimin e saj, të paktën kështu duket në planin e parë, pasi do t’i duhet që këtë javë të sjellë propozimet e saj në Kuvend për emërimet e reja në drejtësi.
Kushtetuta shprehet qartë në Neni 150, pika 1, ku thotë: “Populli, nëpërmjet 50 mijë shtetasve me të drejtë vote, ka të drejtën e referendumit për shfuqizimin e një ligji, si dhe t’i kërkojë Presidentit të Republikës zhvillimin e referendumit për çështje të një rëndësie të veçantë”. Dhe ne pikën 2, po të këtij neni, thuhet se: “Kuvendi, me propozimin e jo më pak se një së pestës së deputetëve ose me propozimin e Këshillit të Ministrave, mund të vendosë që një çështje ose një projektligj i një rëndësie të veçantë të shtrohet në referendum”. Ishte një gabim, apo është një domosdoshmëri tanimë që reforma në drejtësi t’i drejtohet referendumit, pra të jenë shqiptarët ata që të vendosin që vendit të ketë një sistem drejtësie të pavarur dhe të efektshëm apo të kemi një sistem drejtësie të korruptuar ku të vazhdojnë të mbrojnë zyrtarët dhe politikanët e korruptuar, siç ndodh rëndomtë sot?!
Reforma në drejtësi do të pushojë në aspektin ligjor po s’u votua brenda afateve, sepse Kuvendi i Shqipërisë nuk ka të drejtë të nxjerrë ligje dhe konkretisht neni 65 të Kushtetutës së Shqipërisë në pikën 4, shprehet se: “ Kuvendi nuk mund të nxjerrë ligje gjatë periudhës 60 ditë para mbarimit të mandatit të tij deri në mbledhjen e parë të Kuvendit të ri, me përjashtim të rasteve të vendosjes së masave të jashtëzakonshme”. Kundërshtitë e palëve për ratifikim të marrëveshjes ndërkombëtare e pretenduar për ONM, Kushtetuta në neni 123, pika 1, shprehet se “Republika e Shqipërisë, në bazë të marrëveshjeve ndërkombëtare, u delegon organizatave ndërkombëtare kompetenca shtetërore për çështje të caktuara. 2. Ligji me të cilin ratifikohet një marrëveshje ndërkombëtare, siç parashikohet në paragrafin 1 të këtij neni, miratohet me shumicën e të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Dhe në pikën 3 po të këtij neni, thuhet se “Kuvendi mund të vendosë që ratifikimi i një marrëveshjeje të tillë të bëhet me referendum”. Pra, referendumi zgjedh ngërçin e palëve politike në Parlament për propozimin e kandidatëve në institucionet e reja të drejtësisë, zgjidh pauzën parlamentare dhe mbi të gjitha dhe pretendimet për ratifikim të marrëveshjeve ndërkombëtare të pretenduar për OMN, që në të vërtetë nuk është e nevojshme sepse Kushtetuta e re e ka pjesë organike tashmë, por gjithsesi referendumi çliron çdo ngërç. Për çdo hamendësi, referendumi mbyll çdo aludim dhe kundërshti. Pretenduesit dhe skeptikët, le të dalin para shqiptarëve me çfarëdolloj teze apo argumenti që duan, pasi do jenë shqiptarët ata që do të vendosin.
Për shumë do jetë jo e pranueshme forma e referendumit, sepse specialistët dhe të gjithë ata që morën pjesë në këtë proces së reformës në drejtësi do jetë një kthim në pikën e fillim, por marrë parasysh kohën e humbur rrugës sigurisht që referendumi është vetë shpëtimi i reformës në drejtësi, pasi tashmë ajo është realish egziston vetëm se donë vullnetin qytetar për të përjashtuar një herë e mirë penguesit nga ky proces jetik për shqiptarët dhe Shqipërinë.