Takimi sekret në Shtëpinë e Bardhë. A është Tony Blair i dërguar i Trumpit në Lindjen e Mesme?
Zbulimi i ditës vjen nga “Daily Mail”, që thotë se Tony Blair ka marrë pjesë në një takim sekret në Shtëpinë e Bardhë për të diskutuar mbi një bashkëpunim të mundshëm me Donald Trumpin.
Ish-kryeministri më i suksesshëm britanik thuhet se ka zhvilluar bisedime me dhëndrin e Trumpit, njëkohësisht këshilltar i lartë, Jared Kushner, gjatë së mërkurës, me synimin për t’u bërë i dërguari i paqes në Lindjen e Mesme i Trumpit.
Tabloidi britanik ka mësuar se Blair dhe Kushner janë takuar plot 3 herë që prej shtatorit, përfshi edhe samitin triorësh të javës së kaluar.
Nëse Trumpi i akordon Blairit rolin e ri, kjo do të përbënte një rikthim të befasishëm ndërkombëtar për njeriun, reputacioni i të cilit thuajse u rrënua pas luftës së Irakut. Madje do të përbënte edhe një goditje për shpresat e Theresa May për të formuar të ashtuquajturën “marrëdhënie speciale” të sajën me Trumpin, veçanërisht teksa ish-udhëheqësi i UKIP-it, Nigel Farage është kthyer tashmë në një njeri të besuar për presidentin amerikan.
Joshja e Blairit nga familja e Trumpit pritet të rindezë spekulimet mbi miqësinë e afërt të tij me ish-gruan e Rupert Murdoch, Ëendi Deng, e cila është shoqe e ngushtë me bashkëshorten e Kushnerit, Ivanka Trump, e bija e Donaldit.
Blair dhe Deng ishin të pranishëm në takimin e përfaqësuesve politikë dhe mediatikë në Aspen të Colorados në shtator, ku Blair është takuar për herë të parë me Kushnerin për të diskutuar mbi çështje politike. Ajo mbrëmje ishte organizuar nga moderatori veteran Charlie Rose, i cili është takuar me Trumpin në selinë e tij në Nju Jork pas triumfit të këtij të fundit në zgjedhjet presidenciale. Ish-kancelari George Osborne ishte folësi kryesor në takimin e Aspenit.
Vetëm pak ditë pas fitores së Trumpit në zgjedhjet e nëntorit, Blair dhe Kushner janë takuar sërish. Blair ka qenë dikur i dërguar në Lindjen e Mesme si përfaqësues i të ashtuquajturit “kuartet” i BE-së, Shteteve të Bashkuara, Rusisë dhe Kombeve të Bashkuara, ndërsa njohjet e tij mbi rajonin mund të shërbejnë së tepërmi për administratën pa eksperiencë të Trumpit.
Zbulimi shokues për takimin sekret të tij në Shtëpinë e Bardhë vjen pas vendimit të Blairit 3 muaj më parë për të mbyllur perandorinë kontroverse të biznesit të tij. Vetëm pak javë më vonë, ai njoftoi një betejë ndaj valës së “një populizmi të ri” që po përhapet në mbarë botën, por këmbënguli se nuk ka ndërmend të bëjë një kthim në politikë.
Në atë kohë, fjalimi i tij ishte parë si një sulm ndaj “Brexit”-it, edhe pse disa e konsideruan atë si një shuplakë ndaj të njëjtës valë populizmi, që i mundësoi Trumpit hyrjen në Shtëpinë e Bardhë.