Albspirit

Media/News/Publishing

Vladislav Surkov dhe “putinizmi”

 

Rikthimi i Vladislav Surkovit në rrethin presidencial sigurisht që nuk ka pasur efektin e tronditjes së linjave drejtuese të politikës së jashtme të Federatës Ruse, por mund të jetë edhe një sinjal i rëndësishëm i ekuilibrit të pushtetit në brendësi të Kremlinit, faktor që do të influencojë politikën e Presidentit ndaj opozitës së brendshme në rritje dhe ka mundësi që mund të shënojë zhvillime të reja edhe në politikë.

 

Kush është Vladislav Jurieviç Surkov?

Roli dhe puna e njërit prej ndërtuesve kryesorë të sistemit politik të Federatës Ruse në dekadën e fundit, sistem i përkufizuar shpesh si “putinizëm”, nuk është thelluar gjithmonë mjaftueshëm në literaturën e specializuar dhe në disa rrethana i veshur pothuajse me mister. I njohur shpesh si “eminenca gri” e Kremlinit, Vadislav Jurieviç Surkov ka pasur një rol shumë të rëndësishëm gjatë dy mandateve të para të Putinit dhe ka kontribuar të ndërtohet sistemi politiko – ideologjik mbi të cilin Presidenti ka bazuar legjitimitetin e tij. Misteri rreth figurës së Vladislav Surkovit është justifikuar nga roli, shpesh në hije, që ka luajtur duke filluar nga vitet Nëntëdhjetë. I lindur në shtator të vitit 1964 në një fshat të Lipetsk Oblast’ (në mes të rrugës midis Moskës dhe Vollgogradit, në pjesën europiane të Rusisë) nga nënë ruse dhe baba çeçen, në vitet Tetëdhjetë, pa sukses të madh, nis karrierën universitare pranë Universitetit Shtetëror të Moskës për Kulturë dhe Arte, të cilin më pas do ta braktisë pa arritur të diplomohet. Gjatë viteve të trazuara të perestrojkës vihet në kontakt me atë botë biznesi që shpejt do të dalë në faqet e para e kronikave të vendit. Fillimisht nis të të punojë për Mikhail Khodorkovskin, duke i menaxhuar raportet me klientët dhe aktivitetin publicitar të njërës prej bankave të para private të federatës Ruse, e quajtur “Menatep” (bankë që do të shpallë falimentin në 2001 me humbjen pasuese e kursimeve të më shumë se 15000 klientëve). Disa vite më pas, në 1997, nuk dihet mirë se si, e gjejmë Vladislav Surkovin në administratën e një banke tjetër private, e quajtur “Alfa-Bank”, e themeluar nga Mikhail Fridman, një oligark tjetër që e bëri pasurinë e tij nën hijen e paqëndrueshmërisë politike të viteve Nëntëdhjetë (i konsideruar njeriu i 7-të më i pasur në vend, që ndryshe nga oligarkët e tjerë agresivë të periudhës, nuk hyn në kontakt me Putinin).

Njoftimet që janë mbi aktivitetin e Vladislav Surkovit gjatë kësaj periudhe janë në fakt të mjegullta dhe shpesh pak të besueshme. Ajo që mund të nuhatet është se ka arritur të shfrytëzojë me aftësi raportet delikate midis klasës politike dhe elitës politike që ka ardhur duke i pasuruar mbi gërmadhat e Bashkimit Sovjetik, duke shfrytëzuar tentativat e trasha (dhe katastrofike) të Kremlinit për të zbatuar reforma drastike të prirura që të transformonin sistemin sovjetik në një ekonomi tregu të markës perëndimore (vala e privatizimeve dhe “terapia e shokut” e Gaidarit janë shembujt kryesorë në këtë kuptim). Faktikisht, në vitin 1999, Surkov arrin që të sigurojë rolin e këshilltarit e Drejtuesit të Administratës Presidenciale të Federatës Ruse (ka mundësi falë kontakteve që ju garantuan nga Boris Berezovki, i afërt me Presidentin e atëhershëm Boris Jelcin). Do të qendrojë në administratën presidenciale edhe pas ardhjes në pushtet të “njeriut të ri”, Vladimir Putin, duke u bërë një prej këshilltarëve dhe hartuesve kryesorë të politikës së tij.

Ashtu siç është në fakt e vështirë të gjenden informacione lidhur me aktivitetin e mëparshëm të tij, edhe në administratën presidenciale Surkov merr një rol mjaft ambig, duke u vendosur midis vijave klasike të demarkacionit zakonisht të përdorura për të dalluar korrentet e ndryshme në brendësi të Kremlinit. Një prej të mbijetuarve të pakët të administratës Jelcin, që nuk është pjesë e atij grupi që është bërë mazhoritar në Kremlin gjatë presidencës Putin, të ashtuquajturit siloviki, domethënë politikanë të bashkuar nga një e kaluar në brendësi të strukturave ushtarake apo të shërbimeve sekrete të Bashkimit Sovjetik dhe të Federatës Ruse. Njëkohësisht, megjithëse duke mbajtur raporte dhe duke punuar për oligarkët kryesorë të vendit (më pas të rënë në fatkeqësi), nuk i përket as botës ekonomike e financiare ose, të paktën pjesës së saj që e ka zgjedhur rrugën e politikës nën hijen e Kremlinit gjatë pushtetit të Putinit.

Figura e Surkovit është e vështirë të inkuadrohet edhe nga një pikëpamje “ideologjike”. Sipas analizave të studiuesve të shumtë (Marlene Laruelle, Andrey Okara dhe Leon Aron, sa për të përmendur disa), janë 3 qendrat kryesore e mendimit politik brenda Federatës Ruse. Liberalët, të quajtur nganjëherë edhe oksidentalistë apo atlantistë, një grup me influencë të madhe gjatë viteve Nëntëdhjetë, tani i marxhinalizuar dhe i nxjerrë jashtë nga qeverisja e vendit; të ashtuquajturit Revolucionarë, grup në të cilin bëjnë pjesë ekstremet e spektrit politik të Federatës Ruse (Partia Komuniste e Federatës Ruse, Bashkimi Popullor, por edhe të gjithë korrentet euroaziatiste dhe sllavofile); së fundi, Konservatorët, objektivi kryesor politik i të cilëve është ai i ruajtjes së statukuosë, duke siguruar stabilitet, përparim ekonomik dhe shoqëror.

Duke analizuar kontributin kryesor teorik të Vladislav Surkovit, “Shtetëzimi i së ardhmes” (“Национализация будущего”) – ku paraqet vizionin e tij politik dhe teorizon konceptin Sovereign Democracy – duket qartë sesi përpunimi i konceptit socio – politik të promovuar nga autori niset nga një vizion i përbashkët me Revolucionarët, që e shikojnë zhvillimin dhe përparimin e shoqërisë ruse si një rrugëtim në vetvete që duhet ta nxjerrë limfën e vet jetike nga e kaluara sovjetike, duke siguruar një rrugëtim të vetin, duke refuzuar modele perëndimore. Por kjo pikënisje shpaloset në një koncept të afërt me Konservatorët, domethënë nevojën e një shteti të fortë në gjendje që të promovojë vijueshmëri pushteti dhe të garantojë zhvillimin ekonomik e shoqëror.

Por, në përpunimin e tij konceptual, Surkov merr hua edhe disa elementë që janë të përbashkët me grupin e tretë ideologjik. Në fakt, flet për Rusinë si “fuqinë europiane” më influente, duke marrë në këtë mënyrë vizionin europocentrik, tipik të botës intelektuale liberale, dhe përgjithësisht e refuzuar nga grupet Revolucionare.

 

Në kërkim të një “regime ideology”?

Në një kontekst ku miratimi për ekonominë e tregut, demokracinë dhe, më në përgjithësi, për “modelin perëndimor” filloi shumë shpejt të lëkundej pas trazirave politike, ekonomike dhe sociale e fillimviteve Nëntëdhjetë, ajo e nacionalizmit dhe e patriotizmit është bërë lidhja kryesore midis shtetit dhe shoqërisë. Nëse figurat e parë politike përcaktuese për të mbushur “boshllëkun ideologjik” e viteve në fjalë qenë Evgenij Primakov dhe Aleksandr Lebed nëpërmjet referimeve të tyre konstante ndaj patriotizmit, që pikërisht Vladimir Putini ai që e ngriti në doktrinë shtetërore dhe në ngjitësin themelor midis këtij të fundit dhe shoqërisë në tërësinë e saj. Duke filluar nga vitet e para e mijëvjecarit të ri, patriotizmi është bërë në fakt “etiketa e legjitimimit shoqëror, një gjest konformist me të cilin qytetari pranon rregullat e lojës, por pa modifikuar qasjen e tij”. Kjo narrativë patriotike ecën në të njëjtin hap me imazhin e Presidentit, “patrioti i parë”, një primus inter pares, i aftë që të promovojë zhvillimin e Federatës dhe pajtimin kombëtar, i nevojshëm për të mbajtur bashkë një vend të karakterizuar nga shtytje centrifuge me shtrirje përndryshe jo të mbështetshme.

Në një kontekst ku Kremlini vendoste të ndërmerrte luftën e dytë çeçene (që u bë akti i parë si President i Putinit dhe që fillimisht gnjalli konsensus të madh popullor), lejtmotivet e Presidentit, nën mantelin e patriotizmit, u bënë “pushteti vertikal” (вертикаль власти) dhe “diktatura e ligjit” (диктатура закона), koncepte që qenë në bazën e riorganizimit të ri të strukturës federale të shtetit, të reformës së sistemit partikak dhe të luftës kundër pushtetit personal që disa oligarkë ushtronin në nivel rajonal në brendësi të territorit të pamatë të Federatës Ruse.

Një prej veprimeve të parë të bëra nga Putini ka qenë reforma e raportit midis shtetit dhe rajoneve, midis Moskës dhe periferisë, e prirur që të zbusë “federalizmin asimetrik” e shfaqur në vitet Nëntëdhjetë. Reforma e parë në këtë drejtim qe krijimi i 7 “superdistrikteve” administrativë të qeverisur nga Përfaqësues të Plotfuqishëm të Presidentit, të emëruar prej tij. Pasoi kufizimi i autonomisë së Këshillit Federal (Dhomës së Lartë të Parlamentit), përfaqësuesit e të cilit u bënë të emëruar nga administrata presidenciale (dhe jo më nga guvernatorët e rajoneve të ndryshme) dhe, në fund, ndryshimi më i rëndësishëm, emërimi i guvernatorëve jo më nëpërmjet sufrazhit universal, por me vendim të Asamblesë Rajonale me propozin të administratës presidenciale.

Ky përqëndrim i pushtetit nëpërmjet një organizimi vertikal të shtetit ka pasur reperkusione serioze edhe mbi jetën politike të vendit. Fundi i sistemit monopartiak sovjetik, pothuajse si për reagim, kishte prodhuar lindjen e organizatave të shumta, që për shkak të nivelit të lartë të copëzimit dhe të paaftësisë së partive të mëdha për t’u imponuar në nivel elektoral dhe shoqëror, kanë “ngulfatur” sistemin partiak rus për një dekadë. Praktikisht, skena politike u dominua nga aktorë jashtë botës së partive, të ashtuquajturit “autonomë”, të aftë që të kenë ndjekje të madhe politike megjithëse pa pasur mbi shpatulla një organizatë mbështetjeje të mirëpërcaktuar (për shembull, vetë Putini e nisi karrierën politike të tij jashtë “mbrojtjes” të një institucioni të organizuar partiak).

Një tendencë krejtësisht e kundër është shfaqur në mijëvjeçarin e rij, duke përkuar me ngjitjen në krye të shtetit të Putinit. Në fakt, duke filluar nga viti 2000 shikojmë një riorganizim të sistemit partiak që korrespondon me stabilizimin e aparateve shtetërore dhe të indit social të realizuar nga dora e drejtuesve të rinj të Kremlinit. E lindur si instrument për të kundërshtuar opozitën në rritje ndaj Boris Jelcinit gjatë fushatës elektorale të 1999, Unity (më pas United Russia), e ndihmuar në ngjitjen politike të saj nga disa reforma si ngritja e pragut elektoral dhe kufizimet e reja kushtetuese dhe anëtarësimin në parti, u bë shumë shpejt forca kryesore e vendit, e aftë që të imponohej në skenën politike kombëtare. Në vitin 2001 Unity mori emrin United Russia në vijim të hyrjes në të të dy personazheve që kanë pasur, megjithëse në mënyrë indirekte, një rol kyç në lindjen e saj: Evgenij Primakov dhe Aleksandr Luzhkov. Partia e re në qeverisje, mbështetësja kryesore e Putinit dhe krah politik i Kremlinit, u bë shumë shpejt përmbajtësi i të gjitha referimeve patriotike dhe i karakterit të tyre të pranuar nga shoqëria, duke i ribashkuar në një “ideologji politike konservatore” të vetme, të prirur që të ruante statukuonë nëpërmjet pozicionimit në qendër të spektrit politik, duke përfshirë një pjesë të mirë të korrenteve ekstremiste dhe duke bërë të vetin konceptin e “nacionalizmit të shprehur nën etiketën e patriotizmit”. Në këtë mënyrë partia politike e krijuar nga Kremlini arriti të legjitimojë vetveten dhe figurën e Presidentit si “të parin midis patriotëve” dhe si bashkuesin kryesor e indit shoqëror të Rusisë së mijëvjeçarit të ri. Duke marrë dhe duke menaxhuar etiketën e patriotizmit, United Russia (për pasojë, Kremlini) ka qenë në gjendje të “kontrollojë” e të “vendosë” legjitimitetin politik e partive të tjera. Veç kësaj, mungesa fillestare e një ideologjie bazë në kuptimin e vërtetë të fjalës që të dallonte karakterin e United Russia (duke pasur parasysh karakterin e përpunueshëm të narrativës patriotike), ka mundësuar në vitet e para që të marxhinalizohet opozita duke lëvizur me fkelsibilitet ekstrem përgjatë gjithë spektrit politik të Federatës Ruse. Partia e krijuar nga Kremlini në 1999 u bë kështu shumë shpejt partia dominuese, duke fituar mazhorancën absolute në Dumë dhe duke formuar një strukturë robuste në nivel rajonal e rinor (duke shfrytëzuar riorganizimin e raportit midis Moskës dhe periferisë).

Vladislav Surkov ka qenë një prej aktorëve kryesorë të këtij normalizimi dhe transformimi epokal të indit politik, partiak dhe shoqëror të Federatës Ruse. Kontributi i tij ka qenë shumë i rëndësishëm për t’i dhënë një formë dhe një justifikim ideologjik transformimit strukturor të Kremlinit nëpërmjet teorizimit intelektual të konceptit Sovereign Democracy (ripërpunim i veçantë i “sovranitetit të kontrolluar”), telajoja e të cilës u ndërtua me kujdes nga Vladislav Jurieviç Surkov dhe e pranuar plotësisht nga partia presidenciale.

 

Sovereign Democracy si ideologji e Presidentit dhe e partisë së tij?

Koncepti Sovereign Democracy duket një kornizë komplekse ideologjike, në gjendje që të justifikojë faza autoritarizmi brenda një sistemi nominalisht demokratik dhe për të siguruar stabilitetin e tij. Pikërisht vetë Surkov, gjatë një diskutimi para kuadrove të United Russia në vitin 2006, nënvizoi nevojën për t’u pajisur me “një ideologji mbajtëse” në gjendje që të shërbejë si ngjitës social dhe të shmangë “përçarje të mundshme” në brendësi të partisë, nga momenti që apeli i thjeshtë i patriotizmit po e humbiste forcën goditëse fillestare. Partia duhej të transformohej në një forcë politike novatore në gjendje që të formulojë referime të reja ideologjike për shoqërinë ruse.

Tentativa e parë drejt formulimit të një “ideologjie regjimi” në kuptimin e vërtetë të fjalës dhe pajtimi i plotë social pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik është përfaqësuar nga përpunimi teorik i konceptit Sovereign Democracy. Ideja themelore duket në fakt lineare. Nëse Bashkimi Sovjetik ishte sovran, por jo demokratik, dhe Rusia e viteve nëntëdhjetë dukej demokratike, por jo sovrane, kursi aktual politik duhej të kishte si objektiv kryesor atë të ribashkimit të këtyre dy të kaluarve në një sintezë që të prodhonte demokraci, por pa hequr dorë nga sovraniteti dhe veçantitë që kanë dalluar historinë ruse. Sipas Surkovit, pajtimi i këtyre dy të kaluarve ishte i domosdoshëm për një bashkim më të gjerë të të gjithë shoqërisë rreth shtetit, Presidentit dhe partisë presidenciale. Kështu, Rusia është një shtet sovran që ka të drejtë të zgjedhë rrugën më të mirë drejt sistemit të duhur demokratik që mund edhe të ndryshojë nga ai i pranuar rëndom në Perëndim. Ku refuzim i natyrshëm i pax americana ka si pasojë edhe ekzaltimin e unicitetit të historisë dhe të rrugës që po përshkon Rusia bashkëkohore.

Rizbulimi i së kaluarës dhe i simboleve sovjetike, të vëna menjanë dhe të refuzuara gjatë viteve Nëntëdhjetë, është një karakteristikë tjetër themelore në përpunimin konceptual të Surkovit. Ama është e rëndësishme të nënvizohet sesi rizbulimi i së kaluarës nuk do të thotë humbje dhe refuzim asketik të të gjithë asaj që është e huaj për të, por përkundrazi implikon rizbulimin e kompetitivitetit të modelit të ri ekonomik, politik dhe shoqëror. Kështu, legjitimimi i lidershipit të brendshëm kalon edhe nëpërmjet aftësisë së tij për të marrë një rol të rëndësishëm në nivel ndërkombëtar, duke rizbuluar rolin e vet prej “fuqie të madhe”.

Megjithëse duke e mbushur pjesërisht boshllëkun ideologjik e viteve Nëntëdhjetë, në gjendjen aktuale Sovereign Democracy nuk duket se ka krijuar një ideologji koherente dhe bashkuese, në gjendje që të drejtojë strategjinë e zhvillimit social afatgjatë. Kjo dëshmohet nga fakti që, si koncept, është integruar në këto 10 vitet e fundit, sipas nevojave imediate politike të Kremlinit, nga lloje të tjera narrative. Për shembull, idetë e “kështjellës së rrethuar” dhe e “antiamerikanizmit” janë përdorur sidomos nga Surkov gjatë peirudhës së revolucioneve me ngjyra përgjatë kufijve të Federatës dhe të lëvizjeve të protestës brenda saj. Ashtu si koncepti i “gjallërimit ekonomik” (economic recovery), i dobishëm gjatë betejës kundër oligarkëve të mëdhenj të vendit, dhe ai i “fuqisë së madhe” janë përdorur për të legjitimuar partinë në pushtet dhe lidershipin e saj gjatë ashpërsimit të autoritarizmit.

Kështu, larg nga të bërit një linjë ideologjike koherente dhe e qartë, Sovereign Democracy ka qenë në fakt një mbajtës konceptual, mjaftueshëm fleksibël sa për t’i mundësuar Kremlinit që t’u përgjigjej nevojave imediate politike të tij dhe ti sigurojë një nivel të mirë stabiliteti politik një vendi që kishte përjetuar një dekadë trazirash. Përmes këtij lloji kompleks legjitimimi, brenda një periudhe të shkurtër United Russia është bërë zemra e sistemit partiak rus, në gjendje që të diskreditojë çdo lloj kundërshtari ideologjik dhe politik, aq sa disa studiues e quajnë “organizatë shtetërore – administrative pseudopartiake”.

Duke marrë hua idenë e shprehur nga sociologu amerikan (me origjinë ruse) Vladmir Shlapentokh, në analizën e tij lidhur me “besnikërinë ideologjike” e udhëheqësve të ndryshëm të Bashkimit Sovjetik dhe të Rusisë, mund të pohojmë se një formulim ideologjik i ngurtë tenton që ta kufizojë fleksibilitetin e klasës drejtuese, duke e bërë pushtetin më të paqëndrueshëm dhe më të prirur që të pësojë përmbysje të forta të shkaktuara nga ndryshimi i situatës ndërkombëtare dhe kombëtare. Duke ndjekur këtë arsyetim, mund të theksohet se teorizimi i konceptit Sovereign Democracy dhe zbatimi konkret i tij në realitetin rus është i prirur që të bashkojë aksionin politik të Kremlinit nën një mantel ideologjik, duke justifikuar në këtë mënyrë një nicel të caktuar autoritarizmi dhe strukture shtetërore oligarkike, por duke i lënë Presidentit një nivel të caktuar fleksibiliteti dhe mundësinë për t’ju apeluar në mënyrë të ndryshme koncepteve të vagullta të tij duke ja përshtatur qëndrimin e tij politik nevojave të imponuara nga situatat e ndryshme.

(nga Osservatorio di Politica Internazionale)

Përgatiti: ARMIN TIRANA

Please follow and like us: