22 vjeçarja me kancer paguan faturat në privat, Beqaj hesht
Ornela Dervishi është 22 vjeçe. Ka lindur më 29 korrik 1993, në Çermë, Proshkë, Lushnjë. Ajo vuan me kancer të mushkërive dhe është në stadin e katërt të sëmundjes.
Mystret Dervishi endet bashkë me të bijën prej 16 muajsh tashmë në pavionin e onkologjikun në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë. Është pikërisht kjo koha kur e bija u diagnostikua me kancer në mushkëri.
Temperaturë, kollë, këputje ishin shenjat e para që e detyruan familjen e Ornelës t’i drejtohet mjekut të familjes në Lushnjë. Një skaner zbuloi edhe të vërtetën e frikshme. Ajo vuante nga sëmundje e rëndë, ku mundësia e trajtimit, siç u duk edhe me kohën, ishte e vështirë.
Dikur nuk kishin para, por tashmë e konsiderojnë veten në skamje. Kjo për faktin se sëmundja e vajzës së familjes i ka shkatërruar plotësisht.
Mystreti rrëfen:
“Ime bijë është diagnostifikuar me kancer në mushkëri. Aktualisht është në stadin e katërt të sëmundjes. Sëmundja ka përparuar, metastazat janë përhapur deri në kocka. Sëmundja ka filluar t’i prekë edhe kokën”.
Teksa përlotet, ai rrëfen kalvarin e madh të vuajtjeve që ka kaluar në pavionin e onkologjikut. Nevoja e së bijës për kimioterapi e bëri atë të njihet edhe me rrugët “alternative” të gjetjes së medikamenteve.
“Ilaçet e kimios i kam blerë të gjitha vetë nga Turqia. Një cikël shkon rreth 4 milionë lekë kosto, pasi ilaçet për një seancë janë rreth 700 mijë lekë dhe janë pesë seanca kimioje për çdo cikël.
“Por nuk fillon dhe as nuk mbaron çdo gjë këtu. Kjo për faktin se nuk flitet thjesht për ilaçet e kimios. Të ishin vetëm ato, do të kishim gjetur derman. Por vajza ka edhe një numër i madh analizash të cilat është dashur t’i bëjë disa herë.
Dhe analizat duhen kryer në privat, sepse këtu në shtet nuk bëhen. Dhe mjekët kur t’i japin për të bërë analizat, i duan që të dalin të gjitha nga një laborator dhe jo pjesë-pjesë, se kështu arrijnë të përcaktojnë më mirë problemet.
“Unë këto analiza që ju shikoni tani (në foto) i kam bërë të pjesshme, pasi nëse do t’i bëja të gjitha, shkojnë 126 000 lekë (të reja). Nuk mundem ta përballoj. Është shumë shtrenjtë. Bashkë me ilaçet e kimios janë aq shumë sa nuk dimë ku të përplasemi.
“Me mjekët nuk kapem dot, sepse ata nuk kanë faj. Shërbimin na e bëjnë, por vetëm nëse ne u çojmë medikamentet nga jashtë, ndryshe…
“Nuk kam çfarë të them, as nuk kam çfarë bëj. Nuk kemi mundësi ekonomike që të përballojmë blerjen e ilaçeve të kimios. Ilaçet që kemi marrë dorazi janë: ifosfamide, mesna, etoposide.
“Për më tepër, vajza ka nevojë për transplant. Kështu më kanë thënë mjekët. Por transplanti këtu nuk bëhet. Shteti e ka në dorë, por kështu siç shoh deri tani, shteti nuk do të na ndihmojë”.
Mystreti ka më shumë lot se fjalë. Shumë pyetje për të thënë pak fjalë, por me peshë të madhe. Ai si shumë bashkëvuajtës të tjerë, i ka sytë nga shteti…
Lidhur me rastin në fjalë, nga drejtoria e QSUT-së është kërkuar ky informacion:
Medikamentet Ifosfamide, Mesna, Etoposide, me të cilin trajtohen të sëmurët me kancer në mushkëri, a janë të pranishme në QSUT dhe a janë në sasi të mjaftueshme për të përballuar kërkesat e të sëmurëve?
A realizohen në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” analizat Epstein Barr Virus IGG, Epstein Barr Virus IGM, CMV IgM, CMV IgG, Helikobakter Pylori IGG, Helikobakter Pylori IGM, IgG, IgM, të nevojshme për të vendosur diagnozën dhe për të bërë trajtimin e të sëmurëve? Nëse jo, si veprohet në rastet e pacientëve të shtruar që kanë nevojë për t’i kryer këto analiza?
Akoma sot nuk kemi një përgjigje zyrtare nga ky institucion.
Mjekë të kontaktuar nga ne kanë deklaruar se analizat e sipërpërmendura nuk kryhen në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë dhe, për saktësi, pacientëve u kërkohet që të gjitha analizat të kryhen në të njëjtin laborator.
Një gjë e tillë rrit kostot e secilit pacient duke i kthyer të papërballueshme edhe për familjet me të ardhura të larta.
Ndërkohë çështja i është dërguar Avokatit të Popullit, i cili është duke e ndjekur rastin e Ornelës. /Shendeti.com