Aleksandër Gjoka: I kapa, u mora aparatet dhe u dhashë një mësim të mirë
Një prej zërave më të mirë të rrokut shqiptar, Aleksandër Gjoka, ka qenë gjithmonë i tërhequr nga mediat dhe nga lajmet e showbizit. Si shumë këngëtarë të tjerë të brezit të tij, edhe Aleksandri ka zgjedhur të komunikojë me publikun përmes këngës dhe zërit të tij unik, ndryshe nga një pjesë e artistëve të rinj që, më shumë se me artin e tyre, e sigurojnë famën edhe përmes skupeve mediatike.
Pasditen e sotme, i ftuar në “E diell” përballë Adi Krastës, Aleksandër Gjoka ka ndarë me publikun disa nga hitet e tij më të bukura, si dhe histori në vite që kanë shoqëruar karrierën e tij muzikore. I pyetur për marrëdhëniet jashtë muzikës, një ndër to edhe marrëdhëniet me mediat e kulturës, ai tregon se “i ka ndërprerë” prej kohësh: “Nuk shkruajnë më për mua…” – tha këngëtari pas pyetjes së drejtpërdrejtë të Krastës “si i ke marrëdheniet me gazetarët e kulturës?
Pas kësaj deklarate, ka një histori me të cilën Sandri e lidh “qetësinë” mediatike për emrin e tij: “U bënë 7 vjet tashmë që nuk shkruajnë më për mua. Kam pasur një histori në promovimin e një albumi. Pashë që më kishin marrë në foto me një gotë përpara dhe titulli i shkrimit ishte: “Aleksandër Gjoka, i dehur…” Ku më panë që isha i dehur? I kapa, u mora aparatet dhe u dhashë një mësim të mirë. Që nga ajo kohë, nuk shkruajnë më…” – tregon Sandri.
Por para një viti ka pasur edhe një histori të ngjashme me një të përditshme në vend, të cilën po ashtu e mbylli miqësisht. Lidhur me mediatizimin e artistëve apo këngëtarëve të rinj shqiptarë, Sandri tha se ne nuk duhet të bëjmë paralelizëm me botën e artistëve jashtë, sepse nuk jetojmë në të njëjtat kushte. Sipas tij, këtu ka një tangërllëk të tepruar dhe të paarsyeshëm.