DOSJET E VONUARA/ Përfitojnë dëmshpërblim 320 ish-të burgosur politikë
Iu është dashur të protestojnë për 8 vite që zëri i tyre të mund të dëgjohet nga Qeveria. Bëhet fjalë për të ashtuquajturat dosje të vonuara të një grupi të konsiderueshëm ish-të burgosurish politikë, të cilët nuk kanë marrë ende asnjë këst dëmshpërblimi për vuajtjet në burgjet e diktaturës.
Dosjet e tyre ishin dorëzuar në Ministrinë e Drejtësisë jashtë afatit ligjor, korrik 2009, ndaj dhe nuk ishin marrë asnjëherë në konsideratë duke bërë që procesi të bllokohej për 320 ish-të dënuar politikë që janë ende në jetë.
Vendimi i Qeverisë për t’u dhënë një shans të dytë kësaj kategorie ka mbërritur në Komisionin Parlamentar të Çështjeve Sociale dhe Shëndetësisë ku është paraqitur nga ministri i linjës Blendi Klosi.
Ndryshimi ligjor sipas ministrit Klosi do t’u japë mundësi të gjithë ish-të dënuarve politikë, dosjet e të cilëve kanë mbetur të bllokuara në Ministrinë e Drejtësisë, të riaplikojnë nga e para brenda afatit limit 31 dhjetor 2017.
“Përmbushim detyrimin tonë madhor për këtë shtresë. Brenda qershorit 2017 do të mbyllim këstin e tetë për ish-të burgosurit politikë që janë ende në jetë”, u shpreh Ministri Klosi para deputetëve të majtë pasi të djathtët e kanë bojkotuar Parlamentin.
Sipas ministrit, Qeveria do të arrijë deri në fund të mandatit të përmbushë premtimin për dëmshpërblimin e plotë të ish-të burgosurve politikë që janë të listuar që prej vitit 2009, ndërsa për kategorinë e dosjeve të vonuara u premtua ndarja e këstit të parë deri në fund të vitit.
“Brenda 2017 do të mund të mund të shpërndajmë një këst dëmshpërblimi për 320 ish-të dënuar politikë që i shtohen listës me hyrjen në fuqi të ligjit të ri, dhe brenda vitit të ardhshëm për këtë kategori të mund të shlyejmë të gjithë detyrimin e mbetur”, u shpreh Ministri Klosi.
Bllokimi për më shumë se 8 vite i 320 dosjeve të dorëzuara me vonesë në Ministrinë e Drejtësisë, si dhe mos amendimi i ligjit ekzistues të miratuar nga Qeveria e djathtë në vitin 2007 për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë, shkaktoi një valë të madhe protestash të ish-të përndjekurve që humbën mundësinë për të përfituar dëmshpërblim financiar për vuajtjet në burgjet dhe kampet e diktaturës.
Protestat erdhën duke u përshkallëzuar deri në grevën e urisë së vitit 2012, ku njëri nga grevistët, Llirak Bejko u vetëflijua duke u djegur me benzinë brenda çadrës së grevës në shenjë revolte për premtimet e pambajtura nga ish-qeveria e djathtë.
Të njëjtin akt kreu edhe grevisti tjetër Gjergj Ndreca, i cili mundi t’i mbijetojë plagëve dhe aktualisht ndodhet në azil politik në Suedi.
Protestat nuk janë ndalur edhe gjatë 4 viteve të fundit që qeverisin të majtët, periudhë në të cilën ish-të përndjekurit politikë realizuan shumë tubime paqësore, si dhe edhe një grevë të dytë urie para Parlamentit të Shqipërisë.