Edward Lear dhe miku i tij, suljoti Kokalli
Eduard Lear, një ndër personalitetet e larta të kulturës angleze të 18-të Eduar, udhëtar, piktor, poet, mik Shqipërisë dhe i shqiptarëve, të cilëve u ka kushtuar mbi 100 piktura dhe një libër udhëtimesh, lindi më 12 maj1812 në Highgate Londër dhe ishte fëmija e 20-të i një agjenti burse. I refuzuar nga e ëma, ai u rrit nga motra e vet Ann, që ishte 21 vjet më e madhe. Lear dha shenja për prirje artistike që në moshë të re. Për shkak të dështimit të të atit në karrierë dhe pamundësisë së këtij për të mbajtur familjen Lear u detyrua të fitonte mjetet e jetesës që nga mesi i vitit 1820.
Në 1848 Lear-i nisi një udhëtim përmes Greqisë për në Stamboll. Udhëtimi i tij mori një kthesë të papritur, kur ambasadori britanik në kryeqytetin osman arriti t’i siguronte dokumentet për të vazhduar përmes zonave të perandorisë që konsideroheshin “të egra”. Duke marrë rrugën përmes Selanikut dhe Manastirit, ai udhëtoi në Ohër, Strugë, Elbasan, Tiranë, Krujë, Lezhë dhe Shkodër. Pas disa ditësh u kthye në Tiranë dhe vazhdoi drejt jugut në Kavajë, Berat, Ardenicë, Apoloni, Vlorë, bregdetin e Himarës, Tepelenë, Gjirokastër dhe më tej në Janinë.
Shumë nga peizazhet dhe skicat që bëri gjatë udhëtimit regjistrojnë një dokumentim të përpiktë të Shqipërisë së mesit të shekullit XIX. Pas kthimit në Angli ai botoi “Ditarët e një peizazhisti në Shqipëri” (1851).
Lear-i ishte tepër entuziast për peizazhet e jashtëzakonshme dhe kishte një sy e vesh të mprehtë për çka shihte e dëgjonte në udhëtimet e tij. Talenti origjinal si peizazhist, gjallëria e përshkrimeve në librat e udhëtimit dhe korrespondenca e këndshme e bënë Lear-in një nga udhëtarët më të dashur të shekullit XIX.
Eduardi krijoi vepra madhore, ndër të cilat edhe mbi 100 peizazhe mbi Shqipërinë. Shumica e këtyre peizazheve janë akuarele dhe litografi. Këto punime janë botuar në shekullin e kaluar nën titullin Eduard Lear in Greece (Eduard Lir në Greqi). Ndërsa nga fundi i shekullit përshkrimet e bëra nga Eduardi nëpër Shqipëri janë botuar në një përmbledhje nën titullin Eduard Lear in Allbania: Journalls off a Landscape Painter in Albania and Illyria (Eduard Lir në Shqipëri: ditari i një piktori peizazhist në Shqipëri dhe Iliri). Po kjo vepër është përkthyer edhe në gjuhen shqipe.
Shërbëtori besnik, shqiptari i krishter prej Suli
Gjergj Kokalli (Giorgio Kokali) u bë shërbyesi i Lear-it në Korfuz, në pranverë 1856 dhe ndenji me të deri në vdekje në Monte Generoso, në gusht 1883. Origjina e tij ishte shqiptare, i krishterë nga Suli, fliste greqisht, italisht dhe shqip. Veç detyrave të shtëpisë, Kokalli e shoqëroi Lear-in në udhëtimet dhe me t’u kthyer ai ishte modeli që pozonte për piktorin, i veshur me kostumet që Lear-i blinte nëpër vende të ndryshme. U mundua t’i mësojë anglisht shoqëruesit të tij dhe një nga detyrat e Kokallit ishte që të lexonte në anglisht me zë “Huta dhe macja”, por pa sukses. Pas vdekjes së gruas së Gjergjit më 1874, Lear-i u dha një shtëpi djemve të tij; më i madhi Nikolla është varrosur pranë piktorit në San Remo.
Lear-i besonte se “arsyeja që nëntë ndër dhjetë shërbyes i lë të pakënaqur, është se padronët i trajtojnë si karrige apo tavolina dhe nuk e çajnë kokën për ta si qenie njerëzore. Më vonë, në vitet e vetmisë, Gjergji u bë përherë e më shumë shok i Lear-it. Një natë në javë ai e ftonte për një gotë dhe një cigare që të kujtonin udhëtimet së bashku. “I shtrenjti im i gjorë Gjergj, gjithmonë kishte qenë një suliot gjysmë i civilizuar, më shumë një Rob Roy primitiv ose një malësor”,- shkruan ai në Ditar pas vdekjes së Gjergj Kokallit më 1883. “Uroj ta kem merituar një mik të tillë.”
Varret e Lear-it dhe Kokallajve pranë njëri-tjetrit
Vdiq më 29 janar 1888 dhe u varros në varrezën angleze në San Remo. Ishte një funeral pa njerëz që bëri shërbyesi, mjeku dhe e shoqja e tij. Më vonë ajo do të shkruante: “Nuk e kam harruar kurrë, gjithçka ishte kaq e trishtueshme, kaq e vetmuar. Pas një jete si ajo që Zoti Lear kish bërë dhe miqve të shumtë që kish pasur, asnjë prej tyre nuk ishte në gjendje që në fund të ndodhej me të”.
Nikollë Kokalli, djali i Gjergjit është varrosur pranë tij. Gurri i varrit ka një shënim përkujtimor për Gjergjin që kish vdekur më 1883 dhe ishte varrosur në Mendrisio në Zvicër. Në atë pllakë është shënuar: Shqiptari i krishterë nga Suli, ishte për 30 vjet shërbyesi besnik dhe mik i Edward Lear-it.
Poeti i shquar anglez, Alfred Tenison, mik i ngushtë i piktorit, i befasuar dhe i frymëzuar nga pikturat e tij në Epir dhe Shqipëri, krijoi një poezi monumentale, disa vargje të së cilës u vendosën në fund të tablosë, dhe më vonë si epitaf mbi varrin e Eduard Lirit: “Tomorr e Athos, fron magjie,/ Vjen hije largët gjer te ne,/Një laps e një penel i bie,/ E ndiej si të isha vetë atje”…