Albspirit

Media/News/Publishing

Genc POLLO: Matrioshkat dhe miqtë

Matrioshkat janë seri kukullash druri të pikturuara në sipërfaqe si gjyshe, por edhe si çupë e me formë gati vezore që futen brenda njëra-tjetrës nga më e vogla te më e madhja e që i gjen nga Rusia e Ukraina në Poloni e deri Bullgari e më tej në Kaukaz, e që thuhet se bazuar në një frymëzim japonez (kukullat shichi-fuku-jin) u popullarizuan shumë në këto vise në fund të shek. 19.
Turistët sapo i blejnë, nxitojnë t’i hapin për të zbuluar sa syresh ka brenda së madhes e si janë ato. Matrioshkat janë edhe një metaforë e surprizës së vazhdueshme apo edhe e pasigurisë së gjësë që ke në dorë. Nuk jam krejt i sigurt pse m’u kujtuan këto artefakte të kulturës popullore teksa ndiqja debatin e rilindur këto ditë për kushtet, të cilat Shqipëria duhet të përmbushë në mënyrë që të hapen negociatat për anëtarësim në Bashkimin Europian.
Në plenaren e Kuvendit, në muajt tetor deri në dhjetor të vitit të shkuar, kam përsëritur nëse BE nuk do t’i çelte menjëherë negociatat (nëse po atëherë do kishim tjetër muhabet apo game changer siç i thonë disa; por të tërë e dimë/dinim se kjo ishte e pamundur) se më e dobishme për Shqipërinë do të ishin kushtëzime të forta për pika të dobëta, sidomos ato të shfaqura në dy-tre vitet e fundit: burgaxhinjtë e djeshëm e të nesërm në ofiqet publike, kanabizimi i mbarë vendit nga një aleancë politiko-kriminale dhe kërcënimi i zgjedhjeve parlamentare të këtij viti nga dy të parat.
Kam thënë gjithashtu se ata që, në këto rrethana, e reduktojnë kushtin e çeljes e negociatave vetëm te hapat e parë të zbatimit të reformës në drejtësi mund të jenë miqtë e Edi Ramës (dhe këtë ju lutem mos e merrni detyrimisht si konotacion negativ). Ndërsa ata në BE, që insistojnë te pesë prioritetet e vendosura prej kohësh me theks aktual te tri pikat e dobëta janë miq të Shqipërisë (jo detyrimisht edhe të Bashës). E them këtë mbasi në kushtet kur banditizimi i shtetit ka ecur kaq përpara të bësh reformën në drejtësi në këtë gjendje mund të çojë në katandisjen e gjyqësorit në një derexhe më të keqe akoma.
Edhe një sqarim: çfarëdo që të them unë, çfarëdo që të thotë secili nga 139 deputetët e tjerë e madje edhe Rama e Basha, fakt është që vendimi për këtë merret vetëm nga BE. Fakt gjithashtu është se Komisioni Europian është ai që propozon; dhe në 10 nëntor Komisioni Europian përmes “Raportit Albania 2015” (ish-progres raporti) propozoi çeljen e negociatave me kusht kryesor zbatimin e reformës në drejtësi, si dhe me shqetësimet e mësipërme të detajuara brenda raportit.
Shtetet anëtare të BE, që krahas Parlamentit Europian miratojnë propozimet, u mblodhën më 13 dhjetor të përfaqësuar nga ministrat e Jashtëm dhe vendosën se Shqipëria duhet të përmbushë në mënyrë të qëndrueshme, të plotë e përfshirëse (sustained, comprehensive and inclusive) pesë prioritetet, përfshirë këtu dekriminalizimin, drogën e zgjedhjet parlamentare para se të rikonsiderojnë, me gjasë në maj 2018, çeljen e negociatave (linkun në websitin e BE-së të tekstit të këtij vendimi e postova dje në rrjetet sociale për këdo që ka interes e durim e që nuk mjaftohet me titujt fantazistë që shohim shpeshherë).
Nga tetori e në vijim kam dëgjuar kryeministrin edhe të premtojë, më falni, të parashikojë çeljen e negociatave brenda 2016 edhe më pas të thotë se drejtësia apo Vettingu janë kusht i vetëm dhe pesë prioritetet do të përmbushen gradualisht përgjatë viteve të negociatave. Pra, me fjalë të tjera mund t’i duhen muaj apo vite për të hequr Enver Roshin nga bashkia dhe se kultivimi i kanabisit në 2017 do të reduktohet me sukses në 90% të sasisë së një viti më parë.
Duke qenë se zotëria dihet që mjeshtëri kryesore ka të shiturit e rërës për farë dhe se ai bën zullume më me zarar se parashikimet e interpretimet europiane nuk lipset të harxhojmë frymë, bojë e kohën e publikut me këto llafe të tij. Por mund të shtoj se kur edhe përfaqësuese qendrore a vendore të Europës i ngatërrojnë për arsye të paqarta pozicionin e BE dhe kushtet publike ia dëftejnë publikut shqiptar një nga një si kukullat ruso-japoneze, jo vetëm nuk ndihmojnë të gjithë Shqipërinë, por ndoshta dëmtojnë besueshmërinë e asaj çka përfaqësojnë.

* Deputet i Partisë Demokratike

Please follow and like us: