Hakerat rrëmbejnë postën e Gmail e Yahoo Mail për ta shitur në tregun e zi
Përdoruesit e rrjeteve postare elektronike Yahoo Mail e Gmail janë rekomanduar së fundmi të shtojnë kodet e tyre të sigurisë, pas marrjes së kontrollit të një mase të madhe llogarish nga hakerat.
Rreth një milionë llogari janë dekriptuar dhe janë nxjerrë në shitje prej kriminelëve të rrjetit, të cilët kanë listuar adresat dhe fjalëkalimet e përdoruesve, që mund t’i japin akses hakerave. Për aktin duket se është përgjegjës identiteti i rrjetit “SunTzu583” i cili ofronte llogari që janë denoncuar dhe në sulme të mëparshme kibernetike, siç raportonte agjencia HackRead.
Në to përfshiheshin rreth 100,000 llogari nga Yahoo Mail të goditura nga sulmi 2012 Last.fm dhe rreth 145,000 llogari nga sulmi kibernetik 2013 Adobe breach dhe 2008 ndaj rrjetit MySpace.
Por problemi kryesor ishin rreth 500,000 llogari komunikimi Gmail që ishin nxjerrë në shitje nga hakerat për 0.0199 bitcoin secila (vlerë valutore kibernetike) që vinin nga sulme kibernetike të viteve 2010 e 2016.
Lee Munson, ekspert sigurie i grupit Comparitech.com, tha: “Në një botë ideale, fakti që dikush po shet kredenciale të vjedhura nga goditje të disa viteve më parë, nuk është për t’u shqetësuar sepse të gjithë kanë marrë masat e duhura prej atëherë. Por për t’u shqetësuar është se shumë njerëz janë vënë në rrezik vetëm sepse nuk kanë ndërruar fjalëkalimet e tyre, të cilat i kanë përdorur për disa llogari të ndryshme”.