Albspirit

Media/News/Publishing

Histeri dhe urrejtje në Maqedoni, kush qëndron pas tensioneve?

Fytyra e errët dhe e dhunshme e partisë që në mënyrë indirekte ende qeveris me Maqedoninë, VMRO-DPMNE, shumë lehtë dhe shpejt doli në sipërfaqe. Pasi që, pas zgjedhjeve të shumëpritura parlamentare të mbajtura në dhjetor, u bë shumë e qartë se ky koalicion politik, përkundër fitores së ngushtë, pas stërzgjatjes së negociatave për krijim të qeverisë me partinë shqiptare Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), nuk do të arrijë të krijojë qeveri, nisi fushata përplot histeri dhe urrejtje. Kështu, në një analizë më të gjatë të aktualitetit në Maqedoni, shkruan media kroate lupiga.com, duke cekur se presidenti maqedonas Gjorge Ivanov, në kundërshtim me Kushtetutën e shtetit, refuzoi t’ia japë mandatin atij që ka siguruar shumivë parlamentare.

Si arsyetim, Ivanov kishte platformën e partive shqiptare që duhet të implementohet nga qeveria e re e që, gjoja, është hartuar në një shtet tjetër, Shqipëri, që nuk ia do të mirën Maqedonisë. Kjo, gjoja se, ka qenë pengesa edhe pse s’u arrit marrëveshja mes VMRO-së dhe BDI-së. “Por, arsyet e vërteta mund të jenë krejtësisht ndryshe dhe duhet kërkuar tjetërkund. Në fakt, DPMNE me çdo kusht dëshiron të eliminojë mundësinë që Prokuroria Speciale Publike të vazhdojë me punën e vet, sepse më shumë funksionarë të kësaj partie janë nën hetime nga ky institucion. Në të njëjtën kohë, partneri i tyre potencial, BDI, s’ka probleme me punën e këtij institucioni dhe këtu duhet kërkuar arsyet për dështimin e negociatave.

Para se të skadojë afati për dhënien e mandatit Zoran Zaevit, liderit të Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë (LSDM), DMNE-ja vuri në funksion makinerinë e vet propagandistike”. Media kroate përkujton edhe dhunën e ushtruar nga përkrahësit e partisë së Nikolla Gruevskit, siç është rrahja e gazetarëve të portalit A1.on, sulmet fizike dhe verbale dhe kërcënimet ndaj kundërshtarëve të VMRO-DPMNE-së, siç ishin ato ndaj gazetarit Borjan Jovanovski, profesorit Lubomir Fërçkoski, profesoreshës Gordana Popsimonovo, studentes Sumeja Ademi, që u sulmua në qendër të Shkupit për shkak se mbante shami, e shumë raste të tjera.

Shpallje në shkollat e Shkupit, me të cilat maqedonasit frikohen se, po s’mbeti VMRO në pushtet, do të dënohen me nga 5.000 euro po s’e mësuan gjuhën shqipe “Kjo është hera e parë në historinë e Maqedonisë së pavarur që populli haptazi të ndahet në maqedonas ‘të vërtetë’, më saktë VMRO-vcat, dhe të gjithë të tjerët – më saktë ‘tradhtarët’. Thënia latine ‘homo homini lupus’ fiton një kuptim të ri: VMRO-vci për maqedonasin dhe të gjithë të tjerët është ujk”, përfundon lupiga.com, e cila veprimet e partisë së Gruevskit i quan “fushatë fashiste”.

Please follow and like us: