Albspirit

Media/News/Publishing

Kriza institucionale në Maqedoni rrezikon të shndërrohet në tension ndëretnik

 

Kriza institucionale në Maqedoni kërcënon të shndërrohet në tensione etnike. Një rol të rrezikshëm në këtë rast është duke lozur kryetari i shtetit, ndërsa BE-ja është duke humbur aftësinë e saj për të ndërmjetësuar.

Të mërkurën ndodhi një goditje e rëndë, kur kryetari Maqedonisë, Gjorgji Ivanov refuzoi t`ia japë mandatin socialdemokratëve për të formuar Qeverinë, edhe pse ata së bashku me tre partitë etnike shqiptare përbëjnë mazhorancën në Parlament.

Nuk mund të pajtohem me një koalicion të tillë. Ai është parapërgatitur nga jashtë dhe rrezikon unitetin e vendit”, kishte deklaruar kryetari Ivanov.

Partitë shqiptare të cilët e përfaqësojnë pakicën etnike prej 25 për qind, janë unifikuar për një platformë të përbashkët në Tiranë, shkruan “Neue Zürcher Zeitung”, përcjellë “Shtegu”.

Me këtë platformë, gjuha shqipe parashihet të jetë gjuhë e dytë zyrtare si dhe pabarazitë ekonomike midis rajoneve të korrigjohen. Hapi i Ivanovit e ka aktivizuar Brukselin dhe Uashingtonin, por edhe Moska dhe Tirana janë paraqitur me fjalë të ashpra, secili me motive të ndryshme. Ndërhyrja e tyre do të mund të thellonte dhe prolongonte krizën.

Tashmë dy vite është tronditur Maqedonia. Një skandal përgjimi ka hedhur në dritë paturpësitë e udhëheqësit nacionalkonsrvativ të VMRO-DPMNE, Nikolla Gruevski të uzurpimit të institucioneve shtetërore. Zgjedhjet e dhjetorit kanë mundur të jenë një fillim i ri, por ato përfunduan me pat. VMRO me çdo kusht është duke u munduar të pengojë një Qeveri me socialdemokratët, pasi udhëheqësia e saj ka frikë se do të përfundojë prapa grilave.

Me këtë rast, ndihmësi kryesor është kryetari Ivanov, i cili koalicionin në fjalë e llogaritë si të dyshimtë dhe paraqet vetëm një pretekst. Përfaqësuesja e BE-së, Federica Mogherini të enjten i ka bërë thirrje kryetarit Ivanov që të respektojë Kushtetutën dhe tu besohet mandati socialdemokratëve. Kriza institucionale në asnjë moment nuk duhet të zgjerohet në një konflikt ndëretnik. Edhe ambasadori i SHBA-ve në Maqedoni është i të njëjtit mendim.

Megjithatë, partneriteti euroatlantik i cili në vitin 2001 e parandaloi një luftë ndërqytetare, nuk është pa brenga: Në shumë artikuj të gazetave dhe portale të ndryshëm të delegatëve konservativë amerikanë, ambasadori amerikan vlerësohet si njeri i Obamës dhe shërbëtor i Fondacionit Soros.

Me të holla amerikane, Maqedonia është duke u udhëhequr nga e majta. Me këtë, ata po e vënë në pyetje autoritetin e ambasadorit duke treguar një alternativë të mundshme të politikës së Uashingtonit. Pas kësaj qëndrojnë lobistët të cilët i ka nxitur VMRO në SHBA.

Kësaj radhe, edhe Shqipëria është paraqitur për fjalë. Pas një mbledhje të jashtzakonshme, të enjten ministri i Jashtëm shqiptar Dhimitër Bushati ka deklaruar se shqiptarët në Maqedoni janë popull shtetformues. Shqipëria gjithnjë e ka përkrahur pavarësinë e vendit fqinj dhe kështo do të veprojë edhe në të ardhmen. Nga ana tjetër, kryeministri shqiptar ka kërcënuar në mënyrë më të drejtpërdrejtë: Pa shqiptar nuk ka Maqedoni.

Me zbehjen e forcës së BE-së në Maqedoni, Rusia ka shfaqur gjithashtu interesin e saj. Moska e ka kritikuar ashpër krijimin e “Platformës shqiptare” e cila është përkrahur nga BE-ja dhe NATO. Pas saj fshihen ambicje të Shqipërisë së Madhe, të cilat gjithashtu rrezikojnë integritetin territorial të Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë.

Edhe “Sputnik”, një platormë e sponsorizuar nga Rusia, i ka dhënë hapësirë të madhe kritikave ndaj Sorosit. Organizata e tij qëndron prapa demonstratave kundërqeveritare të viteve të fundit dhe përpjekes për të shkuar hapave të Ukrainës dhe Gjeorgjisë me “revolucion të larmë”, në mënyrë që të përmbyset regjimi i Gruevskit. Ndërhyrja e huaj në vend duhet të ndërpritet.

Qëndrimet e kundërta janë duke nxitur konfliktin. Vendimtare do të jetë se sa peshohet fjala e përfaqësueses së Jashtme të BE-së. Pesha e BE-së në Ballkan, viteve të fundit është zvogëluar.

Në dhjetor, ministri i Jashtëm austriak i kishte shprehur mbështetje Gruevskit në zgjedhje, ndërsa një qëndrim të kundërt kishte shprehur Berlini zyrtar. Maqedonia është një vend i rëndësishëm për stabilitetin në Ballkanin Jugor. Ajo është e vendosur në itinerarin e refugjatëve, ndërsa dyert për ta i mban të mbyllura në kufirin me Greqinë.

Ekzistenca e saj e brishtë varet nga përpjekja për të sjellë një ekuilibër në mes të shumicës maqedonase dhe pakicës shqiptare. Po të eskalojë kriza, rrezikohet paqja në mes të grupeve etnike.

Please follow and like us: