Albspirit

Media/News/Publishing

Nishani i përgjigjet Ruçit: Deformove deklaratën e Presidentit

Pas një deklarate në seancën e Kuvendit të kryetarit të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruci, se Presidenti i Republikës nuk e ushtroi kompetencën e tij në procesin e përzgjedhjes së komisioneve të Vettingut ka reaguar Institucioni i Presidentit të Republikës. Sipas selisë së kreut të shtetit deklarata nuk ishte korrekte, por e deformuar dhe jo transparente.

“Parlamenti e miratoi ligjin përkatës në tejkalim të afateve që ishin vendosur në Kushtetutë për Presidentin e Republikës duke ja pamundësuar totalisht pjesëmarrjen në këtë proces. Për fat të keq, përjashtimi i Presidentit të Republikës nga i gjithë ky proces i rëndësishëm, ka qenë një politikë konstante megjithëse ishte pikërisht Presidenti i Republikës, institucioni i parë që inicioi fillimin e reformës së drejtësisë në tetor të vitit 2014 kur ende askush nuk po merrte një iniciativë të tillë” – shkruan Presidenti.

“Edhe nje herë, duke theksuar rëndësinë e këtij procesi, Presidenti i Republikës i bën thirrje deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë dhe të gjithë aktorëve të përfshirë, të tregojnë respekt dhe zbatojnë me korrektesë Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Ky sqarim bëhet në shërbim të transparencës për qytetarët shqiptarë, dinjiteti dhe integriteti i të cilëve është dimensioni më i rëndësishëm se çdo gjë tjetër për Presidentin e Republikës” – e mbyll kreu i shtetit.

Please follow and like us: