Njollat e murrme që i nxinë jetën Minush Jeros
Emrin e kishte Emin. Shkurt dhe me përkëdheli i thërrisnin Minush, nofkë që i mbeti gjithë jetën si emri i tij i vërtetë. Dramaturgu Minush Jero sikur e parandjeu se njollat e murrme do t’ia nxinin jetën. Ndodhi si me shumë artistë e shkrimtarë të tjerë, por ai ishte nga “dëshmorët” dhe heronjtë e parë të “liberalizmit” e egërsisë që ra mbi artistët pas Plenumit IV. Gjykimi i tij u pa i lodhur ngushtë me emrin e regjisorit Mihal Luarasi. Ata i lidhi jo vetëm drama, por edhe gjyqi e burgu. Gjithçka ndodhi brenda një pesëvjeçari. Nga parajsa në ferr, nga triumfi në burg… Ishin kohë të çuditshme njerëz të çuditshëm…
***
Minush Jero u lind më 27.6.1932, në Skelë të Vlorës, “në një familje me origjinë dhe gjendje shoqërore nëpunës, në profesion arsimtar, me arsim të lartë, i martuar, ka një fëmijë, i padënuar më parë, i përjashtuar nga partia, oficer në reserve”, thuhej në krye të dosjes së tij. Pas shkollës ushtarake, ai u bë oficer në Durrës. Largohet nga ushtria në vitin 1960 dhe hyn në Universitetin e Tiranës, ku u bë profesor i letërsisë dhe dramaturgjisë.
Sipas survejimit të Sigurimit, “veprimtaria “armiqësore” e tij kishte filluar herët, që nga viti 1959. Ai duke dashur të vihet në pozita armiqësore me politikën e Partisë së Punës së Shqipërisë dhe të Qeverisë, ka thënë se kuadrot kryesorë të ushtrisë sonë ishin të paaftë për të drejtuar ushtrinë tonë popullore dhe se ata duheshin hequr. Minushi ka folur edhe kundër pikëpamjeve të Partisë së Punës së Shqipërisë që përcaktoheshin në fjalimin e Sekretarit të parë të K.Q të Partisë e Punës së Shqipërisë lidhur me problemin e Kosovës, sikurse ka folur edhe kundër Josif Stalinit. Për këtë veprimtari armiqësore, Emin Jero u përjashtua nga Partia e Punës së Shqipërisë dhe u këshillua që të hiqte dorë nga veprimtaria e tij armiqësore.
Por, sipas Sigurimit, Minushi, jo vetëm që nuk hoqi dorë nga veprimtaria e tij kriminale, por përkundrazi filloi të propagandojë kundër pushtetit popullor edhe në persona të tjerë, mbasi është njohur me rrymat e idealiste-borgjeze në art”.
E keqja i erdhi Minushit, sipas Sigurimit, kur u njoh dhe u lidh me regjisorin Mihal Luarasi: “Që nga vera e vitit 1969, kanë filluar së bashku aktivitetin e tyre armiqësor, duke propaganduar kundër pushtetit popullor, duke pretenduar se “për zhvillimin e artit në Shqipëri duhej të udhëhiqeshin nga arti borgjez perëndimor dhe të kopjonin rrymat moderniste të kohës”. Këto pikëpamje antisocialiste dhe antikombëtare i kanë propaganduar në persona të ndryshëm dhe i kanë zbatuar në krijimtarinë e tyre letrare artistike si në dramën “Njollat e murrme”. Drama u vu në skenë në vitin 1968 në teatrin “A.Z. Çajupi” dhe mori vlerësimet më të mëdha si vepër mjaft e arrirë estetikisht, duke u nderuar me Flamurin e Festivalit të IV të Teatrove. Në të interpretonin emra të shquar të aktrimit shqiptar.
Vetë regjisori Luarasi kujton: “Drama “Njollat e murrme” ishte shfaqja e fundit që mbylli festivalin. Ndërsa në mbrëmje do të jepeshin çmimet. Kjo dramë arriti t’i rrëmbejë të gjitha trofetë që nga dramaturgu më i mirë, regjisori, aktori etj., deri në vlerësimin e lartë me “Flamur”. Mos harrojmë se në atë kohë dramaturgjia shqiptare kishte një brez dramaturgësh dhe regjisorësh që konkurruan me nivel të lartë profesional. Pra pas mbarimit të festivalit, për nder të marrjes së çmimit siç ishte tradita, shfaqja u dha edhe njëherë…”. Dikush i sugjeroi diktatorit ta shikonte shfaqjen dhe ai shkoi të hënën për ta parë. “Këtu ndodhi katastrofa. Shfaqja u ndalua duke u quajtur revizioniste, që shkon në kundërshtim me ideologjinë e Partisë, dhe që nxin realitetin. “Mbrëmë pashë pjesën theatrale “Njollat e murrme” të shfaqur nga grupi i theatrit profesionist të Korçës. Unë duartrokita për aktorët se loznin mirë, sidomos për atë që luante rolin e doktorit dhe për mësuesen, po e vërteta është se pjesa nuk më pëlqeu aspak dhe pikërisht se i mungonte çështja esenciale. Skenën aty e dominojnë mikroborgjezët, ndjenjat mikroborgjeze të doktorit, të mësueses dhe djalit të tyre. Ata që personifikonin Partinë dhe masat dhe bënin moralin, dilnin nga errësira, dilte njëri skutave, fliste pak dhe zhdukej, pastaj dilte fliste një tjetër dhe gjithashtu largohej, kurse tre personazhet kryesore që loznin shumë mirë rolet përkatëse, qëndronin vazhdimisht në skenë ku çfaqnin ndjenjat e tyre mikroborgjeze…”, shkruan E. Hoxha në “Ditarin” e tij. Prej kësaj, ministrin e atëhershëm të Kulturës dhe Arsimit, Thoma Delianën, e dërgojnë bari, vetëm pse kish lejuar dhënien e shfaqjes”. Shfaqja ishte një tronditje jo vetëm për teatrin, por edhe për kulturën shqiptare. Ajo prekte e godiste jo vetëm dobësitë e sistemit, por njëkohësisht edhe në nivelin artistik ishte diçka e veçantë. Sillte elemente të reja në teatër. Ishin ato elemente, të cilat diktatura nuk i kishte pranuar dhe nuk i pranonte në art. Ndaj, ajo u tregua e ashpër ndaj kësaj shfaqjeje. “As Minushi dhe as unë nuk kishim qëllim rrëzimin e pushtetit. Kjo gjë nuk na shkonte në mendje. Ne flisnim që ky sistem të përmirësohej”, thotë Luarasi.
Minush Jero pikëpamjet e tij kundër sistemit, i kishte shfaqur më herët te drama “I pamposhturi”. Mbi Minush Jeron ranë të gjitha kritikat. Një nga gjërat më të fëlliqura të atij sistemi ishte kundërvënia e artistëve ndaj njëri-tjetrit. U kurdis që kolektiva të tëra në teatrin e Korçës, në teatrin “Aleksandër Moisiu”, në Teatrin Popullor të kritikonin dramën “Njollat e murrme”. Artistë me emër, hipokritë me regjimin, edhe pse në vetvete ishin të bindur se nuk kishte asgjë armiqësore kjo dramë, përkundrazi ishte e një nivel të lartë për kohën, e kritikuan, e njollosën dhe e shanë, përmbajtjen dhe autorin e saj, Minush Jero. Nuk kishin se ç’të bënin ndryshe, kishte filluar kosa e regjimit kundër artit dhe artistëve.
Pas kritikave dhe autokritikës, Minush Jero iu rikthye punës si mësues në shkollën e mesme “16 shtatori” në Shijak, por ai ende nuk e dinte se pak muaj më vonë, do të nisnin hetimet, dhe se në prill të 1973 ai do të arrestohej me akuzën për veprimtari armiqësore ndaj pushtetit popullor, e ca më tej Gjykata e Tiranës do t’i jepte dënimin me 10 vjet heqje lirie. “Puna e tij si mësues lë për të dëshiruar, mbasi ai është i preokupuar më tepër për krijimtarinë. Nuk është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, sepse nuk ka paraqitur kërkesë për të hyrë në radhët e saj”, thuhet në një informacion të I. Hoxhës drejtuar H. Kapos. Si dramaturg Minush Jero kishte shkruar deri atëherë nja 6 drama. Disa prej tyre ishin shfaqur ose botuar. Ndër to ka pasur pjesë të arritura, por edhe pjesë të dështuara për gabime të theksuara ideopolitike, siç ishte drama “Njollat e murrme”, “Historia e një nate me shi”, “I pamposhturi”, “Një natë e shkurtër qershori” etj. Kudo ku ishin vënë apo kishin tentuar t’i vinin në skenë dramat e tij, si në teatrin e Korçës, Durrësit, Gjirokastrës, etj, ato ishin ndaluar ose kritikuar për gabime të rënda ideologjike. Nga ana tjetër shtëpia botuese “Naim Frashëri” dhe revista “Teatër” i kishin botuar dramat e tij.
Në 30 prill 1973 Minush Hero u arrestua. Pas një gjyqi formal Gjykata, më 28 dhjetor 1973, e deklaroi fajtor dramaturgun Emin Jero për “krimin e agjitacionit dhe propagandës kundër pushtetit popullor” dhe e dënoi me 8 (tetë) vjet heqje të lirisë… Spartak Ngjela dëshmon për dramaturgun gjatë kohës së qëndrimit në burg: “Minush Jero ishte kartelisti i Kampit të Përqendrimit! dhe kartela ishte shenja e çdo të burgosuri që mbahej në evidencën e shtetit, për aq kohë sa ishte ende gjallë, sepse aty shkruhej gjithçka, derisa të vdisje apo të liroheshe nga burgu… Para se ta takoja në atë mjedis burgu e dija se ai ishte thyer në hetuesi dhe prandaj kishte implikuar shumë intelektualë nëpër dosjet e hetuesisë, por kjo nuk kishte shumë rëndësi për mua, sepse ndërkaq e dija se çfarë ishte në fakt hetuesia e Sigurimit të Shtetit, çfarë ishte izolimi i gjatë dhe hija e rëndë dhe e frikshme e eliminimit fizik.
Minush Jeros, një i akuzuar për veprimtari armiqësore kundër regjimit, kishte shkruar në fakt disa drama me vlerë për kohën, por nuk e kuptoja sesi një dramaturg të kishte një pendesë të këtij lloji dhe u mata disa herë që ta pyesja nëse kishte qenë i penduar edhe për ato që kishte shkruar. Por nuk e bëra këtë… Në fakt ai kishte marrë fund. Sartri kishte thënë që “ekzistenca përbën esencën”, e unë nuk kisha sesi t’i kërkoja llogari një individi, i cili ishte i zhytur i gjithi nën kthetrat e frikës, sepse mund të humbte ekzistencën.
Pasi bëri 6 vjet e 8 muaj burg, Minush Jero u lirua më 28 dhjetor të vitit 1978. Më pas punoi si punëtor i thjeshtë në një fabrikë gome në Durrës nga viti 1979 deri në 1987. Pasi fillon lëvizja demokratike në vitet 1990 ai themelon degën e Partisë Demokratike në Durrës dhe më pas hap sallonin e artit “Torra”. Pas viteve 90-të jeta e tij nuk qe e lehtë. U vetëdistancua dhe e distancuan dalëngadalë, pikërisht për shkak të “thyerjes” që pësoi në burg….Minush Jero ishte një dramaturg i talentuar, një talent që e shkatërroi diktatura komuniste. U nda nga jeta në 22 mars 2006. F.S.