Albspirit

Media/News/Publishing

Sot 90-vjetori i Gabriel García Márquez

 

 

Ja si e përshkruan vetë mjeshtri ditën e lindjes së tij, në librin me kujtime “Jeto për ta treguar”, Onufri, 2016

Pak kohë më vonë, gjyshi i priti në stacionin e trenit me një fjali që mbeti si suazë e artë e historikut të familjes: “Jam i gatshëm t’u jap të gjitha kënaqësitë e nevojshme”.

Gjyshja e rinovoi dhomën e fjetjes që gjer atëherë kishte qenë e saj dhe aty vendosi prindërit e mi.

Gjatë vitit, Gabriel Elihio hoqi dorë dikur nga zanati i tij i mirë i telegrafistit dhe ia kushtoi talentin e tij prej autodidakti një shkence në rënie: homeopatisë. Gjyshi, nga mirënjohja dhe nga brerja e ndërgjegjes, e rregulloi me autoritetet që rruga ku banonim në Arakataka të mbante atë emër që ka edhe sot: bulevardi Monsenjor Espeho.

Kësisoj, aty lindi i pari i shtatë djemve dhe katër vajzave, më 6 mars 1927, ditë e diel, në ora nëntë të mëngjesit dhe nën një rrebesh të rrëmbyer jashtëstinor, ndërsa qielli i yllësisë së Demit lartohej në horizont. Për pak sa nuk u mbyta nga shiriti kërthizor, sepse mamia e familjes, Santos Vijero, e humbi kontrollin e mjeshtërisë së vet mu në çastin më të papërshtatshëm. Po edhe më shumë e humbi teto Fransiska, që rendi gjer te dera e jashtme duke lëshuar ulurima prej rënieje zjarri:

– Djalë! Djalë! – Dhe fill paskëtaj, si t’i binte një burieje alarmi: – Rum, se po mbytet!

Familja mendon se rumi nuk është që ta pish për qejf, po për të fërkuar të sapolindurin që ta sjellësh në vete. Misia Juana de Frejtesi, që hyri në mënyrë providenciale në dhomën e fjetjes, më ka treguar sa e sa herë që rreziku më i madh nuk ishte shiriti kërthizor, por një pozicion i keq i nënës në shtrat.

Ajo e ndreqi në kohë, po nuk qe kollaj të më sillnin në vete, prandaj teto Fransiska më hodhi ujë pagëzimi urgjent. Duhej të quhesha Olegario, emri i shenjtit të asaj dite, po askush nuk e pati në duar kalendarin me ditët e shenjtorëve, kështu që më vunë shpejt e shpejt emrin e parë të babait pasuar nga emri Hose, i zdrukthtarit, ngaqë ai ishte pajtori i Arakatakës dhe ngaqë marsi ishte muaji i tij. Misia Huana de Frejtesi propozoi edhe një emër të tretë, në kujtim të paqes të përgjithshme që po arrihej midis familjeve dhe miqve me ardhjen time në botë, por në pagëzimin zyrtar që më bënë tre vjet me pas harruan të ma vinin: Gabriel Hose de la Konkordia.

Please follow and like us: