Zaev: Platforma shqiptare u bë në Maqedoni dhe jo në Tiranë
Kreu i Lidhjes Social-Demokrate të Maqedonisë, Zoran Zaev ka mbrojtur idenë e shprehur nga partitë shqiptare që të dënohet gjenocidi i ushtruar nga ana e Serbisë.
Në një intervistë për televizionin shtetëror kroat HRT, kryetari social-demokrat ka thënë se “nuk ka asgjë të gabuar që platforma përmban një formulim që i dënon ushtritë e shekullit të kaluar që vranë civilë”, përcjell konica.al
Pyetjeve të mediumit kroat mbi akuzat e VMRO-DPMNE për ‘dëmtim të Maqedonisë’, Zaev i është përgjigjur duke thënë se platforma është nënshkruar në Maqedoni dhe jo në Tiranë.
“Ata arsyetohen se kjo deklaratë është nënshkruar në Tiranë. Deklarata është bërë në Maqedoni si pjesë e programeve të tyre para-zgjedhore, por ato u mblodhën në Shqipëri, ku të gjitha partitë ishin mbledhur në një vend”, ka thënë ai.
Zaev ka shprehur bindjen se nuk pret dhunë dhe konflikte në situatën e re të krijuar.
“Jam i lumtur dhe krenar që e hoqëm regjimin nga pushteti me laps dhe votë. Nuk ka pse të derdhet gjak për rënien e regjimit”, ka deklaruar kreu i LSDM-së.