Flet e bija: Raportet e Eqerem Çabejt me Enver Hoxhën, pse i shpëtoi ndëshkimit
Brikena Çabej është e bija e babait. Njësoj si Eqeremi dikur, i cili çuditej me pritjet e përcjelljet e mëdha që i bënin në vende të ndryshme ku shkonte si i ftuar, edhe ajo sot nuk bëhet pjesë e ngjarjeve që do t’i jepnin vëmendje të madhe sepse nuk kupton arsyen. Dikur Eqerem Çabej bënte punën e tij, e bënte shumë mirë, mund ta bënte edhe më mirë në rrethana të tjera por kaq, asgjë e jashtëzakonshme përtej kësaj. Këtë mendon e bija e këtë mendonte ai për veten.
“Deri në momentet e fundit mendova se do të bëhej një takim, ku njerëzit do të flisnin për Eqeremin dhe unë do të isha mes tyre, por pastaj kuptova që do të më bëheshin mua pyetje për të”, thoshte gati e habitur Brikena Çabej, ende pa filluar intervista e radhës e takimeve “Letërsia dhe qyteti”, drejtuar nga gazetaret Alda Bardhyli dhe Beti Njuma. Sigurisht, askush nuk dyshon që Brikena ka për të treguar ngjarje pa fund për të atin, por ja që edhe ajo, edhe pse nuk e ka pasur babain në jetën e saj për shumë gjatë ka jetuar njësoj si ai, e tërhequr në punët saj.
Në vilën e dikurshme të së ëmës, sot Vila Çabej, e shumë shpejti një shtëpi kulture, Brikena rikthehet nëpër kujtime, na tregon Eqeremin që nga vitet e para kur u largua në Austri me bursë nga qyteti, shkollimin, takimin me të ëmën në Bibliotekën Kombëtare e deri në vitet e fundit të jetës së tij…
Jemi takuar të flasim nga kjo shtëpi, e cila ka qenë shtëpia e nënës suaj, por ku profesor Çabej qëndronte gjatë. Çfarë është kjo shtëpi për ju, çfarë ishte për profesor Çabejin?
Kjo është shtëpia e nënës sime. Këtu kanë jetuar gjyshërit e mi nga nëna, që nga fundi i viteve ’40. Për mua kjo ka qenë shtë- pia e gjyshërve, për tim atë ka qenë shtëpia e vjehrrit dhe e vjehrrës… Në një pjesë të vogël rrinin disa qiraxhinj dhe këtu, nga të gjitha familjet që kanë jetuar në këtë shtëpi, unë jam e fundit që kam mbetur sepse të tjerët nuk janë më. Në këtë dhomë ku jemi tani kanë ndodhur shumë ngjarje të familjes. Për mua, kjo është një shtëpi mistike që ka një lidhje vërtet shumë të thellë e të brendshme. Është shtëpia e ndjenjave, parandjenjave, kujtimeve të fëmijërisë.
Unë shpesh e quaj shtëpia Alef, sepse nuk e ekzagjeroj kur them që ka ngjarje në këtë shtëpi me ëndrra e gjithfarë gjërash sa bëhet shumë e ngjashme me atë shtëpinë që përshkruan Borgesi. Kjo shtëpi shpresoj t’i kushtohet kulturës dhe urojmë të kemi mbështetjen e duhur që ta kthejmë në shërbim të kulturës kombëtare, kryesisht për kërkimet albanologjike, por edhe gjithë tjetër ç’i duhet. Shpresoj që me ndihmën e të gjithëve t’ia dalim.
Si ishte të jetoje me Çabejin, me një baba që dashurinë më të madhe të tij kishte gjuhën shqipe?
Kjo është një pyetje shumë e madhe për mua sepse me siguri që do t’ju zhgënjej. Mbase ju doni që unë të them se ai ishte i tillë e i këtillë, por ai ishte një baba normal, si gjithë etërit tuaj, shumë i dashur, shumë mirëkuptues dhe natyrisht që asgjë nga madhështia për të cilën flasin nuk ndihej në jetën e përditshme, pasi ai ishte tepër modest. Ai kurrë nuk e ka jetuar këtë që thuhet, të qenit i madh. Ai ishte një njeri normal që punonte, kishte një punë të cilën e kishte edhe detyrë edhe pasion, dhe kjo ishte jeta e tij. Ai bënte gjithçka, si të tjerët për familjen e tij; shkonte në radhët e qumështit, pyeste si shkove në shkollë, e sata e klasës je, shkonte në mbledhje me prindërit, pra ato që bën çdo prind. Kështu që jeta me të ishte normale dhe s’kishte asnjë gjë të veçantë.
E vetmja gjë e veçantë ishte kur bisedonim për ndonjë libër dhe e kujtoj tani më bënte përshtypje që ai kishte kujtesë shumë të fortë. Kur unë fillova të lexoja veprat e mëdha, më kujtohet një libër i Tomas Man, isha shumë entuziaste si çdo i ri që zbulon botën e i duket sikur vetëm ai e ke zbuluar. Më bënte përshtypje që ai edhe pas më shumë se 40 vitesh që e kishte lexuar mbante mend emrat e personazheve apo ngjarjet, në hollësi… Megjithatë, kurrë as më imponohej e as më rekomandonte lexime. Unë i kam zbuluar gjërat përmes shokëve dhe shoqeve, si të gjithë.
Si ishte jeta e tij? Lindi në Gjirokastër…
Në të vërtetë nuk ka lindur në Gjirokastër. Kjo është një legjendë, të cilën ai ka dashur ta përhapë sepse në të vërtetë ka lindur në Eskisher, në Turqi. Ka ardhur 6 muajsh në Gjirokastër dhe atij nuk i pëlqente të thoshte që kishte lindur andej. Në dëftesat e shkollës vendlindja është Eskisher, por në çdo biografi ai quante, edhe psikologjikisht besoj, Gjirokastrën si vendlindjen e tij. Kurrë nuk e shkroi që kam lindur në Eskisher. Jam çuditur shumë, ndërsa po bëja një kërkim në “Wikipedia” për njerëzit e famshëm të Eskisherit ishte edhe Eqerem Çabej. E dinin ata, nuk e di se si, dhe e kanë përfshirë…
Studimet në Austri kanë qenë një moment i rëndësishëm. Aty u njoh me disa nga albanologët më të njohur, hodhi bazat e albanologjisë, krijoi miqësitë e rëndësishme…
Ai shkoi 9 vjeç në Austri për shkollën 8-vjeçare, në një qytet të vogël. Kam qenë dhe kam gjetur edhe shtëpinë ku ka jetuar. Babi thoshte gjithmonë se formimin e tij ia detyronte burrit të familjes që e mbajtën atje, në atë qytet. Më pas ndoqi gjimnazin, ndërsa vitin e parë të fakultetit e nisi në Grace. Në vitin 1929 ishte viti kur u njoh edhe me Poradecin, me të cilin u lidh shumë ngushtë. Për të ndjekur pjesën tjetër të studimeve u zhvendos në Vjenë. Por përpara se të kalonte në universitet, një vit, pothuajse e humbi sepse siç ishin kohët, familja kërkonte që t’i shkollonte fëmijët me një profesion që sillte para.
Gjyshi im kërkonte t’i bënte fëmijët juristë, mjekë, apo degë që jepnin bukë. Pastaj ndikimi Konicës, mbase i Lasgushit, pasioni për letërsinë, e bëri që të devijonte nga këshillat e babait që kërkonte të bëhej mjek. Kujtoni që atëherë fjala e babait nuk prishej. Ai u regjistrua 1 vit në Mjekësi dhe nuk ndoqi asnjë orë, por u regjistrua në Bibliotekën e Vatikanit dhe kalonte gjithë ditën duke studiuar atje.
Kur u kthye pas një viti në Gjirokastër i tha “Baba më vjen keq, por unë nuk e bëj dot atë”. Ai i tha “Këtë që të pëlqen ty e kuptoj se është shumë e bukur, por nuk është për sërën tonë, është për ata lordët anglezë, për pasanikët e mëdhenj, por megjithatë do të vuash gjithë jetën për bukën e gojës dhe kështu ndodhi vërtet sepse ai nuk mbyllte dot 15- ditshin.
Mbaroi doktoraturën shkëlqyeshëm. Përse refuzoi të qëndronte në Vjenë, ku profesorët kërkonin ta mbanin?
Jo se Çabej nuk donte, besoj do të ishte ëndërr për të, por ata ka qenë një brez tjetër, kanë pasuar një ndjenjë detyre dhe devotshmërie të jashtëzakonshme. Im atë kur shkoi në Austri shkoi me një bursë të qytetit të Gjirokastrës, i zgjedhur si nxënësi më i mirë i qytetit nga Bashkia e Gjirokastrës. Ishin vitet ’20 dhe Gjirokastra kishte vetëm shkollim 5-vjeçar, për të vijuar duhet të shkoje diku tjetër. Meqenëse kishte marrë bursë nga qyteti, ai mendonte se duhet të kthehej të lante borxhin vendit që i kishte dhënë bursë.
U kthye në moshën 25-vjeçare. Shërbeu gjithandej…
Puna e parë që bëri në Shqipëri ishte drejtor konvikti. Ka punuar edhe në Ministrinë e Arsimit, por nuk ndenji gjatë sepse nuk ishte në gjendje të zbatonte porositë. Shqipëria gjithmonë njësoj ka qenë, nuk ka ndryshuar shumë. Kur je në ministri do të vijnë porosi të llojit jepi një bursë atij, një këtij. Ai zbatonte detyrën… Në kohën e Zogut ka qenë shef i seksionit të arsimit dhe i thanë më shumë se një herë që duhet të jepte bursa. Mirëpo ai thoshte që duhet t’i merrnin ata që u takonin. Fondet e ministrisë i japin bursat me konkurs. Pas 3-4 rastesh të tilla refuzimi e çuan ushtar për 1 vit dhe bëri ushtri të vërtetë.
Të flasim pak për Çabejin në periudhën e komunizmit. Ai ka pasur një lloj rezistence, në mënyrën e tij.
Ai nuk është se ka bërë rezistencë, në të gjitha regjimet është sjellë njësoj. Kishte parimet e tij, por sigurisht kishte etikën profesionale dhe bindjet të cilat nuk i shkelte, dhe këto ka ndjekur në të gjitha sistemet. Nuk ishte njeri që bënte rezistencë, përkundrazi nuk i pëlqente të hapte konflikte. Ishte kundër zënkave, kundër sharjeve.
Si e sheh sot raportin që Çabej pati me shtetin, me komunizmin?
Ai s’kishte të bënte fare, ai jetonte sikur s’dinte çfarë ndodhte këtu. Bënte jetën e tij normale, hante mëngjesin, merrte qumështin, bënte çajin, shkonte në punë dhe nuk vinte në shtëpi me ato historitë e mbledhjeve. Tani që shoh korrespondencat e tij, ai vazhdonte të komunikonte me kolegë jashtë dhe bënte sikur s’i dinte gjërat. Pak sepse ishte i shkëputur nga realiteti, jetonte në botën e tij, por në momentin që e thërrisnin e i tërhiqnin vëmendjen për t’i thënë që kjo gjë nuk bëhet, ai nuk e bënte më. Bënte sikur nuk e dinte deri në momentin e fundit që e shihte se duhet të ndalej.
Cili ka qenë roli i Çabejit në Kongresin e Drejtshkrimit?
Mendoj që ka qenë një nga punët e shumta dhe besoj angari për të. Marrëdhënia e tij e punës, si për të gjithë, nuk ishe asnjëherë i lirë. Bënte punët që i ngarkoheshin. Edhe Buzukun ia kishin ngarkuar dhe pjesëmarrja në Kongres ka qenë punë themelore e Institutit të Gjuhësisë, jo e tij. Ai është përfshirë si dhjetëra të tjerë. Unë di që shumë nga mendimet e tij nëpër mbledhjet që janë bërë me këtë rast nuk janë marrë parasysh. Studimet për drejtshkrimin janë shtrirë në disa dekada dhe unë tani kur e shoh si ka qenë puna për rregullat e drejtshkrimit që ka filluar diku nga vitet ’50, kur shqipja letrare ishte ndryshe nga ajo e viteve ’70.
Çdo dekadë, gjuha letrare ndryshonte sipas imponimeve të regjimit. Në një mënyrë, edhe përpara se të sanksionohej në mbledhjen e famshme, drejtshkrimi ishte futur nëpër libra. Ai deri në fund nuk ka qenë dakord me disa gjëra dhe shpeshherë vinte nervoz… Nuk i thotë me hollësi ato që s’binte dakord, por thotë që ne duhet të mendojmë që rregullat që do të vendosim nuk janë për 2 milionë shqiptarë, por për 4 milionë shqiptarë, e kishte fjalën për Kosovën. Ai kishte shkencën në plan të parë dhe mundohej t’i bënte gjërat siç duheshin bërë. Kur nuk e linin, hiqte dorë. Vepra e tij është kaq e madhe, saqë ajo e botuar prej meje quhet vetëm një pjesë modeste. Është e pabesueshme se si një njeri pa ndihmës, pa kompjuter, pa asnjë lloj ndihme, ka arritur të bëjë atë punë. Mirëpo unë besoj që edhe kjo nuk është një zgjedhje e tij.
Studimet e historisë së gjuhës kanë qenë një kanalizim që i kanë dhënë për të shpëtuar nga gjërat e tjera, të cilat nuk i bënte dot. Ai ka menduar se ishte e vetmja fushë ku mund të punonte pa u ngatërruar me politikën. Po të shikosh bibliografinë e veprës, të cilën unë e kam parë mirë, deri në vitet ‘44 ai pothuajse nuk ka studime gjuhësore, përveç tezës së doktoratës. Të gjitha deri në atë moment kanë qenë për letërsinë dhe poezinë popullore, pra drejtimi ishte letrar. Pas ’44 besoj ka qenë i detyruar ta ndjekë këtë rrugë, sepse në letërsi ai e pa që e kishte të pamundur të punonte. Natyrisht që ishte edhe pasion i tij, por edhe i kushtëzuar.
Krahas studimeve, është libri më i veçantë i tij, “Sonetet”, të cilat i botove vetë disa vite më parë…
Ato s’mund të mos i botoja. Në fakt, historinë e tyre e kam shkruar në një pasthënie që më pas nuk e botova.
Si u njoh Çabej me bashkëshorten, Shyhretin?
Në Bibliotekën Kombëtare. Ai ishte nga ata burrat me namuz që nuk mund të fliste për kësi gjërash, por time më e kam pyetur dhe ajo më ka treguar që ajo punonte në Bibliotekën Kombëtare. Ajo ka qenë një nga komunistet e para, megjithëse vjen nga një prej familjeve borgjeze. Ka qenë në celulën e grave të para komuniste dhe ka qenë në mal ndoshta si partizania e parë fare, në mos jo e para, pa diskutim një nga 2-3 të parat. Ajo mjerisht u burgos në ’49, në një natë që arrestuan rreth 500 veta në Tiranë dhe më ka treguar për këtë Isuf Vrioni.
Mamanë e arrestuan shokët e vetë, bashkë me intelektualë të tjerë. Ndenji dy vite në hetuesi e mbasi doli prej andej nisi punë në bibliotekë sepse i thanë se ishte një gabim, por kurrë nuk ia hoqën atë njollë. Im atë e shikon, por duket se e kishte parë edhe përpara burgut. I kishte pëlqyer kjo vajzë besoj diku nga ’47, sepse mamaja më ka treguar gjithashtu për profesor Sotir Papakrisotin, mik i tim eti dhe mik i familjes së nënës time gjithashtu, kur e sheh që ka dalë nga burgu Çabej i kishte thënë Papakrisots “Mund të ma paraqisni?”. Kështu ai mundësoi një takim dhe e prezanton. Im atë i thotë “Qofshin të shkuara”.
E kishte fjalën për vitet e burgut. Ky ishte takimi i parë. “Sonetet” i ka shkruar po në atë kohë. Nëna më ka thënë që po, e përshëndesja, bisedonim ndonjëherë, por vetëm kaq. Kurrë nuk i shkonte në mendje që do të kishin diçka bashkë, sepse kishin 15 vite diferencë, ai kishte një emër dhe ajo ishte e bindur që ky ishte njeri i martuar. Pra, nuk mendonte se ishte duke kërkuar një shoqe.
Si ka qenë jeta e tyre?
Kur janë njohur, në ’49, nga “Sonetet” kuptoj që diku ka pasur ndonjë thyerjeje, në një moment, pastaj më pas janë martuar. Jeta e tyre ka qenë e vështirë, besoj, por edhe shumë e lumtur. Ime më në fund thoshte që 30 vjet me të më janë dukur si 30 ditë. Kaq e lidhur ka qenë me të, por kur e mendoj tani besoj që ka qenë e vështirë, pavarësisht që nuk ankoheshin. Në një mënyrë ai ka qenë edhe relativisht i qetë dhe i kënaqur, sepse bënte punën që donte.
Mund të kishte punuar shumë më mirë në kushte të tjera, por ai arrinte të kuptonte që kishte të tjerë që ishin më keq. Ai kishte miq të tij që nuk kishin pasur fund të mira. Mund të kishte qenë edhe ai si ata dhe ka qenë duke ikur në të vërtetë… Në vitet ’50 ka qenë në fije të perit. E kam dëgjuar prej të tjerëve, asnjëherë prej atij vetë. I fundit që më ka folur për këtë ka qenë Vedat Kokona, në Paris, i cili kishte qenë prezent në mbledhje dhe tha “U thanë fjalë që menduam se iku ky, po na mori edhe ne me vete. Kur u tha në mbledhje puna ‘antipatriotike’ e Çabejit, na shkoi gjaku në fund të këmbëve.
Mirëpo, atij që i pati thënë këto fjalë, mund ta them edhe emrin, ishte z.Shuteriqi, si duket iu tërhoq vërejtje, nuk pati fundin e të tjerëve. Aty për aty ai pati marrë një sinjal nga dikush tjetër në pozita më të larta se ai vetë dhe çështja u mbyll. Siç duket sinjali kaq ishte, trembini por jo më tej.
A ka shkruar për gjëra që e shqetësonin në ditarë?
Ai nuk ka mbajtur ditar. Madje, edhe kopje të letrave që niste nuk bënte. Është gjithçka që ka ardhur, por asgjë nga ato që ka nisur. Është një fotografi e Eqerem Çabejit, që duket sikur debaton me Enver Hoxhën. Nuk besoj që po debatonin, ka qenë bisedë. Ai nuk kishte njohje të madhe me të. Më ka treguar se e ka takuar vetëm një herë, 19 vjeç, kur shkonte në Gjirokastër për pushimet e shkollës. “Isha në një klub në Gjirokastër, ku mblidhej rinia. Shkova edhe unë të bisedoja se ç’do të bëja tjetër atje! Një ditë më afrohet një i ri që më thotë se quhej Enver Hoxha”.
Këtë më ka treguar dhe kur e pyes që si është e mundur që i kujtonte emrin më tha se e kishte fiksuar, sepse e pati pyetur për letërsinë si studiohej ajo në vend të huaj. Kjo i bëri përshtypje dhe i ishte ngulitur. Asnjë koment s’më bëri, më tregoi vetëm historinë. Besoj që ka qene fat i tij, pasi po ta kishte frekuentuar më shumë, gjatë luftës, nuk do të kishte shpëtuar. Më vonë ka ruajtur për tim atë ndoshta një lloj simpatie. Është shkuar në sitë shumë imët, çdo gjë që ka bërë dhe është mbajtur në vëzhgim për gjatë, por nuk pati fundin e të tjerëve.
Çabeji u nda nga jeta nga një sëmundje në moshën 72- vjeçare, në Itali. Si kanë qenë kohët e fundit?
Unë nuk kam qenë atje. E çuan jashtë, kishte një kancer në mushkri dhe kur e operuan i thanë se kishte edhe disa vite për të jetuar, por me sa duket parashikimi nuk ishte i saktë. Nuk arriti të kthehet nga Italia.
Një jetë e kaluar më shumë me kujtimin e babait, sesa me praninë e tij…
Unë nuk isha aq e vogël, kam qenë në vitin e fundit të studimeve. Sigurisht kur e mendoj them që e kisha shumë pak, por nga ana tjetër është gjithmonë me mua, sepse vërtet rinia dhe fëmijëria janë thelbësoret ato që e formojnë njeriun. Mua më duket sikur e kam takuar dje. Nuk besoj që koha ka ndonjë ndikim në marrëdhënie dashurie të këtij lloji. Mund të harrosh zërin në kohë të caktuara, por ato të vijnë prapë, pra është gjithmonë aty.