Albspirit

Media/News/Publishing

Koreja e Veriut i kërcënon të gjithë, SHBA monton sistemin raketor mbrojtës

Ushtria amerikane tha se ka nisur vendosjen e një sistemi të mbrojtjes raketore në Korenë e Jugut. Sistemi THAAD është projektuar për mbrojtje nga kërcënimet e Koresë së Veriut. Ky veprim vjen një ditë pasi Veriu ka lëshuar katër raketa balistike, duke thyer sanksionet ndërkombëtare.

“Veprimet e vazhdueshme provokuese nga Koreja e Veriut vetëm se konfirmojnë maturinë e vendimit tonë, vitin e kaluar, për të vendosur sistemin THAAD në Korenë e Jugut”, tha admirali Harry Harris, komandant i Komandës amerikane të Paqësorit.

Sistemi THAAD shkatërron raketa balistike, me rreze të shkurtër dhe të mesme veprimi, gjatë fluturimit.

Koreja e Veriut ka lëshuar të hënën katër raketa me rreze të mesme, tri prej të cilave kanë fluturuar rreth 1,000 kilometra dhe kanë zbarkuar në ujërat japonezë. Kryeministri i Japonisë, Shinzo Abe, tha se “vendi i tij nuk do t’i lejojë këto shkelje”.

Zëdhënësi i Pentagonit, Jeff Davis, tha se raketat nuk kanë paraqitur kërcënim për Amerikën Veriore, por SHBA do të ndërmarrë hapa për të rritur kapacitetin mbrojtës.
Diplomatë në Kombet e Bashkuara thanë se Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të mbajë të mërkurën një takim urgjent për të diskutuar veprimet e Koresë Veriore.
Në muajin janar, udhëheqësi verikorean, Kim Jong Un, ka thënë se vendi i tij do të ndërtojë dhe testojë së shpejti një raketë interkontinentale, me kapacitet për të arritur SHBA-në. Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se “kjo nuk do të ndodhë”.
Koreja e Jugut, në anën tjetër, tha se sistemi i mbrojtjes raketore do të jetë operacional deri në fund të vitit, por bateria THAAD nuk është shumë popullore në rajon.

Please follow and like us: