Shqiptarja “paketohet” brenda motorit për të shkuar ilegalisht në Britani
Mediat britanike shkruajnë një trafikant i qenieve njerëzore është burgosur për tre vjet, pasi është përpjekur të dërgojë në Britani një shqiptare, duke e fshehur në motorin e furgonit të tij.
Daily Mail ka publikuar fotot e shqiptares të fshehur brenda në motorin e mjetit, duke theksuar se fotografitë janë marrë nga forca kufitare britanike, të cilat tregojnë vendin e posaçëm ku ishte krijuar hapësira për të fshehur gruan.
Mjeti është ndaluar më 1 shkurt teksa po tentonte të kalonte nëpërmjet kanalit lidhës midis Francës dhe Britanisë.
Shoferi i mjetit, i dënuar tashmë është Nicolae Chirvas nga Moldavia, i cili ka dhënë deklarata kontradiktore për oficerët e policisë.
Paul Morgan, drejtor kufiri, ka deklaruar se kur oficerët dërguan furgonin për kontroll gjetën një pjesë të përshtatur për fshehjen e një personi.
“I gjithë motori ishte ulur dhe ishte krijuar një hapësirë e zbrazët. Aty prisnim të gjenim një rrotë rezervë, por zyrtarët në vend të saj gjetën një grua”, tha ai.
Ai shtoi se kjo është një mënyrë dëshpëruese që njerëzit përdorin për të kaluar kontrollet kufitare në Mbretërinë e Bashkuar.
Gruaja-shtoi ai- zbulua se është një shtetase shqiptare. Hetimet kanë zbuluar se gruaja kishte qëndruar brenda një hapësire të ngushtë prej 1 m e 75 cm.