Albspirit

Media/News/Publishing

Sondazhet, Schulz në epërsi ndaj Merkelit

Kancelarja gjermane Angela Merkel nuk do ta ketë të thjeshtë që të sigurojë një mandat të katërt nga zgjedhjet parlamentare të 24 shtatorit, teksa diçka e tillë konfirmohet edhe nga sondazhet, kur rivali i saj social-demokrat, Martin Schulz, ka regjistruar një rezultat më pozitiv.

Në projeksionet e realizuara nga prestigjozja gjermane BILD, qëndra e majtë do të fitonte 31.5% të votave nëse zgjedhjet do të zhvilloheshin në këtë fundjavë, ndërkohë që kristian-demokratët e Merkel së bashku me partinë simotër CSU-në, do të ndaleshin në 30.5% të votave.

Në këtë mënyrë, në rradhët e SPD-së janë rritur shpresat se kjo forcë politike mund të marrë në dorën frenat e ekzekutivit pas më shumë se 15 vitesh. Ish-Presidenti i Parlamentit Europian, Martin Schulz, i ka dhënë një frymë të re partisë me paraqitjen e kandidaturës së tij. Pavarësisht rezultatit që do të prodhojnë zgjedhjet, pritet që social-demokratët dhe CDU të bashkëpunojnë për një tjetër mandat, por në pikëpyetje mbetet lidershipi i këtij koalicioni.

Merkel ka patur një rënie të ndjeshme të popullaritetit kryesisht ndikuar nga aplikimi i politikës së dyerve të hapura për emigrantët. Në lidhje me këtë çështje, kancelarja ka patur kontestime të shpeshta edhe nga partnerët e koalicionit.

Vendin e tretë në sondazhin e realizuar nga BILD e zuri Alternativa për Gjermaninë, partia e ekstremit të djathtë e cila ka shfaqur qëndrime kundër strehimit të emigrantëve. Kjo forcë politike është ndalur në shifrën 11%. Krahasuar me disa muaj më parë, AFD ka shënuar rënie, pasi në sondazhet e mëhershme, partia e ekstremit të djathtë kishte arritur deri në 15%.

Please follow and like us: