Sonila Meço: Të mos çojmë në djall gjithkënd, si të përballemi me padrejtësinë
Nëse në këtë vendin tim e tëndin, pushtetari i ka lejuar vetes të sillet si të dojë, në emrin tim e tëndin, duke prodhuar një sistem ‘vetqëndro’, nuk di sesi duke vetqëndruar do mundemi ta zhbëjmë këtë ngërç të madh.
Më duhet ta përsëris, si në rastin e fjalës sime ne Çadrën e Lirisë, se nuk jam pjesë e asnjë logoje partiake, por nuk e pranoj dot tkurrjen e shpresës deri në atë pikë sa të çoj në djall gjithkënd.
Kudo ku ka plasaritje që mund ta ajrosin sistemin aktual, të kapjes së shtetit, asocialitetit të tij, mbylljes së garës do bëj çfarë ndjej se duhet bërë. Sepse sot të gjitha sistemet janë në rrezik, nga i pari tek i fundit, në prag të një rithemelimi që duhet t’i detyrojmë të na llogarisin kur e ndërtojnë.
Zgjidhet presidenti i ri për pak, kuvendi i ri, reformohet drejtësia, kushtetuta ndihet e trembur nga çdo përpjekje ndukjeje me e pa shkak, një qeveri e re do duhet të përballet me një ekonomi të lodhur, me sisteme jetike që lëngojnë, nga shëndetësia në arsim, ndaj nëse lejojmë që të shkohet sërish me idenë se dikush e di më mirë se ne do t’i shtojmë ditët status-quo-së për t’ja marrë jetës sonë.
Dhe në këtë botë të padrejtë e të pa lirë, e vetmja mënyrë për t’u përballur është të ndjejesh aq i lirë sa vetë ekzistenca jote të jetë një akt rebelimi. Ndaj isha dje ne Çadër, e sot firmos që Libra të ketë mundësi të garojë, pa qënë në asnjë rast anëtare.
Sepse profesioni im mbetet ai që më përkufizon. Nga mëngjesi në darkë. Dua thjesht t’i rebelohem status-quo-së që së fundmi pranoi edhe Departamenti Amerikan i Shtetit (instancë morale e gjithëpranuar shoqërore, në kohën kur nuk i besojmë asgjëje), çdo përpjekjeje për të na konsideruar qënie të dorës së dytë.
Sot firmosa për hapjen e garës zgjedhore për lëvizje të reja, nëse Libra do bindë a jo shqiptarët me platformën e saj, i takon ta dëshmojë ajo lëvizje. Unë sot i dhashë si qytetar një shkundje sistemit për t’u hapur nga mbyllja e frikshme vulosur nga vullnete të vjetra. Me emrin e ID-në time i kërkova KQZ-së të pranojë në garë një lëvizje, kudo ku status-quo-ja sfidohet do ta bëj.
Siç thosh Camu-ja, si një akt i pastër rebelimi, si njeri i lirë, ndaj një bote jo të lirë.