Veton Surroi: Udhëzime moralo-politike nga RTK-ja
Zëvendësdrejtori i Radiotelevizionit publik, një mediumi prej kohësh në shërbim të PDK-së, udhëzon se si duhet të bëhem i përshtatshëm
1.
Zëvendësdrejtorit të përgjithshëm të një institucioni publik nuk i pëlqeu mbrojtja që i bëra dr.Shefqet Krasniqit. Gjatë javës së kaluar kisha argumentuar se shteti, i cili po e akuzon imamin Krasniqi për nxitje të terrorizmit, duke e përdorur si argument kryesorin “interpretimin jotradicional të ajeteve kuranore”, nuk është një shtet shekullar demokratik. Se çka është interpretim i drejtë i ajeteve u përket dijetarëve islamë e jo Prokurorisë së Shtetit; në fakt vetëm në vende ku feja sundon mbi shtetin (pra teokraci) ekzistojnë institucione të shtetit që përkujdesen se çka bën e çka jo nga libri a librat e shenjtë.
Rrjedhimisht, mbrojtja ime e Shefqet Krasniqit qe mbrojtje e parimit; me dr. Shefqet Krasniqin na ndanë një botë e tërë mendimesh e vlerash, por na bashkon e drejta e tij si edhe e çdo individi për të mos qenë i nëpërkëmbur nga shteti. Në fund, mbrojtja e dr. Krasniqit nga një akuzë e paargumentuar, ose e argumentuar keq ishte në fakt mbrojtje e shtetit: shteti i Kosovës nuk guxon të përcaktojë se si do të lutet dikush, si do ta interpretojë Kuranin a Biblën a çka do që konsideron pjesë të besimit të vet. Nuk guxon të ndëshkojë të drejtën e shprehjes.
Por zëvendësdrejtorit të përgjithshëm të institucionit publik nuk i pëlqeu kjo dhe tha:
“Surroi është verbuar nga hakmarrja. Po të më thoshte dikush para një ose dy dekadash se një ditë Veton Surroi do i del krah, dikuj si ‘Mulla Shefqeti’, do e merrja si diçka që, thjeshtë nuk mund të ndodhë”.
2.
U përpoqa të kuptoja se çka nuk i kishte pëlqyer zëvendësdrejtorit të këtij institucioni publik, por sërish mora një përshkrim personal timin. Sipas zëvendësdrejtorit:
“Vërtetë për keqardhje ky lloj “rezonimi” i shtrirë në një këso rrëfenje politike me figura e figurëza pseudo-letrare e pseudo-juridike, ku nuk shihet gjë më shumë se edhe një autoportret i radhës, i një personi të helmuar e verbuar nga urrejtja dhe hakmarrja”.
Në fund ka shtuar se “kalbja është një si proces i natyrës se disa gjerave dhe të vetë njerëzve të të gjitha sojeve, në horizontin e kohës. Por, kjo është Tepër”.
Cilido zëvendësdrejtor i institucionit publik, i paguar nga tatimpaguesit kosovarë, besoj se duhej ta merrte këtë mund të deklarimit të vet për shkrimet e mia si pjesë të përgjegjësive publike. Në këtë rast ai duhet të ketë konsideruar si pjesë të obligimeve të veta, për çka paguhet nga paraja publike, që t’i shpjegojë publikut se kur unë shkruaj se shteti i Kosovës nuk ka pse të merret juridikisht me mënyrën se si i ka interpretuar ai ajetet kuranore, këtë e bëj, sepse jam një person i “helmuar e verbuar nga urrejtja dhe hakmarrja”.
Rrjedhimisht, çfarëdo argumenti që parashtroj unë është i skualifikueshëm – njeriu i helmuar dhe i verbuar e ka të pamundur t’i përmbahet arsyes.
3.
Deklarimi i zëvendësdrejtorit të një institucioni publik ka peshë, për më tepër kur institucioni publik është Radiotelevizioni i Kosovës, pra një medium i rëndësishëm. Në këtë medium ka dhjetë vjet që censurohet prania ime (në kronika, ftesë për intervistë e të ngjashme), ndonëse është i financuar me para publike dhe do të duhej të ishte në shërbim të po atij publiku. Por, meqë zëvendësdrejtori i këtij institucioni shpall se jam i “helmuar e verbuar nga urrejtja dhe hakmarrja” me gjasë më jepet një udhëzim që qëndrimet e mia duhet t’i përshtaten kutit moral të institucionit të zëvendësdrejtorit. Dhe që publiku të mbrohet prej helmimit dhe verbërimit tim.
Dhe meqë RTK-ja në masë të madhe ka përfaqësuar besimin politik dhe moral të Partisë Demokratike të Kosovës, atëbotë deklarimi i zëvendësdrejtorit ka rëndësi edhe më të madhe për mua. Përderisa do të jem “i helmuar dhe i verbuar nga urrejtja dhe hakmarrja” do të kem trajtim të njëjtë nga institucionet e kapura nga strukturat e PDK-së.
Porosi e pranuar!
4.
Gjërat megjithatë do të ndryshojnë. Kam përcjellë në pakthim RTP-në e administruar nga guvernatorët e Beogradit dhe RTS-në, prej nga po ashtu më jepeshin udhëzime për të ndryshuar qëndrimet “moralo-politike”. Besoj që mund të mësojnë ndonjë gjë institucionet e kapura: ato nuk do të mundë të jenë të tilla kur të shembet sistemi i tanishëm i kapjes së shtetit. Dhe do të ketë akuza nga më të këqijat ndaj drejtuesve të këtyre institucioneve-shumica prej tyre të bazuara-prej vjedhjes së parasë publike deri te nënshtrimi strukturave të krimit politik. Por, kur zëvendësdrejtorin e tanishëm të institucionit publik ta akuzojnë për nxitje terrorizmi, me argumentin se lajmet e mbrëmjes, apo kënga “Molla me sherbet” shtyn një të ri të ndërmarrë veprime terroriste, do të shkruaj në mbrojtje të tij.
Sepse, ka një botë vlerash e mendimesh që na ndajnë, por na bashkon e drejta e tij që dinjiteti njerëzor të mos i nëpërkëmbet nga përndjekja e padrejtë e shtetit.