Albspirit

Media/News/Publishing

8 Marsin tim ua kam falur burrave!

Jonida Salku

Desha ta mbaj për vete, por ishte e pamundur të gjeja 1 sekondë kohë për të. Dola në mëngjes dhe nuk ndryshoi asgjë në rrugë: asnjë burrë nuk e mbajti korsinë e tij, të gjithë parakaluan nga e djathta, pastaj ma prenë rrugën skiç. Mandej, më këmbë, prita jeshilen të kaloj udhëkryqin, taksisti desh më shtroi mbi asfalt. Pastaj ngriti dorën si për të kërkuar falje. Nuk e shava. S’kisha kohë. Edhe atë sekondë ia fala atij.

Renda qorrazi të kapja ashensorin hapur, për të kursyer sekondat e pritjes së ashensorit tjetër, por burri i kollarisur që ishte brenda, e mbylli pa pikën e respektit. S’ka gjë. Ia fala. Prita sekondën time për t’u ngjitur në zyrë, se 8 Marsi im s’mund të jetë pushim. Burrat shefa e kolegë s’bëjnë dot pa mua, femrën. S’bëjnë dot ore, jo! Me shumë qejf do rehatoheshin në shah pa mua në atë sekondën e pushimit, por atë sekondën e punës, përkushtimit, ma vunë mua mbi shpatulla. Ua fala. Në një tjetër zyrë ku duhet të merrja shkresa prita gati 40 minuta derisa erdhi nga kafeneja burri që e drejtonte. Gjithë ato minuta të falura një burri…

Nejse. Rruga e kthimit në zyrë më bën të kaloj tek çadra e protestës. Në mikrofon fliste për femrat kryetari burrë. Pastaj një tjetër burrë, një tjetër, një tjetër… Nuk pata kohë të prisja gjersa të fliste një grua. Nuk më dhanë kohë burrat as të protestoja. Mjaft sekonda ikën të falura. Në atë anima, kthej kokën nga dritarja e Kryeministrit. Jo more, nuk ishte aty. Eh dreq o punë! Të paktën t’ia kisha bërë me gisht. Po lëre aman. Ç’të shfrysh kundër një burri që gratë ose i vesh si këpucë, ose i shkel si këpucë. Këtij as në varr s’ia fal asnjë sekondë!

Dhe rikthehem para kompjuterit. Pauzë. Hap fejsbukun të shoh ç’bëhet kësaj dynjaje. O nënë, moj nënë! A mund të mbajë kjo botë kaq shumë hipokrizi përsipër? Mirë gratë, që demede u shkojnë kësi “qokash” ndaj nënave e ndaj njëra-tjetrës. Po burrat ç’duan sot që i urojnë gratë? Është si t’i puthësh mbi mavinë e të rrahurës. Burrat! Këta, të njëjtët që na bëjnë përditë inferiore! Ndala së lexuari statuset e dedikimet e tyre vjellandjellëse, se më kishin ngrënë shumë, po shumë minuta prej kohës së 8 Marsit tim. Ua fala ama.

Në të mbyllur të punës takoj miken më të mirë, për të gjitha shkaqet dhe dashurinë e botës, veçse për 8 Mars jo. Ne të dyja nuk presim këtë datë për të ndenjur bashkë. Ndër gjithë bisedat e botës që qarkullojnë mes nesh, më thotë edhe një herë, si shumë herë të tjera, me gjithë dashamirësinë e saj, se u dashka që unë t’i botoj ato poezi apo shkrime që më kanë mbetur pa botuar, që ta bëkam dhe një kurs tjetër, që ta ndërmerrkam një ëndërr që aftësitë e mija e realizokan shumë kollaj edhe pa lekë, etj. etj. Dhe përgjigjja ime si gjithmonë është: “Zogë e dashur, po ai filan burri nuk do t’ia dijë për aftësitë e mija për të realizuar ëndrrat apo projektet. As ai filani tjetër. Ata filenër keqkuptojnë si gjithmonë të folurën time të çiltër dhe të lypin një send që ti e di…” Pra, më rroftë mikja! Bisedën tonë prapë e konsumuan burrat! Falë iu qofshin edhe ato minuta.

Ah, se desh harrova. Më ndodhi edhe diçka e bukur (ose e shëmtuar) sot pas gjithë këtyre. Një burrë më dedikoi një poezi. Krejtësisht për mua. Fjalë të zbritura prej qiellit të shtatë. Një mrekulli! Për momentin harrova gjithçka. Por… U kujtova shpejt. Poezia dhe dedikimi vërtet ishte i bukur, por llogaria rëndonte mbi mua. Burri, burri ishte problemi. Ai nuk ishte burri i duhur. Burri i duhur as “përshëndetje” s’ka denjuar të më thotë këtë 8 Mars. Ai ishte burri i një tjetër të gjore, që përpiqej me poezi të kërkonte diçka prej meje. Dhe unë ia fala. I fala minuta të tëra, në përpëlitje për ta shmangur tutje me edukatë. Pra, i dhjeva me edukatë mbi poezi.

Dhe do të shkoj në shtëpi. Gruaja që më lindi e ka të rrënjosur në kokë idenë se 8 Marsi është festë. Nuk ka për t’ju shkulur ndonjëherë nga koka. Do shkoj të ha darkë në shtëpi, me të dhe me motrat e mija. E di që ajo ka gatuar. Ne bijat do ta shtrojmë. Dhe… (Më lini aman të tregohem e keqe deri në pikën e fundit!) Dhe… Ai që del i fituar nga kjo darkë 8 Marsi, është burri i shtëpisë, babi.

8 Marsi im është i burrave. Nuk e di nëse juaji, o gra, është i njëjtë me 8 Marsin tim. Por s’më bën asnjë ndryshim. Unë ua kam falur burrave. Edhe këtë gjë me inferioritet e them. Se s’dua të them që ma kanë vjedhur!
Gëzuar 8 Marsin, burra!

Please follow and like us: