Ardhja e Gorbaçovit në Tiranë, si e pritën vetëm dy veta
Shpëtim Nazarko
A ke dëshirë të ftosh në Tiranë Anatoli Karpovin? Apo vetë Mihail Gorbaçovin?
Jemi ulur te «Sofra e ariut», në Tiranë dhe Presidenti i Federatës Botërore të Shahut, Iluzhminov, që ka fytyrën tipike të mongolit, po mundohet të më bëjë qejfin. I intereson të bëjë kampionatin botëror individual të shahut për femra në Tiranë dhe e di që kam njëfarë influence në këtë vendim, ngaqë e njoh presidentin e federatës sonë… Anatoli Karpov, bashkë me Hose Raul Kapablankën, janë për mua idhujt më të mëdhenj në fushën e shahut. Librin e Kapës e kam mbajtur kohë të tëra në shkollë nën jastëk dhe shpesh, kur jam i trishtuar, i drejtohem atij. Librin e Karpovit ma ka sjellë Ed Rama dikur në Lushnjë. E kopjova të gjithin me dorë ngaqë nuk të lejonin ta mbaje për kohë të gjatë… Dua t’i ftoj të dy,- i thashë Presidentit, i cili, pa e zgjatur, propozon si fillim Karpovin. Gjeniu i madh i shahut, që sot, mësa di, ka një funksion të lartë edhe në Dumën ruse, nuk mundi të vinte dhe më duhej ta takoja tre muaj më vonë në Olimpiadën Botërore të Shahut në Norvegji…
Mbetej Gorbaçovi.
I thashë në telefon duke qeshur se na e kishte borxh të vinte në vendin apo «dominonë e fundit» që ra nga koha e komunizimit. Gorbaçovi qesh, e, po ashtu, thotë se nuk mund të vijë në një vend që i ka rrëmbyer dikur çupat e bukura ruse… Nuk kisha lindur ende dhe nuk mbaj ndonjë përgjegjësi për to, ndërsa tani jam ca si plak për të bërë zarare, – u përgjigja, po duke qeshur. Plaku i vjetër që është dhe presidenti i shahut në shkolla për gjithë botën, duket se e ka këtë ofiq të ri dhuratë nga Iluzhminovi, apo, ndoshta, një kthim nderi prej këtij të fundit. Gorbaçovi e bëri atë deputet të BRSS aty nga fundi i karrierës. Siç më thanë pak më vonë, kthimi i nderit ishte gjë e rëndësishme në një plan tjetër për Gorbaçovin, i cili rron me vështirësi dhe me të ardhura shumë modeste…Plaku më tha që do të vinte, por ndoshta në fundin e kampionatit botëror. Kishte bërë operacion në sy dhe mjekët ia kishin ndaluar fluturimin për disa ditë.
Ardhja dhe pritja komike
Gorbaçovin nuk e pret njeri në aeroport nga shteti. Njeriu që theu komunizimin, në fakt, është i padëshirueshëm nga palët, pavarësisht se nuk e thonë zyrtarisht këtë gjë… Në Gjermani, megjithatë, kam vënë re që e trajtojnë me respekt dhe këtë, ndoshta në Shqipëri, do të duhet ta bënin ca më shumë. I thashë Berishës dhe Ramës (që në atë kohë ishte vetëm krytar i PS-së)… Interesimi ishte i vakët, por kishte dhe arsye praktike. Unë isha i padëshirueshëm, në këto lloj pritjesh, për të djathtët. Sponsori kryesor i udhëtimit dhe presidenti i federatës, Rezart Taci, ishte interesant për të djathtët për paratë që u jepte apo ia merrnin. Dhe gjysmë i padëshirueshëm për të majtët… Punë dreqi. Berisha i dha një drekë private, më thanë më vonë, e cila për pak u njoftua në shtyp, por vetëm kaq. Po gjithsesi, në aeroportin e Rinasit, Gorbaçovin e famshëm, e prisnin vetëm dy njerëz…Plakut të vjetër, që dikur kishte në dorë dhjetë mijë testata nukleare me të cilat mund të zhdukej planeti në pak sekonda, nuk i bën përshtypje kjo indiferencë. Mendova që e kishte humbur fillin, kur pas disa minutash në tavolinën e Rinasit, tha diçka që nuk kishte lidhje, të paktën me personat që e pritën…
-U thashë amerikanëve që kjo nuk punë nuk zgjidhej kështu… Duheshin bërë gjërat bashkërisht… I bënë vetëm dhe, ja, tani le të korrin çfarë kanë mbjellë…
Po llogarisja me mend se duhet të ishte i lodhur. Jo vetëm udhëtimi me çarter nga Moska, por dhe diferencat në kohë me orën tonë, duhej ta kishin bërë të vetën…
Pastaj m’u kujtua plaku Balzak, që thotë se edhe mbretërit nuk i lënë vetëm për vetëm më shumë se pesëmbëdhjetë minuta audiencë me dikë, sepse tregojnë sekretet e shtetit…
Ndoshta Gorbaçovi ishte brenda profesionit të tij dhe nuk po na sqaronte neve. Diku kam lexuar se ish-presidenti i Izraelit, që kishte udhëtuar me Ajnshtajnin në një vapor për ditë të tëra, u ankohej miqve të tij për takimin. -Ai nuk është mirë nga trutë, – tha për Ajnshtajnin. – Më foli pesë orë për Teorinë e Relativitetit , derisa unë u binda që ai e kishte kuptuar.
Më duket se kjo duhej të ishte e vërteta. Plaku nuk kishte punë me ne, por me veten e tij. Për këtë më bindi fare pak më pas. Ca minuta më vonë, duke pirë ujin «Lajthiza», bëri një vërejtje të hollë për të. -Është ujë mali,- tha. – Duhet të jetë nga lartësi mbi njëmijë metra.
Kur në darkë, po prapë te «Strofa e arirut», pas një interviste që thuajse e la përgjysmë në televizion, nga lodhja e madhe, e po ankohej për shëndetin, i thashë:
-Kot e ke këtë merak (në fakt, i ka kaluar të 80-tat dhe ka bërë nja katër bypass-e ).
-Pse mendon kështu?- thotë.
-Sepse me vërejtjen mbi ujin që pive në mëngjes, tregon që ende ke shqisa të forta të ndijimit, siç i kanë dhe kafshët, çka do të thotë se do jetosh gjatë.
Në fakt, plaku po jeton akoma dhe herëpashere bën edhe komente politike.
Po ndryshe nga ato që bënte kur e takova kohë më parë, kur dukej qartë se kishte një ndjenjë sa bezdie aq edhe frike nga Putini, i cili e ka izoluar dhe e mban nën vëzhgim, së fundmi është pro qëndrimeve të shefit të Kremlinit. Në aeroport po më ngjante me ata pleqtë e frikësuar që kanë frikë se mos u marrin diçka dhe shohin andej-këtej se mos po i përgjon njeri. Kur ia thashë ketë përshtypje Kadaresë, nja dy ditë më vonë, më tha që kjo duhej shkruar.
Është ende vërtet i fortë. Në darkë, te «Sofra e ariut», vazhdon të pijë një koktejl të tmerrshëm, birrë dhe vodka, për tri orë rresht. Dhe, po për tri orë, këndon thuajse pa pushim dhe solo. – Kështu jemi ne rusët,- thotë- pimë, bëjmë dashuri dhe këndojmë…
Të nesërmen e kthimit
Megjithëse janë ditët e fundit të nëntorit, është shumë ngrohtë ende. Plaku, që nuk ka ndonjë kohë të saktë kthimi për avionin, pasi ky i fundit është në dispozicion të tij, nuk ka qejf të ngrihet. I duket ngrohtë shumë dhe duke i kthyer kurrizin diellit thotë:
-Njëzet e pesë vjet më parë si sot, mora detyrën në Kremlin. Dhe ishte shumë-shumë gradë nën zero…
-Po njëzet e pesë vjet më parë,- i them dhe unë- po të shihja në një qafë mali andej nga Çika e Vlorës, ku kërkonim naftë. Si me biografi të nxirë, nuk më lejohej të hyja në zyrë, ku televizori po të komentonte nëpërmjet dy analistëve, njëri nga lindja e tjetri nga perëndimi. Të dy kishin idenë se të duheshin nja pesë vjet që të merrje realisht frenat në dorë apo të të bindeshin të tëra sustat e sistemit… Në fakt, pas disa vjetësh kishte mbaruar gjithçka dhe sistemi ra i gjithi, bashkë me ty…
Gorbaçovi nuk komenton gjatë për këtë. M’u duk se mund të fillonte prapë me atë idenë se ia kishin hedhur amerikanët etj., etj.
Nuk i thashë gjë…
Në Gjermani, ku isha ca kohë refugjat, pas 90-s, dhe po ndiqja fatin e tij, m’u duk se e kishte improvizuar vetë «grushtin e shtetit». Nuk më dukej çudi e madhe. Pararardhësit e tij nga Ivani i tmerrshëm e deri te Stalini në luftën e dytë, kishin improvizuar shaka të tilla për rifitim të pozicioneve të humbura…
Kufizohem t’i them se e hodhi në erë administrata e tij komuniste që, po ashtu si te ne në Shqipëri, e ndjente që kishte humbur njëherë e mirë privilegjet e sistemit.
Ajo të lë vetëm kur nuk i hyn më në punë dhe t’i bën pluhur e hi të tëra ëndrrat.
Po ndoshta plaku ka të drejtë… Megjithëse perëndimi po e lëvdonte si demokrat, në thelb e kishte frikë këtë që ai po bënte. Rusia po i flakte gjithë skllevërit e lindjes komuniste, që dikur i kishte shfrytëzuar e tani duhej t’i mbante me bukë se ata nuk punonin më…
Pa ata, Rusia mund të bëhej vërtet më e fuqishme. Dispononte tërë pasuritë e botës dhe zmadhimi i territoreve ishte pa vlerë… Në realitet, shumë prej ish-republikave që i kërkuan pavarësinë, u rihodhën përsëri në gjunjët e Jelcinit, pak kohë pas shkëputjes nga BRSS. Rusia kishte gazin dhe naftën, grurin dhe pyjet, etj. Pasardhësi i tij i sotëm e ndjen këtë lloj epërsie. Por, po aq i paaftë si gjithë soji i vjetër i ish-komunistëve të paaftë në ekonomi dhe brenda zanatit të vjetër të ish-spiunit, ka zënë e mendon prapë për territore…
Nuk mund t’ia shpjegoj apo ta bezdis Gorbaçovin me këtë mendim, me rusishten time që është e pamjaftueshme për t’u futur në lojën konceptuale.
Gorbaçovi fillon të flasë për letërsinë dhe për politikanët e vendit tonë… Nuk e njihte politikën tonë të vjetër ashtu si mendohet këtu. Nuk e njihte as Ramiz Alinë, por diku thotë se e shoqja kishte në kurs shqiptarë dhe përmendi, më duket, njëfarë Enver Halili, në mos gaboj, të cilin e kishte njohur në këto kurse.
Pason njëfarë heshtje dhe Iluzhminovi i thotë:
– Shpëtimi, zoti President, është çmendur përfundimisht. Kërkon ta lidhësh me ca mjeshtra të fizikës për ta ndihmuar… A do e ftosh në Moskë që t’i takojë atje? Gorbaçovi më sheh i menduar kur i shpjegoj se çfarë kërkoj dhe thotë:
– Lagunini, që ishte mik i vjetër dhe rektori i universitetit shtetëror, ka vdekur disa muaj më parë nga zemra… Ai kishte bindje analoge me të tuat… Po mund të vish e të më takosh.
Po pastaj shton i menduar: – Nëse më kap vërtet në Moskë…
-Përse nuk të kap nëse vij? – i them (dhe vërtet, shkoj pas disa kohësh në Moskë dhe e takoj).
-Po, ja, më shëtisin andej-këndej,- thotë duke qeshur me trishtim… -Si nëpër ekspozita. (Tha edhe ca gjera të tjera që nuk dua t’i shkruaj këtu, sepse, më shumë se të trishtojnë, nuk bëjnë gjë tjetër).
Mund të them vetëm se ajo që shtoi për këtë temë më kujtoi një letër që Ajnshtajni ia dërgonte mikut të tij të rinisë, Sollovinit, që e kish përkthyesin e tij deri në vdekje.
“Këtu në Amerikë,- thoshte- jeta është si në Evropë. Duhet të punosh shumë që mos të të arrijë varfëria… Mua ende më respektojnë, po vetëm si një eksponat të vjetër muzeu që ua tregojnë të tjerëve. Ende mund të mendoj, por aftësia për punë më ka rënë… Dhe, tek e fundit, nuk është kaq keq të vdesësh.
Është fati i individëve të mëdhenj a të vegjël. Dikur pas 90-s, çova në kopështin e shtëpisë, te dy prindërit e mi të moshuar, një ish-koleg të Gorbaçovit, Ramiz Alinë. -Ky njeri ju ka marrë më qafë për shkollën e djemve tuaj – u thashë. -Ju i shkruanit letra pa pushim, por ky nuk përgjigjej. Ja ku e keni, vriteni… – dhe qesha.
Pleqtë e shihnin me çudi. Por pas nja dhjetë minutash gjithçka ishte zgjidhur; ime më i mbështolli gjysmë kile raki Skrapari, që ta pinte meqë ishte sëmurë nga zemra.
Punë fatesh njerëzore!
E përcjell përsëri në vetmi Gorbaçovin, duke kujtuar edhe një herë atë grykën e Malit të Çikës, ku nga dera gjysmë e hapur dëgjoj komentatorët që flasin për sunduesin e ri të gjysmës së botës.