Helena Kadare: Edhe në Paris jetoj me Tiranën
Sa herë kam ardhur në Paris gjithmonë kam menduar se çfarë jeni duke bërë ju të dy, Ismaili dhe ju. Si është dita e Helenës këtu?
Helena Kadare: Është një ditë e zakonshme e mbushur më shumë angazhime. Kryesisht gjera që lidhen me Ismailin. Mëngjesi fillon, për secilin veç e veç, në leximin në internet të lajmeve që vijnë nga Shqipëria. Kam kujdes që, se paku, orët e para të ditës të kalojnë pa i komentuar ato, e sidomos gjatë ngrënies së mëngjesit. Një fjalë goje! I them Is: Le të hamë një mëngjes në qetësi dhe pa lajme… Kemi rënë dakord për këtë por në të vërtet nuk ndodh asnjëherë kështu. Sepse, siç e dini fort mirë edhe ju që vini prej andej, nuk ka ditë që të mos ndodhe diçka atje. Herë e mirë, herë e keqe, më së shumti kjo e fundit. Si të gjithë bashkëkombësit tanë, kudo që janë, duam që atje punët të shkojnë mbarë, që synimi i politikave të jetë çuarja e Shqipërisë në Europë, që ajo të bëhet një vend normal, që të ketë shtet ligjor, me pak sherre dhe mospajtime dhe që ky vendi ynë të hyjë, më në fund, në gjirin e Europës, të përparojë e të begatohet si gjithë vendet e tjera të kësaj zone të botës.
Çfarë nuk ju pëlqen konkretisht? Një gjë qe ju trishton kur e dëgjoni nga Shqipëria?
Helena Kadare: Kam bindjen se shumica e shqiptarëve e duan me gjithë shpirt rikthimin e kombit tonë në Europë, pas 500 vjetësh të shkëputur nga otomanet dhe dyzet vjet nga komunizmi. Mirëpo gjërat që ndodhin atje të prishin gjakun. Një pjesë e veprimeve të politikanëve tregojnë se jo të gjithë e duan një gjë të tillë.
Po a ka figura në politikë që ju pëlqejnë? Që i ndiqni me vëmendje dhe thoni: Po, ky po e bën punën e tij. Ky është një njeri-politikan i mirë për Shqipërinë.
Helena Kadare: Po sigurisht që ka. Ka të tillë, pa dyshim. Ka madje shumë djem dhe vajza të tjerë të talentuar, që nuk bëjnë pjesë në politikë, por që janë të zot për një punë të tille. Lidhur me këtë, po të tregoj një kuriozitet. Para ca ditëve mori në telefon një gazetar amerikan qe kërkonte një intervistë me Is. Dhe bëmë pak muhabet mbasi ai dinte ca frëngjisht. E dini ç’më tha? Në Amerikë shqiptarët e arsimuar që kanë ardhur këtu, bëjnë një përshtypje të jashtëzakonshme. Janë të dijshëm, shumë të zot, dinë rrjedhshëm nga tri gjuhë të huaja, që i përdorin pa problem, gjë që nuk është aq e lehtë për një amerikan. Shqiptarët e tillë janë shumë të mirëpritur në Amerikë. Unë vetë kam qenë në Shqipëri dhe jam mahnitur nga bukuria e këtij vendi. Dhe kam pyetur veten, përse ky vend me këto kapacitete njerëzore, me këtë natyrë e klimë të mrekullueshme, nuk arrin ta ngrejë kokën, ka përherë probleme, nuk ecën përpara, ashtu siç do të ishte dashur të ecte… Për të vijuar pyetjen tuaj. Po, i ndjek me vëmendje ngjarjet e vendit tim nëpërmjet shtypit, rubrikave televizive, kontakteve të shumta që kam në Shqipëri. S’do mend, entuziazmohem kur punët shkojnë mirë, kur shoh e dëgjoj djem dhe gra të mençura, që i kanë idetë të qarta, që përdorin logjiken dhe jo militantizmin e radhës, dhe sidomos që dinë të ruajnë etiken e të folurit. Ndoshta të duket si pa rendësi kjo e fundit, por më beso, tek njerëzit që jetojnë aty, që janë të lodhur nga sherret dhe demagogjia agresive, kjo mënyrë të foluri ka një efekt jashtëzakonisht negativ. I përmbahem mendimit se me urrejtje bëhen shumë gjera, akoma me shumë behën me dashuri. Nga miq e të njohur që kam atje, kuptoj se të gjithë e duan, e vlerësojnë dhe e presin këtë gjë. Ata për të cilët po flas, janë njerëz pa poste, janë intelektualë të mirëfilltë apo njerëz të thjeshtë, por që aspirojnë për një jetë normale, pa grindje dhe pa fyerje. Madje dëgjoj prej tyre që shpesh e mbyllin fare televizorin, aq e padurueshme iu bëhet gjuha e dhunshme që sundon atje. Është e mundur që politikanët tanë të mos ta kuptojnë një gjë të tillë? Që të bëjnë një përpjekje të përbashkët për t’u marrë vesh normalisht? Më ka rënë rasti të dëgjoj, në një darkë miqësore një grua, që s’ishte aspak budallaqe, madje dhe e bukur, do të shtoja, që këmbëngulte: Epo ashtu e do politika. Ndryshe nuk ia del dot ! Mbeta pa fjalë…
Çfarë ju bën veçanërisht përshtypje atje?
Helena Kadare: Mira, unë iu përkas njerëzve pozitiviste dhe përgjithësisht kërkoj të gjej të mirën edhe atje ku nganjëherë ajo s’ekziston. Mundohem ta largoj nga mendja të keqen, por jo gjithnjë ia arrij. Ku ta dish, ndoshta ngaqë s’jam në politikë… Ndoshta në atë terren, optika e të parit është ndryshe. Ndaj më pëlqejnë ato vajza dhe ata djem të përgatitur, që kërkojnë t’u japin një drejtim pozitiv gjërave, siç më dëshpërojnë tipat negativiste, që me dashje, do të thoshja, shikojnë zi ngado, aspirojnë kaosin dhe, me sa duket, (madje shpesh është aq e dukshme) i ngazëllen kjo kahje negative e të parit të gjërave. Sot pashë ne lajme që u përurua një ujësjellës i ri për Tiranën, pastaj dikush tjetër që i kundërvihet Shteteve të Bashkuara, me një mllef të pazakontë. Se cilin nga këto lajme unë parapëlqej është e thjeshtë ta kuptosh. Atë që ndërton ujësjellësin, pa dyshim.
Ambasadori amerikan Donald Lu ju duket simpatik apo edhe tip që po e tepron disi?
Helena Kadare: Çfarë pyetje! Po natyrisht jam katërciperisht dakord me vëmendjen që tregon Amerika ndaj nesh e që transmetohet nëpërmjet qëndrimeve të ambasadorit Lu. Madje e quaj fat të madh për vendin tim që ky ambasador, që përfaqëson një shtet aq të fuqishëm sa s’është Amerika, është i investuar kokë e këmbë në mbarëvajtjen e shqiptarëve. Palodhshmëria e tij në çështjen aq të debatuar të problemeve të drejtësisë, më prek sinqerisht. Ne, brezi ynë doja të thoshja, jemi rritur në komunizëm me urrejtjen ndaj Amerikës, ne e dëgjonim zërin e saj në radio kur kjo gjë ishte krejt e dënueshme në atë kohë. Ndaj them me vete, lavdi Zotit që erdhi kjo ditë që ky vend i madh të merret me punët tona. Lexoj nganjëherë komente njerëzish të pamend që thonë se Shqipëria është sa një pike ujë në vëmendjen e Amerikës dhe se në agjendën e saj e zë a nuk e zë të qindën e sekondës. Nuk e perceptoj kurrsesi kështu qëndrimin e Amerikës ndaj nesh. Të gjithë po e shohim qartas që është krejt e kundërta.
Ju bën përshtypje që ka mësuar shqip për shembull? Që shumë mesazhe i bën në gjuhën shqipe?
Helena Kadare: Është diçka që e çmoj pa mase. Veç të tjerash, kjo tregon seriozitetin e këtij diplomati karriere, që u nis në këtë detyrë me shqipen e tij të gatshme për komunikim. S’është gjë e pakët, për një gjuhë aq të vështirë sa e jona, apo jo? Shqiptarët kanë mundësi ta dëgjojnë atë direkt, pa nevojën e përkthimeve nganjëherë aproksimative të palëve dhe e kuptojnë se ndërhyrjet e tij janë të dobishme për fatet e Shqipërisë, pa cënuar interesat e vendit të tij, natyrisht.
E keni takuar ndonjëherë?
Helena Kadare: Po.
Dhe çfarë ju ka lenë më shumë mbresë?
Helena Kadare: Vetë angazhimi i tij total për ato gjëra që sapo folëm. Biseda kryesore me të, duke lëne mënjanë ato të familjes, fëmijëve etj., kanë qenë temat e së përditshmes shqiptare, ato tema që i njohim të gjithë… Ai e do vendin tonë, kjo është e qartë dhe e dukshme. Kaq me mjafton për ta dashur.
Po në jetën publike në media ? Ka njerëz që ju pëlqejnë, që i ndiqni?
Helena Kadare: Dëgjo Mira, siç ju thashë më parë, nuk ka asnjë artikull, asnjë analize apo ngjarje që ndodh atje që të na shpëtojë pa e vënë re. Natyrisht ka shumë syresh që i dëgjoj me respekt dhe që më ndihmojnë të kuptoj realitetin e atyshëm. Sikurse ka edhe të tjerë që më vjen keq për ta tek i dëgjoj sesi përpëliten për t’i dredhuar problemit, për t’i bërë qejfin shefave të tyre. Ne jemi në Paris gjysmën e vitit, por në vijojmë të jetojmë me Tiranën… Ismaili i përjeton edhe me fort se unë… vetëkuptohet.
Ku është ai në këtë çast që po flasim?
Helena Kadare: Ka shkuar në një kafene këtu afër ku bën ato orët e tij të zakonshme të punës. Jo, jo më në kafe Rostand sikurse hamendësojnë të gjithë ata, që kanë lexuar librin e tij “Mëngjese në kafe Rostand”. Shumë njerëz që kalojnë këndej nga Parisi, e kanë bërë zakon të kalojnë nga ajo kafe, me mendimin që t’i shtrëngojnë dorën autorit të tyre e të shkëmbejnë dy fjale me të. Një ndjesi e natyrshme dhe fisnike, do të thoja. Mbaj mend kur kemi qenë në fakultet, ne dilnim me shokët e kursit nga rruga ku do të kalonte Petro Marko, që sapo kishte botuar në atë kohë «Hasta la vista». Te gjithë lexuesit në botë janë njësoj.
Po ku është kjo kafeneja tjetër?
Helena Kadare: (qesh) Këtë s’mund ta them. Ndryshe atij do t’i duhej ta ndërpriste punën orë e çast. Ose të ndërronte përsëri kafenenë…
Cila do të quhej një ditë e përkryer për ju?
Helena Kadare: Një ditë e bukur për mua do të ishte një e mërkurë (ditë që nxënësit e kolegjeve te Francës e kanë pushim). Ndodh shpesh që të mërkurave, së bashku me nipin tim, Adrianin, të shkojmë në ndonjë nga restorantet e panumërta japoneze që ka këtu përballë nesh, në rrugën e ngushte që mban emrin “Monsieur le Prince” dhe që ti e vizitove sot në mëngjes. Restorantet japoneze janë të vogla e të lira ndaj frekuentohen më së shumti nga studentët e Sorbones këtu pranë, në kohen që bëjnë pushimin e drekës. Adrianit i pëlqen kjo lloj kuzhine, mua gjithashtu. Por me shumë nga të gjitha unë i gëzohem bisedës që bej me këtë djalë të vogël dymbëdhjetë vjeçar, që është një lexues fantastik dhe i palodhur librash. Ndoshta nuk do ta besosh, por herë-here e harroj moshën e tij, për nga serioziteti dhe pjekuria e temave që flas me të. Për mua është thjesht një mrekulli çdo drekë e kaluar së bashku me të!
Po një ditë e keqe?
Helena Kadare: (qesh) Nuk ka ditë të keqe, Mira. Çdo ditë ka mundin e saj, siç thuhet. Gjithsesi një ditë jo e mirë është kur jam e detyruar të shkoj në ndonjë pritje apo aktivitet pak a shumë zyrtar. Le ta themi midis nesh: Nuk i duroj dot me takat e larta, të detyrueshme për këto raste. Nuk kam energji të shkoj te parukierja për flokët, të zgjedh veshjen e duhur për atje etj.,etj. Mezi pres të kthehem në shtëpi, të vërvis tutje këpucët e lodhshme, të vesh një rrobë të rehatshme dhe marr në duar librin e radhës që e kam lënë përgjysmë. Ose kur më pret ndonjë film që ia vlen në TV.
Do të vazhdoni të jetoni Paris-Tiranë? Ku është me mirë?
Helena Kadare: Kësaj pyetjeje po i përgjigjem me fjalët e një mikut tonë që jeton këtu, ai gjithashtu: Franca është një parajse e trishtuar,(që në të vërtetë vetëm e trishtuar s’është dhe s’mund të jetë!) kurse Tirana një ferr i gëzueshëm. Nëse do që ta dish tamam, unë personalisht veten e ndiej njëqind për qind të plotësuar kur jam në Tiranë. Aty kam mikeshat e mija, familjen time, njerëz të tjerë me të cilët kam mall e dëshirë të rri e të shkëmbej mendime duke folur shqip (ka rendësi edhe kjo), me një fjalë, siç thotë Naimi, “atje ku rroj me gaz e me shpresë, ku kam dëshirë të vdes”. Tani fëmijët tanë janë rritur dhe kanë angazhimet e tyre, kështu që është e padrejtë të kërkosh praninë e tyre orë e çast, siç do të kisha dashur. Gjë që natyrisht edhe s’mund të bëhet. Në Tiranë që të gjithë i ke në dispozicion kurdoherë, (flas për njerëzit që kanë të bëjnë me mua), me të cilët kaloj momente që më këndellin shpirtin. Atyre nuk ka nevojë t’iu shpjegosh se si e qysh ka ndodhur më parë, se si punët rrodhën me pas kështu e ashtu. Me ta të gjitha referencat i gjen aty ku i ke lënë dhe biseda vijon natyrshëm sikur e ke lënë në mes dje.
Pse është e domosdoshme të rrini këtu?
Helena Kadare: Thjesht për arsye që lidhen me punën e Ismailit. Ai këtu ka shtëpinë e vet botuese “Fayard”, që merret me të gjitha problemet e tij, ka agjentin letrar edhe pse agjentin kryesor e ka ne agjensinë “Wylie” në New York. Janë ata që bëjnë kontratat për botimet dhe shpërndarjen e librave të tij nëpër botë. Por jeta këtu për mua ka filluar të jetë e lodhshme. Nuk ka dite të mos vijnë letra, email-e, ftesa, çmime, kërkesa për intervista, takime, zhurira, e plot gjëra të tjera të këtij lloji. Tani edhe Ismaili vetë ndihet i lodhur prej tyre. Ai quan punë të mirëfilltë vetëm ato faqe që ka caktuar të shkruaje në ditë me dorë dhe kaq. Për të tjerat nuk interesohet më si dikur. Kështu me bie mua detyra t’u përgjigjem me shkrim apo me telefon të gjithë kësaj ngarkese. Natyrisht më e lodhshmja është të gjej arsye dhe justifikime për ato “jo”-të e vazhdueshme të Ismailit, për çdo gjë që i kërkohet. Dhe të më besosh, nuk është ndonjë gjë e këndshme të thuash “jo” majtas e “jo” djathtas për gjithçka dhe, aq me tepër, në emër te tij. Të qenët negativ, kundërshtues, të lodh shumë më tepër nga të qenit aktiv edhe kur të duhet të besh mund dhe sakrifica. Ndaj do preferoja Tiranën. Atje do të gjendeshin njerëz të tjerë që ta bënin këtë punë rutinore shumë më mirë se sa unë. Botuesi i «Onufrit» i ka të gjitha strukturat për një angazhim të tillë dhe ai ka qenë përherë i gatshëm, madje shumë mirëkuptues, për ta ndihmuar në gjithçka që lidhet me veprën e Ismailit. Tani ka filluar punën aty vajza e tij, Enxhi, që është tepër aktive dhe çdo ditë me kompetente për punën e botimeve. E vetmja gjë, për të cilën më vjen vërtet keq tani, është mosdëshira e Is për të bërë udhëtime, gjë për të cilën unë nuk do të thosha kurrë jo. Sepse, siç dihet, shpirti ka më shumë nevojë për hapësirë sesa trupi.
Cilat janë udhëtimet që kanë lënë mbresë në mendjen tuaj?
Helena Kadare: Do të veçoja dy. Udhëtimin tim të parë në Kosovë më 1981 dhe një udhëtim në Izrael ca kohë më parë. Po e nis me Kosovën. Në vitet 80 Kosova për të gjithë ne shqiptarët e Shqipërisë ishte një ëndërr e paprekshme. Kështu, kur më caktuan në grupin e shkrimtarëve të Lidhjes së Shkrimtarëve për një vizite në Kosovë, desh me ndali zemra nga lumturia. Delegacionin e kryesonte kryetari i Lidhjes, Dritero Agolli. Ne të bënin pjesë shkrimtarja Eglandina Mandia, Zija Cela, Shefqet Musaraj dhe unë. Në Prishtinë sapo ishte inauguruar Hotel Grand-i dhe gjithçka dukej e përsosur në sytë tanë. Asnjeri prej nesh nuk kishte parë një luks të tillë. Por ajo që na tronditi të gjithëve ishte dashuria e jashtëzakonshme e njerëzve. Për gati një jave udhëtuam nëpër Kosovë. Kudo që vinim ngjante si një festë. Edhe pse ishim të porositur, ne nuk e dinim se çdo hap i ynë ishte i survejuar, i kontrolluar. Me vonë kemi marrë vesh se ç’ndodhte atje me ata njerëz që na kontaktonin. Por kjo është një teme që kërkon një bisedë tjetër. Dua të veçoj këtu një mbrëmje në Pejë në hotelin Metohia. Poshtë në restorant ishte ndezur një oxhak i vjetër i stërmadh dhe në tryezën tonë vinin direkt nga furra pogaçe të porsa pjekura. Mendo se ç’përshtypje për ne që nuk i njihnim restorantet private. Tirana e asaj kohe kishte apo s’kishte nja tri-katër restorante sterile, natyrisht shtetërore… Po i kujtoj të gjitha këto sepse vitin e shkuar ishim me Is në Pejë për çmimin “Azem Shkreli”, që ai mori, dhe qëndruam në të njëjtin hotel si 38 vite të shkuara, por që tani quhej Hotel Dukagjini. Shumë vonë e kuptova që bëhej fjalë për të njëjtin hotel, kaq shumë kishte ndryshuar ai. Ishte bërë një ambient modern, por bashkë me modernizmin, atij i kishte ikur dhe gjithë magjia e hotelit tradicional që kish pasur, me atë kuzhinë aq të veçantë. Në vend të atyre pogaçeve të dikurshme tani kishte «pasta» të shumëllojshme, me emra të bukur italiane dhe shumë gjëra të tjera të reja, nga ato që gjenden në të gjitha restorantet e botës sot. Në vend të Azemit, ishte tani bija e tij, Aida, një vajzë e hijshme që kishte ardhur nga Kanadaja e largët, për të nderuar kujtimin e të atit. Ndër mend me erdhën ato rrugicat e ngushta të Pejës së dikurshme, plot dyqanxhinj të vegjël, që bashkë me Eglantinën i shikonim si të rëna nga qifti. Dhe ajo që na habiti të dyjave, ta merr mendja ç’ishte? Çamçakizët dhe çokollatat, që në Tiranën tonë të atyre viteve as që ekzistonin. Natyrisht vë buzën në gaz tani… Kur u ktheva në Tiranë shkrova me një frymë tregimin me titull « Medalioni nga Peja ». Ishte, ndoshta, me i pëlqyeri dhe i mirëprituri nga publiku. Bëhej fjalë për një mbajtëse metalike çelësash, që ma kishin dhuruar në Pejë. Pak a shumë fundi i tregimit ishte ky: Tani çdo herë që kthehem në shtëpi, me vajzën time të vogël për dore dhe nxjerr çelësin për të hapur derën ajo më pyet : Ç’është ajo gjë që ke në dorë? Një medalion nga Peja, i them.–Çfare është Peja ? me pyet ajo. Një qytet në Kosovë. Po Kosova s’është ? Atëherë unë nis dhe i tregoj asaj se ç’është Kosova. Këtu përfundonte dhe tregimi. Dhe domethënia e tij ishte e qartë për të gjithë.
Kosova ishte një tabu për ne. Për atë s’flitej ose përmendej nën zë, si të ishe në faj. Mbaj mend që një mik i familjes sonë dhe i profesor Çabejt, që mblidhte këngët popullore çame, ishte futur në burg pse kishte shprehur mendime për bashkimin me Kosovën… Ndaj dhe ndjeshmëria për këtë temë ishte aq e nxehtë dhe drithëruese për të gjithë.
Po udhëtimi tjetër, ai i Izraelit?
Helena Kadare: Ah, ai udhëtim është një dashuri më vete. E kam përherë në mendje të bej një tregim për të… Kemi qenë të ftuar së bashku me Ismailin. Për mua, Jerusalemi mbetet qyteti më interesant në botë për nga shumëllojshmëria e jetëve, për nga kultura dhe historia e tij biblike, si dhe për plot vlera të tjera. Të gjitha këto nën një qiell me dritë të bardhë verbuese, hyjnore, do të thosha. Një dritë që çuditërisht i ngjan dritës që jep qielli i Tiranës, e që për mua është i pakrahasueshëm me asgjë tjetër. Si një ngjarje të madhe në jetën time, dua te veçoj takimin me një zotëri të madh, Simon Perezin, në atë kohë President i Izraelit. Kisha lexuar më parë për të, më kishte bërë përshtypje të madhe një libër nga bisedat e tij me shkrimtarin francez Zhak Attali, për të ardhmen e botës dhe të vendit të tij në veçanti, por, t’i rrije përballë këtij monumenti të gjallë dhe ta dëgjoje tek fliste, ishte diçka krejt tjetër. Gjate gjithë kohës që zgjati audienca jonë kisha përshtypjen se ndodhesha në një zone të epërme të Botës në prani të të Urtëve të saj.
Po diçka tjetër që ju tërheq këtu në Paris?
Helena Kadare: Është teatri. Siç e sheh, ne ndodhemi pranë Teatrit Europian të Odeonit. Si një e abonuar që jam në të, marr rregullisht axhendën e shfaqjeve sipas sezoneve. Kur të dalim nga kjo kafeja, eja po deshe të shikosh afishet e shfaqjeve të këtij muaji. Dua të shikosh afishen e dramës « Pamje nga ura » të Arthur Millerit. E kam për zemër në mënyrë të veçantë këtë shfaqje mbasi shumë vite më parë e kam parë në teatrin Kombëtar të Tiranës, me interpretimin brilant të aktorit Pirro Mani. Në atë kohë shfaqja ka bërë jehonë të madhe në rrethet intelektuale të Tiranës. Kam kuriozitet ta shoh përsëri tani, për të parë se si do të jetë përjetimi i saj pas kaq vitesh.
Në librin tuaj të kujtimeve «Kohë e pamjaftueshme» keni një foto me këtë dramaturg të shquar amerikan. E njihnit nga afër?
Helena Kadare: Jo nuk e njihja. M’u dha rasti ta takoja në një takim të gjerë në një sallë të Parisit, ku ishte ftuar dhe Ismaili, në një panel të bërë nga shkrimtarë dhe gazetarë të shquar, mes të cilëve i ftuari i nderit ishte Arthur Milleri. Bisedën e drejtonte gazetarja e shquar Christine Okrent. Pas takimit darkuam së bashku me Millerin në një restorant të njohur aty afër. Ishte një darke e paharruar.
Po shfaqja që pamë mbrëmë se bashku në “Place de la Republique” si ishte për ju?
Helena Kadare: Atje luante një vajzë me origjinë shqiptare me emrin Aphrodite de Loraine, me një fjalë, Afërdita shqip, por që ajo e ka stilizuar për nevojën e skenës. Ajo më dërgoi dy ftesa dhe unë të mora ty në vend të Is. Siç, e pe, ishte premiere e një komedie të Goldon-it «Les amoureux» që po luhej për herë të parë në teatrin Dejazet. Të them të drejtën unë nuk i kam shumë për zemër komeditë. Nuk di si t’u duk ty…
Me çfarë të ardhurash jetoni ju? Mjaftojnë ato që merrni nga librat? Si jeton familja Kadare?
Helena Kadare: Familja Kadare jeton me të ardhurat e librave. Kuptohet, ne nuk kemi biznese apo fitime anësore. E di, është e vërtetë që nuk është e lehtë të jetosh me libra, vetëm katër a pesë shkrimtarë arrijnë ta bëjnë këtë. Këtu nuk e kam fjalën për autorët që shkruajnë bestsellerë e që shiten me miliona kopje. Ismaili bën atë letërsi që ben, që ju e njihni të gjithë e që quhet elitare.
Ne jetojmë në një apartament me qira, në një zonë të bukur të Parisit, përballë kopështit të Luxemburgut. Shumë njerëz që vijnë e na vizitojnë habiten që ajo nuk është e jona, por me qira. Por të merremi vesh, me çmimin që ajo ka, as që mund të imagjinohet blerja. Atë e ka dhënë Akademia Moralo-Politike, ku Is bën pjesë, me një qira dy herë me të ulet, por që mbetet shumë e lartë gjithsesi. Po, mund të kishim blere një shtëpi me kredi, siç kanë bërë plot të tjerë, por ajo shtëpi duhej të ishte në periferi dhe jo këtu ku jemi…
Po ju vetë a keni një pension? Dua të them të ardhura personale. Pavarësisht se ju punoni më shumë se kushdo për librat e Ismail Kadaresë. Ju keni një jetë që i shtypni ato ngaqë Kadare shkruan me dorë. Jeni ju përsëri redaktorja e parë e tyre. E ju keni punuar në shtëpinë botuese kur jetonit në Shqipëri. Apo jo?
Helena Kadare: Po, kam punuar dhe mund të them se kanë qenë vite që i kujtoj me mall. Tani marr një pension që vetëm vitin e fundit m’u akordua… Ndërkaq përkthej, por punën e përkthimit e bëj ngadalë sepse edhe koha që më mbetet është e paktë. Ja kështu. Ndaj i mbetet të them se shtëpinë e «mban» vetëm burri i shtëpisë, siç thoshin pleqtë e qëmotit.
Në atë kohë udhëtonit edhe ju me Kadarenë në Francë?
Helena Kadare: Pas botimit të «Gjeneralit…» me 1970 në Francë, Ismaili u botua menjëherë në pothuajse gjithë Europën. Kuptohet që botuesit dhe kritikët e artit e kërkonin ta shihnin për së gjalli këtë autor të ri që sapo kishte dalë. Dhe nga cili vend, aq më tepër! Mirëpo në atë kohë ishte i pamundur udhëtimi jashtë vendit për këdo. Vite më pas, kur vepra e tij filloi të përhapej me gjerë, shteti e lejoi të nisej. Siç e ka shpjeguar edhe ai vete hollësisht në librin e tij të fundit, udhëtimi në Francë ishte një rastësi e ardhur nga një keqkuptim. Ftesat, kuptoheshin, bëheshin bashke me gruan. Ato vinin në Ministrinë e Jashtme dhe prej andej mirrej përgjigja se Helena nuk mund të udhëtonte ngaqë ishte shtatzëne. Kur Is filloi të shkonte vetëm atje, një ditë botuesi dhe miku i tij, Claude Durand, i tha duke qeshur: Ismail, ju duhet që deri tani të kishit se paku nja 30 fëmijë! Po edhe në Tirane ka patur situata tragjikomike të këtij lloji, siç ishte rasti me aktorin, Michel Picoli. Pas nënshkrimit të kontratës për filmin e « Gjeneralit » ai erdhi bashkë me ekipin e filmit në Shqipëri, për të piketuar vendet e xhirimit. Ditën e fundit të qëndrimit atij iu anulua riardhja në Shqipëri. U dëshpërua shumë se, veç të tjerash, humbi shumë para që kishte investuar, duke angazhuar aktorë të kalibrit si Marcelo Mastrojani, Anuk Aimé, etj. ditët e xhirimit të tyre ishin të caktuara. Ishte operatori italian, Tovoli, që në nxitim e sipër, i gjeti disa vende xhirimi në Korsike, që i përshtateshin pak a shumë natyrës shqiptare. E kujtoj mirë kur u ftuam prej tyre në një darke në Hotel Dajti. Një urdhër i beftë ndryshoi rrjedhën dhe zyrtari shqiptar që i shoqëronte, ju tha se Kadare nuk ndodhej në Tiranë, ishte jashtë Shqipërie apo diçka e tille. Micheli kishte shqyer sytë: Po si është e mundur? Unë sapo u ndava para pak prej tij!! Ja kështu shkonin punët, moj Mira.
Pse ju quan Beka ai?
Helena Kadare: Bebeka ka qenë emri im deri në moshën tre vjeç.
Madje kështu me thërresin ata të familjes edhe sot e kësaj dite. Më pas me pagëzuan me emrin e gjyshes nga babai, të cilën unë nuk e kam njohur: Elena. Kur botova romanin tim të parë në Paris në shtëpinë botuese «Stock», e pashë librin të shtypur me emrin Helena. Me pëlqeu dhe e mbajta.
Po ju e thërrisni Is, si ne libër, zotin Kadare?
Helena Kadare: Po jo… Is ishte vetëm për librin…që të mos e përmendja orë e çast me të gjithë emrin e tij të gjatë.
Kam pare korrespondencën tuaj në libër, ku ju i drejtoheni me emrin Smill. Pse ky emër?
Helena Kadare: Ai erdhi me këtë emër nga Rusia. Ashtu e thërrisnin atje, ose e kishte gjetur ai vetë ashtu, për t’i shpëtuar emrit të vet Ismail. Madje provoi ta vinte dhe ne të parin libër me poezi që botoi në Moskë. Por në Shqipëri u prit keq kjo gjë dhe ai u detyrua t’i shkruante një letër botuesit rus: Me falni, por ju kam dhënë pa dashje gabim emrin tim! Quhem Ismail dhe jo Smill.
Ka qene xheloz për ju ?
Helena Kadare: Jooo. Nuk e besoj!
Kam vene re se e kërkon gjithandej praninë tuaj. Ka nevoje patologjike për Helenen?
Helena Kadare: Nuk mund ta quaj patologji, por një nevoje për të patur pranë njeriun që e ndihmon…Ndihet mirë kur unë ndodhem aty pranë, kjo i jep siguri. Të paktën kështu e lexoj unë sjelljen e tij…Ndaj kurdoherë që dal nga shtëpia, jam në kafe me ndonjë miken time etj. jam e vëmendshme të mos e kaloj orën kur ai është duke me pritur në shtëpi.
A nuk e humbisni durimin në ndonjë moment të caktuar dhe të thoni se sot për shembull do ta prish rregullin dhe do të rri sa të dua… dhe se fundja më në fund kam edhe unë një jetë?
Helena Kadare: Jo, nuk arsyetoj ashtu. Ndoshta kjo vjen sepse tërë jetën time e kam parë punën që ai bën si një gjë të shenjtë, që s’duhet trazuar me asgjë. Nuk e di. Asnjëherë nuk me ka braktisur admirimi për punën që ai bën. Pra të shkruarit. Por edhe kur është duke dhënë një interviste, duke marrë ndonjë çmim apo diçka të tillë, kam qenë përherë pranë tij. Duke e ndier se ai ka nevoje për këtë prani përse ta nervozoj me mungesën time?
Në fakt edhe unë do të thoshja: Përse të mos e bej Helena këtë? Kush e ka fatin të jetojë me një njeri të madh, një gjeni që e respekton gjithë bota. Kujt i behet vonë për një orë më shumë me shoqen kur e gjithë jeta është një rruge e lavdishme.
Helena Kadare: Ah, e lavdishme! Me thënë të drejtën, nuk kam ndonjë prirje të veçante për të vrapuar pas “jetës së lavdishme”.
Të gjithë ata që më njohin e kanë vënë re fare mire këtë gjë. Është një shprehje që thotë se, një gram paqe vlen më shumë se një ton fitore. E ndritshme po, ashtu ka qenë jeta ime me të, por jo e lehtë.
Pra keni patur një jetë të pazakonshme. Jam kurioze të di, kur keni bërë një pale pushime të paharrueshme?
Helena Kadare: Pushime të paharrueshme?! S’më kujtohet ndonjë tip i tillë pushimesh. Ka patur ditë të bukura, të gëzueshme kur vinim me vajzat në hotelet e bregdetit që kishte Shqipëria e asaj kohe. Por më duhet të pranoj se pas tri-katër ditëve të para nuk doja të rrija me atje. Ndejtja me orë në diell, nxihu, skuqu, shiko rerën, shiko detin, jo , nuk mund të them se është pushimi ideal për mua. Pushime të vërteta për mua janë ato në lëvizje, me një lloj aktiviteti brenda. Por në atë kohe nuk kishte kushte për gjera të tilla. Tani po, mund t’i biesh Shqipërisë kryq e tërthor e të gjesh plot vende të mahnitshme. Por ato duan energji, që ne nuk e kemi me… Të bukura dhe të qeta janë tani pushimet tona në shtëpinë të plazhit në Golem, në Malin e Robit, siç quhet vendi. Ti ke ardhur në shtëpinë tonë vëren e shkuar, apo jo ? Në verë mblidhet e gjithë familja, fëmijët me miqtë e mikeshat e tyre, ne me njerëzit tanë, familjarët kryesisht, por edhe miqtë që vijnë e na vizitojnë nga gjithë Shqipëria por edhe miq nga jashtë. Kanë ardhur botuesit e huaj, përkthyesit e shumtë librave të Ismailit nga Gjermania, nga Amerika, nga Rumania, nga Spanja, Italia etj. Në raste të tilla është gjithmonë gëzueshëm, vetëkuptohet.
Cili është sekreti që të jesh e lumtur me një burrë? A mund të me jepni një këshillë sot?
Helena Kadare: Dhënia e këshillave është për mua gjeja më e padëshirueshme që mund të më kërkohet. Jam munduar të jem sa më e kursyer në këtë pikë edhe me vete vajzat e mija. Ismaili edhe më shumë se unë. Vajzat e mija i kanë bërë vetë zgjedhjet dhe rrugët e tyre në jetë. Me mençuri, me dinjitet, mendoj. Edhe kur kam dashur të filtroj ndonjëherë opinionin tim, këtë e kam bërë me shumë kujdes, pa i krijuar asesi mendimin se po ndërhyj në punët e tyre. Kur m’a kërkojnë ato vetë një mendim, ua jap me kënaqësi, pa ngurruar.
Ju me pyesni se çfarë duhet bërë që një marrëdhënie t’i rezistojë kohës. Për mendimin tim, mënyra më e mirë është që mos të kërkosh asnjëherë ta ndryshosh tjetrin sipas shijeve të tua. Personi që ke zgjedhur të ka joshur pikërisht me ato cilësi apo defekte që ai ka. Kur ke vendosur ta lidhesh jetën me të e ke marrë në sy këtë gjë. Pra pranoje kështu dhe respektoja individualitetin që ka. Në të kundërtën do humbasësh veten por edhe dashurinë. E them me bindje këtë.
Çfarë ju bën përshtypje te vajzat/gratë shqiptare?
Helena Kadare: Unë njoh dhe kam lidhje me shumë gra dhe vajza shqiptare në Shqipëri; por edhe jashtë saj. Kuptohet, të parat rrijnë në zemrën time miqësitë e dikurshme, miqësitë e vjetra, të cilat i ruaj dhe i përkujdes me shumë kujdes. I qëndroj asaj shprehjes që thotë : Zër miq të rinj por mos harro të vjetrit. Të rinjtë janë prej argjendi, të vjetrit prej floriri. Por, rrethanat e kanë bërë që të njoh edhe shumë nga gratë e reja që sot kanë detyra dhe angazhime në jetën shoqërore shqiptare në vend. Këtu fus edhe gazetaret, koleget tuaja Mira, që, veç admirimit që më shkaktojnë kur i dëgjoj që flasin nëpër panelet televizive, po aq i vlerësoj në bisedat intime që kam me to. Një pjese e mire e tyre më befasojnë për mirë me kulturën që shpalosin, me mënyrën e të arsyetuarit, me qëndrimet e tyre, me gjithçka… Sikurse ndodh edhe mes nesh, mbaj me to lidhje të vazhdueshme dhe pasuruese për mua kur jam në Tirane, por edhe kur kthehem në Paris ; nëpërmjet telefonit, sms-ve dhe asaj shpikjes se bekuar, Ëhatsapp -it , që na i ka bërë gjerat aq të lehta në komunikim.
Tani t’ju them mendimin tim për vajzat shqiptare në të përgjithshmen e tyre, duke përfshirë këtu edhe ato që nuk i njoh. Jam shume e vëmendshme ndaj tyre ngaqë dua të kuptoj ecurinë e gjerave atje. Shoh një brez të ri, të ushqyer mirë, të veshur bukur e që deri diku sillen në mënyrë korrekte. Të gjithë e kanë vënë në dukje se vajzat shqiptare janë me të vërtetë bukuroshe dhe të shpenguara tanime… Është ky një brez që s’ka asnjë krahasim me brezin e rinisë sonë. A të ka rënë rasti të shohësh heroina të filmave të kohës së komunizmit? Me flokë si driza, të pa mirëmbajtura, veshjet, mos e pyet. Dhe të mendosh se po flasim për aktoret! Po ashtu edhe të folurit e tyre ka diçka që e kapërcen të qenit femëror. Duken të vrazhda, «që të tregojnë vendin » në çdo situatë… Me një fjale vajzat shqiptare sot janë të hijshme dhe kjo është e dukshme. Kam parë në disa shfaqje por edhe nepër intervista një aktore, që nuk kam patur rastin ta njoh personalisht. E kam fjalën për Ema Andrean. Shumë interesante, edhe intervistat e saj me pëlqejnë, për mendimet që përcjellin. Dhe me qe jemi tek pamja e tyre e jashtme, po ju tregoj një kuriozitet: Më kanë treguar se një amerikan nga Bostoni rrinte në një nga kafenetë e Tiranës dhe këqyrte vajzat që kalonin në trotuar. Ja si i komentonte ai: Bukur, bukur, bukur, jo bukur, bukur, bukur, bukur. Tek ne, shtonte ai, propocioni është ndryshe : bukur, jo bukur, jo bukur, jo bukur, buuukur…
Po diçka që nuk e pëlqeni tek ato ka?
Helena Kadare: Meqë më pyesni, po jua them. Më bie rasti t’i shoh gati çdo ditë këto vajza në lagjen ku banoj në Tiranë, një lagje kjo plot lokale e kafenera, gjithmonë të mbushura plot me të rinj…, por që kjo është një temë tjetër. Është mëkat, mendoj, që janë aq të reja dhe aq të lyera… Tepër të lyera që në orët e para të mëngjesit. Më vjen nganjëherë dëshira t’iu them : Goca, jeni shumë të mira edhe të pa lyera kaq shumë, lëreni për më vone këtë trendi, ju keni rininë dhe freskinë e moshës që do t’ju bënte edhe me origjinale dhe më interesante se sa kështu të llangosura e të gjitha njësoj. Por ka edhe një kategori tjetër, më të emancipuar e më të përpunuar, këto të fundit, që shkojnë nëpër zyrat ku punojnë me një luks që e kapërcen qëllimin për të cilin bëhet. Nuk di, këtu ku jemi tani në të dyja dhe që është vendi i pranuar unanimisht nga gjitha bota si kulmi i modës, nuk e kam vënë re një gjë të tille…E vë re ti këtë gjë këtu? Ja, vështroi pak këto vajza e këto gra që kemi këtu përreth nesh. Është ora e drekës tani dhe shumica e tyre janë punonjëse të shtëpive botuese këtu afër. Sheh ndonjërën prej tyre të lyer ashtu? Nejse, gjithsesi kjo është çështje zgjedhjeje për secilën.
Po vetë, si keni qenë në rini ? Jeni trukuar lehtë?
Helena Kadare: (Qesh) Në rini nuk jemi trukuar fare, ne do që ta dish, jo vetëm unë por të gjitha moshataret e mija të asaj kohe. Për arsyen e thjeshtë se nuk ekzistonte asnjë produkt kozmetik, përveç sapunit. Me kujtohen fjalët e Vera Grabockës, njëzet e ca vite të shkuara, kur organizoi mis-in e parë shqiptar. Vajza që fitoi kishte përdorur bojën e këpucëve për të lyer qerpikët… E beson këtë? Sepse tregu ishte krejt i zhveshur nga këto gjera.
Të pyeta për femrat, gratë shqiptare, por nuk të pyeta për meshkujt. Djemtë, burrat, janë zhvilluar ata në Shqipëri? Kur i shikoni këtu, por edhe nga televizori, çfarë shije ju lenë?
Helena Kadare: Natyrisht që ndihet ndryshimi. Ajo që bie në sy për keq është prirja e një shtrese të caktuar të djemve të rinj, ajo e parellinjve ,do të thoshja, djelmurina të pasur nga shkaku i prindërve që kanë dhe jo nga ndonjë meritë speciale e atyre vetë. Me habit kur i dëgjoj që flasin dhe nuk e kanë për gjë fare të shpalosin para publikut pa turp e pa droje një mirëqenie që çdo njeri me pak mend do ta vinte në pozite të vështire para moshatarëve, që nuk i kanë këto mundësi. Ose dhe para gjithë publikut që i sheh e i dëgjon. Nuk kuptoj, kujt i krekosen ata? Një populli me probleme ende të rënda jetike? Perse e bëjnë, ju jep kënaqësi perverse kjo gjë? Dëgjo Mira, ka 26 vjet që jetoj në perëndim dhe mund të them se kam parë shtresa nga më të ndryshmet të shoqërisë franceze, me një nivel të konsoliduar mirëqenieje, po kurrë, asnjëherë nuk kam arritur të kuptoj, se jashtmi së paku, se kush është i pasuri dhe kush është i varfëri. Në boten e qytetëruar këto gjera nuk thuhen kurrë haptazi. Sepse është turp, është e papranueshme mburrja për gjëra të tilla.
Cila është merita e një burri të vërtetë?
Helena Kadare: Për mua është integriteti që ai ka. Shtoi kësaj edhe gjenerozitetin shpirtëror, e kam fjalën. Njerëzit e këtij lloji, për fat të keq, në kohët që jetojmë sa vijnë e po rrallohen. Por kjo nuk do të thotë që mungojnë. Për mendimin tim, djemtë dhe burrat shqiptarë, të kuptohemi, ata që e kanë në gen dhe që janë të pajisur me vlerat e qytetërimit, (dhe fatmirësisht po i vijnë Shqipërisë) janë më superiorë se në këtë botën këtej. Nuk pretendoj se i njoh të gjitha shtresat, për të cilat po flasim, por ka midis tyre djem të zot me kualitete shpirtërore, që vlejnë 100 herë më fort se shumica e parellinjve që ka bota sot. Vajzave që njoh iu them shpesh : Zgjidhni dhe merrni burra shqiptarë.
Përse?
Helena Kadare: Vërej raportet mes njerëzve, kryesisht midis çifteve këtu ku jemi tani. Rasti e bie të jemi të ftuar nëpër shumë darka, dreka dhe evente të ndryshme. Në fillim habitesha se si ishte e mundur që ishin kaq të sjellshëm me njëri-tjetrin, kaq të dashur, kaq të përzemërt e të respektuar mes tyre. Më bënte përshtypje se sa bukur silleshin burrat me gratë e tyre, si i drejtoheshin partneres pa e hequr nga goja fjalën «cherie» (e dashur) etj.etj. Dhe normalisht ashtu janë. Por një mbrëmje, në një darke, kur ia shpreha këtë habi një mikeshës sime, ajo më tha : Madame Kadare, kjo sjellje bën pjesë në edukatën tone. Për shembull: ai çifti që juve iu bëri aq përshtypje për harmoninë që shpalos në publik , aktualisht janë në seancë divorci… Kam nxjerrë dhe një përfundim të përgjithshëm për njerëzit : Kurrë nuk janë njerëzit ashtu siç duken. Këtu, por edhe atje tek ne… Duhet t’i njohësh ata nga afër, të kesh kontakte në vende dhe në rrethana të ndryshme, për të nxjerrë konkluzione të sakta, por që edhe ato, nuk janë përherë të pagabueshme.
Vajzat tuaja kanë përfituar nga mbiemri që kanë?
Helena Kadare: E madhja kurrsesi jo. Ajo është e drejtuar nga shkencat, është kërkuese shkencore dhe pedagoge në universitet njëkohësisht. Të gjithë pedagogët që ajo ka patur dikur në Tirane mund ta konfirmojnë se çfarë studente ka qenë ajo. Gjithçka që ka bërë e ka bërë vetë në jetë. Dhe për këtë ndihem shumë krenare.
Po Besiana?
Helena Kadare: Ndryshe nga Gresa që është e qetë dhe e përmbajtur në gjithçka, Besiana në të kundërtën është eksplozive dhe energjike. Ajo ka një këmbëngulje të pabesueshme e të palodhur për t’i çuar gjerat përpara. Këtë e tregon më së miri puna që bën tani. Përkushtimi i saj për ta bërë sa më mirë detyrën që ka si përfaqësuese e Shqipërisë në Neë York është diçka që na e mbush zemrën me gëzim, sidomos kur dëgjojmë komentet që vijnë për të nga drejtime të ndryshme. Në fillimet e saj, ajo nuk donte të identifikohej me emrin e të atit. Donte ta krijonte vetë profilin e saj. Por tani që punon në diplomaci, e kupton qartë se si i hapen dyert sapo del se vajza e kujt është. Ndaj nuk ka arsye më ta shmang mbiemrin që mban.
E pamundur të shkojmë më tej pa dale te Kadareja. A bezdiset nga fama e mbiemrit të tij ai vetë?
Helena Kadare: Me thënë të drejtën, po. E bezdis dhe e lodh. Unë vetë mendoj se, duke e pasur këtë njohje qysh në moshë të re, me kalimin e viteve duhet që ta ketë lodhur. Edhe pse asnjëherë s’e kam parë të joshet prej saj. Ka me mijëra raste, madje edhe në vende të huaja kur kemi qenë bashke, që e njohin nga fytyra, (ka një portret që identifikohet lehtë), që e ndalojnë në rrugë, i kërkojnë autografe apo foto me të, e të tjera si këto. Ai i bën, por i duket qartaz në fytyrë bezdia që ndien. Ndaj dhe përpiqet me sa mundet t’i shmangë. Dhe më beso, nuk është e lehtë. Ka shumë vite tashmë qe i ka prerë shëtitjet në breg të detit, atje ku në shkojmë çdo vit gjatë verës. Janë të shumë njerëzit, e sidomos shqiptarë nga Kosova, që vijnë t’i japin dorën, të bëjnë një selfie me të, siç i thonë tani. Ka dy rrugë, ose atij do t’i duhet të mos ia prishi askujt, t’i nënshtrohet këtyre «selfijeve», pra ta ndërpresë në çdo hap shëtitjen, ose të mos dalë fare në bregdet. Ka zgjedhur këtë te dytën. Në breg dal unë e ai shëtit në pyll, brenda gardhit të shtëpisë…
A ju pëlqen teknologjia ? Vura re me kënaqësi, se në komunikimet qe kemi shkëmbyer nëpërmjet Ëhatsapp-it i përdorni lirshëm emoji-t. Si do t’i quante Kadare emoji-t në shqip ?
Helena Kadare: Ai as që ua hedh sytë fare atyre. Me to merrem vetëm unë. Po, është e vërtetë se teknologjia me pëlqen. Nuk e kam hiç të lehte t’i mësoj tërë ato marifete, qe të rinjtë tani i dijen me sy mbyllur, por mbesa ime e ëmbël, Doruntina, m’i shpjegon me durim dhe unë përpiqem t’i mësoj sipas udhëzimeve të saj.
A ka një shok të ngushte Kadare?
Helena Kadare: Sigurisht që ka. Për komunikimet me ta ai përdor shumë telefonin.
Po ndonjë shoqe të ngushte? A ka patur shoqe të ngushte ai?
Helena Kadare: Ka patur dhe vazhdon të ketë. Ismaili është shumë i përkorë në miqësitë me femrat. E çmon shumë miqësinë e tyre dhe sillet me to me një sinqeritet çarmatosës. Gjithkush që gëzon miqësinë e tij, mund ta aprovoje pa mëdyshje këtë që po them. Ndaj edhe ato i rrëfehen atij me besim të plotë, të sigurta që kurrë nuk do t’iu shpërdorohet ky besim.
Çfarë është një gjë që i pëlqen. Qe ju e dini që e qetëson, ia ul nervat nëse është në ndonjë ditë jo të mirë, çfarë e zbut atë?
Helena Kadare: Ai kënaqet dhe i qesh fytyra kur unë i tregoj « bëmat » e Adrianit të vogël, që m’i thotë Gresa mbrëmjeve kur flasim në telefon. Një gjë tjetër që ia çel fytyrën është sa herë që i vjen një lajm i mire nga Shqipëria. Miqtë dhe shokët që ia dine këtë merak, nxitojnë ta marrin në telefon sapo kanë diçka të tille për t’i thënë. E gjithë gjendja e tij shpirtërore ndryshon për të mirë.
Pse nuk u bë President kur e deshi kaq shume Shqipërinë?
Helena Kadare: E ka shpjeguar kaq herë ketë, unë gjithashtu e kam treguar në «Kujtimet» që kam shkruar. Nuk ishte i prerë për këtë punë ai. Do të kthehej shumë shpejt në një autoritar. Nuk i respektoj dot rregullat që kërkon demokracia, thoshte. Përpara një akti kriminal që duket sheshit, do merrja masa ekstreme, pa pritur gjykatësit dhe avokatët e tyre. Dhe që në këtë çast kishte për të marrë fund edhe demokracia…
Ai thotë se nuk i behet vonë për çmimin Nobel. Po ju Helena?
Helena Kadare: Ka ardhur një moment që atij asgjë nuk i bën më përshtypje, Mira. Ishte tani vonë dekorimi i tij me urdhrin më të lartë të Francës, dhënë nga Presidenti Hollande. Të të tregoj peripecitë që kam kaluar më të për këtë shkak nuk do t’i besosh. Ishim në Tiranë në dhjetor dhe me merr në telefon sekretari i Presidentit Hollande për të saktësuar disa pika për fjalën që do të mbante Presidenti me këtë rast. Ndërsa unë i përgjigjesha, Ismaili që ndodhej aty dhe dëgjonte, filloi të tregonte shenja padurimi nga gjatësia që po merrte biseda, dhe më bënte me shenje që « mjaft, tani, boll ». Për t’i shpëtuar padurimit të tij, u futa në kuzhine dhe mbylla derën që mos ta kisha si presion mbi krye. Sepse tjetri vazhdonte të pyeste dhe unë natyrisht vazhdoja t’i përgjigjesha. Kaq. Kulmi arriti kur u kthyem në Francë. « Ishalla e harrojnë atë ceremoninë!», me tha papritur një ditë.
Perse nuk donte?
Helena Kadare: Sepse është i lodhur nga gjërat publike. Megjithëse, me thënë të drejtën, asnjëherë s’ka qenë pasionant i çmimeve, i nderimeve e më tej. I dukej një mundim i madh të dilte atje, të mbante një fjalë të shkurtër apo t’u jepte dorën gjithë të pranishmeve… Duket si diçka anormale, por kjo është e vërteta. Gjithë ne të tjerët ishim të gëzuar, vetëm ai ishte pa qejf. Duke hyrë në oborrin e Elizesë, mbaj mend se si Inva Mula erdhi drejt nesh me fytyrë të ndritur: Jam nisur sot që në katër të mëngjesit nga Tirana, tha duke buzëqeshur. Dhe ai : « E pse e bëre këtë ? ». Për kënaqësinë time, për të qenë me ju, ia priti ajo. Dhe ai prapë : E çfarë kënaqësie! Kot u lodhe! Ajo mbeti e hutuar. Dhe kishte të drejtë.
Duket sikur është dorëzuar. Mos është kjo një lloj frike nga vdekja?
Helena Kadare: Jo. Përkundrazi, tani ai edhe vdekjen e ka kthyer në favor të tij. Për çdo gjë që s’i pëlqen, përgjigjen e ka gati: Punë e madhe! Ne do vdesim, s’kemi pse e çajmë kokën kaq shumë! Dhe mesa duket, kjo mënyrë e relativizimit të gjërave e qetëson. Por më e habitshmja është se, si gjithnjë, ma ka injektuar edhe mua këtë perceptim. Se si e se qysh unë nuk e di. Ai njeri ka një aftësi të çuditshme për të të mbushur mendjen edhe kur s’je i një mendjeje me të. Më ka qëlluar shpesh të them më pas: Po si arriti të më bind ? Unë s’mendoja ashtu! Po të tregoj diçka të këtyre kohëve të fundit: Apartamenti ku banojmë në Tiranë ishte një nga gëzimet tona kur ktheheshim në Shqipëri. Pamja që hapej përpara dritareve tona, me malin e Dajtit përballë ishte diçka fantastike. Qysh në mëngjes apartamenti mbushej me një drite hyjnore, do të thosha, nga lindja e diellit prapa malit. Dhe pa pritur e pakujtuar, brenda tre muajve që ne s’ndodheshim aty, para dritareve tona u ngrit një ndërtesë 22 katëshe !! Një përbindësh katër-pesë metra para nesh. Themelet e këtij pallati kishin 15 vjet që rrinin të « heshtura » aty poshtë. Një ditë na thirri për drekë ambasadori zviceran, që është ngjitur me këtë ndërtim, për te na treguar zymtësinë ku kishte rënë rezidenca e tij. Shteti zviceran e kishte blerë atë vile pasi kishte marre garancinë që ai pallat, jashtë të gjithë standardeve ligjore, s’kishte për t’u ngritur. Por ja që s’ndodhi ashtu. « Shikoni ç’ errësirë është bërë këtu tek unë ,na tha i dëshpëruar. Ne tani jemi të detyruar që natë e ditë të rijmë me drita elektrike të ndezura ». Pas kësaj, ardhjet tona në Tiranë e humben gëzimin e mëparshëm. Dhe një ditë, kur sapo ishim kthyer nga Franca, Ismaili më thotë si pa të keq: « E di si është puna ? Ne edhe pak kohe na mbetet për të jetuar. Do bëjmë si do bëjmë me këtë që na kanë bërë ketu. Ti mundohu të mos ia hedhesh sytë fare asaj gjeje përballë…». Po mire, ia ktheva, pse ky është ngushëllimi, vdekja jonë?
Çfarë thua?!
Helena Kadare: Duket absurde por kjo është e vërteta. E trajton punën e vdekjes si të jemi duke shkuar në pishine…kaq lehtë.
Po e lëmë këtë temë të pakëndshme. Kur me thatë se e doni teknologjinë desha t’ju pyes: A i ndiqni të gjitha ato që shfaqen nëpër internet? Ka aty komente nga shqiptare që, për turp të dheut, e snobojnë Ismail Kadarenë? Ju lëndojnë ato?
Helena Kadare:Sikurse e thatë edhe ju, është diçka e shëmtuar. Mua personalisht më trishtojnë pa masë. Më trishtojnë se ti del dhe shkruan diçka në shtyp me emrin dhe mbiemrin tënd. Ai komentuesi banal trimërohet me një pseudonim. Natyrisht qe ai ka të drejtë të mendojë si t’ia dojë qejfi e t’i shprehë mendimet e veta pastaj nëpër komente, po ama le të vëjë dhe emrin e tij aty poshtë dhe jo të futet prapa gardhit dhe të leh ashtu, siç bëjnë gjithë frikacakët.
Çfarë ka qenë një fyerje e madhe për ju nga komentuesit anonime, nga këta «prapa gardhit», siç i përcaktuat me të drejtë?
Helena Kadare: Ka plot gjera që të lëndojnë. Midis tjerash ka qenë dhe që vazhdon të jetë ajo shprehja që me demek e paskësh thënë Ismaili : «jashtëqitja e kombit», që mirret e tirret pa pushim nga blogu në blog nga dashakeqësit e tij. Nuk ka asnjë tubim, mbledhje, forum, TV, apo radio që Ismaili të ketë thënë një gjë të tille. Asgjëkund. Ai vetë e ka sqaruar kaq herë këtë gjë, por ata që këmbëngulin e bëjnë thjesht nga një ligësi e brendshme, që s’di se çfarë emri t’i vësh. Por siç thotë Chateaubriand, duhet dhënë me kursim përbuzja sepse ka shumë nevojtarë për të…
Po diçka tjetër që ju ka lënduar?
Helena Kadare: Ekziston ndërkaq diçka për të cilën s’kam folur kurrë , por që e ruaj thellë në zemër si fyerjen më të pashlyeshme të jetës sime. Dhe që s’do ta fal kurrë sikur edhe 200 vjet po të jetoja! Është fjala për vajzën time, të madhen, Gresën. Është bërë një emision i tërë televiziv për një histori të jetës së saj private, kur ajo nuk ishte veçse 16 vjeç. Pas 30 e kusur vjetësh studioja në fjale, më një lidhje direkte speciale me kontinentin tjetër, një specialitet i ri ky në Tirane, i pa përdorur as me pare e as me pas, komenton si pa të keq jetën private të një gruaje të martuar, nënë e dy fëmijëve, që s’kishte kandiduar, të themi, as për t’u bërë deputete as për kurrfarë posti aty! Me siguri edhe ju e keni parë. Në atë periudhe unë ndodhesha në Tiranë. Dhe thashë me vete: Si ka mundësi të ndodhë një gjë e tillë? Ç’të drejtë ka kjo studio të marrë nëpër këmbë jetën e një gruaje, që s’ka bërë asgjë të veçantë? Ishte e qartë që kjo ndërhyrje bëhej me një qëllim të caktuar: që asaj gruaje t’i prishej jeta familjare. Natyrisht për të dëmtuar, në radhë të parë, të atin e saj. Ndryshe nuk kishte tjetër shpjegim.
Po ju si reaguat meqenëse ishit këtu?
Helena Kadare: Për fat të mirë, Gresa ka një bashkëshort të mrekullueshëm që as i hyn farë këtyre gjerave. Përkundrazi, ishte ai që e qetësoi vajzën time, me mirësinë e bukur që e karakterizon, duke i thënë që të mos çante kryet fare për to. Me thënë të drejtën, atë mbrëmje mendimi im i parë shkoi te prindërit e tij, që me siguri ishin duke e ndjekur këtë emision të mjerë. Ma merr mendja se duhet të ketë qenë një ditë e hidhur për ta.
Dhe së fundi, një pyetje për një ngjarje të ditëve të fundit në Tiranë. Dritëro Agolli u nda nga jeta dhe, meqenëse po flisnim për rrjetet sociale, desha t’ju pyes për komentet që po bëhen këto ditë lidhur më të. Si i shihni ato?
Helena Kadare: Populli ynë ka një shprehje të goditur për këtë: Për të vdekurin ose fol me respekt, ose mos fol fare. Është një gjë e papranueshme ajo që po ndodh në këto rrjete që përmendni ju. Nuk e kuptoj, kaq shumë ka rënë poshtë morali tek njerëzit tanë që i vërsulen në këtë mënyrë edhe një të vdekuri?! Nuk di ç’mund të them më tepër. Përveç trishtimit që më shkakton, nuk gjej fjalë tjetër.
Cilat kanë qenë raportet tuaja me Sadijen ? Ju keni qenë edhe komshinj për një periudhë shumë të gjatë.
Helena Kadare: Të jesh komshi me dikë nuk është ndonjë kusht i domosdoshëm për të pasur raporte perfekte. Ndaj do të shtoja këtu që unë me Sadijen s’kemi qenë vetëm «komshinj» , por shumë me tepër se kaq. Ne kemi studiuar bashkë në fakultet, kemi fjetur një vit të tërë në një dhome të konviktit të qytetit të studentëve, kemi pasur marrëdhënie të ngrohta, por unë u martova po atë vit dhe u largova nga konvikti. Edhe pse e larguar marrëdhëniet tona kanë vazhduar normalisht si dy shoqe të mira. Shumë më vonë u bëmë edhe komshinj, duke banuar në të njëjtin pallat. Por jetët tona ishin të mbushura me aktivitete të ndryshme të një jete jo aq të lehtë, siç ishte jeta e të gjitha grave shqiptare të asaj kohe. Kështu, nuk patëm kohë ta kultivojmë edhe më tej miqësinë tonë. Por, raportet tona mbeten korrekte, siç vazhdojnë të jenë edhe sot e kësaj dite që po flasim. Në të dyja flasim shpesh në telefon, që këtej nga Parisi, por sidomos kur jemi në Tiranë./Nga Mira Kazhani- tiranapost.al