Albspirit

Media/News/Publishing

Publikimi i dokumenteve, që Wikileaks pretendon se janë të CIA-s, shkakton shqetësime

Publikimi i dokumenteve sekrete, që Wikileaks pretendon se janë të CIA-s, ishte një tjetër e papritur për komunitetin amerikan të zbulimit. Lajmi ka ringjallur shqetësimin mbi aftësinë e agjencive amerikane të zbulimit për të siguruar informacionet sekrete.

Zëri i Amerikës nuk ka arritur të verifikojë në mënyrë të pavarur vërtetësinë e 8,771 dokumenteve të publikuara në faqen e internetit të WikiLeaks, por ekspertët e sigurisë kibernetike dhe ish-zyrtarë të zbulimit thonë se shumë nga dokumentet duket të jenë të vërteta. WikiLeaks pretendon se dokumentet përshkruajnë “të gjitha aftësitë hakeruese” të CIA-s.

“Kam folur me një ish- punonjës të CIA-s, i cili më tha se ky është vërtetë një lajm i keq. Ai tha se do të ketë një vlerësim dhe analizë serioze brenda CIA-s dhe se do të ishte i befasuar nëse njerëz brenda CIA-s nuk do të humbisnin vendin e punës për këtë çështje,” thotë Raphael Satter​, gazetar i Associated Press​.

WikiLeaks tha se mjetet kibernetike të agjencisë së spiunazhit ishin shpërndarë mes disa ish-hakerëve të qeverisë amerikane dhe më pas njëri prej tyre i ndau ato me WikiLeaks.

“Ne nuk komentojmë mbi vërtetësinë ose përmbajtjen e dokumenteve që pretendohet të jenë sekrete”, tha zëdhënësi i CIA-s, Jonathan Liu.

Ndërsa ish-drejtori i CIA-s, Michael Hayden i tha rrjetit MSNBC se nëse dokumentet janë të vërteta dhe “shpjegojnë taktikat, teknikën, procedurat, objektivat dhe rregulla të tjera politike, atëherë kjo do të ishte shumë e dëmshme”.

Kryetari i komisionit për Çështjet e Kudërzbulimit në Dhomën e Përfaqësuesve, Davin Nunes tha se ishte tepër i shqetësuar nga publikimi i dokumenteve dhe i ka kërkuar komunitetit amerikan të zbulimit më shumë informacione.

Publikimi i numrit të madh të dokumentave që WikiLeaks pretendon se në përmbajtjen e tyre shpjegojnë aftësitë kibernetike të CIA-s vjen në një moment tepër të ndjeshëm: komuniteti amerikan i zbulimit është i përfshirë në një konfrontim me administratën e presidentit Donald Trump mbi pohimet për ndërhyrje kibernetike ruse që kishin si synim ndikimin në zgjedhjeve presidenciale amerikane.

Please follow and like us: