Çadra e opozitës?/Negocime ose kaos e diktaturë!
Palët politike duhet të ulen në negociata dhe të gjejnë formulën e qeverisë që do të realizojë zgjedhjet parlamentare, ndryshe Shqipëria mund të futet në kaos madje dhe diktaturë. Profesori i Filozofisë dhe i Komunikimit, Artan Fuga, në një intervistë për “Shekulli”, analizon situatën ku ndodhet vendi.
Partia Demokratike po i bën sot 20 ditë që është vendosur në çadrën para Kryeministrisë. Përgjatë këtyre ditëve ka pasur një komunikim intensiv me publikun nga të dyja krahët politikë për alternativën e PD për të shkuar në zgjedhje me një qeveri teknike. Si do t’i përshkruanit këto gati 20 ditë protestë?
Unë nuk merrem me përshkrime të asaj që po ndodh prej më shumë se dy javësh te bulevardi kryesor i vendit. Është media që merret e duhet të merret me raportimin dhe fatkeqësisht nuk e bën. Bën biseda ne studio, bëhen intervista nga Çadra e Lirive Politike, por raportime të vërteta, sikurse bën një reporter, të përditësuara nuk bëhen. Unë si profesor edhe i Gazetarisë dhe Komunikimit, ndihem keq nga kjo që e quajmë “censurë e fshehur”, që në fakt është shumë e hapur. Nga kanë frikë këto media? Sigurisht nga pushtete të ndryshme. E mund të shkohet kështu në zgjedhje kur mediat japin pa fund raportime edhe për një pasthirrmë që lëshon ndonjë ministër ose ministre, dhe nuk raportojnë nga ngjarja më e rëndësishme politike, që përjeton kombi prej më shumë se dy javësh. Unë nuk e përshkruaj dot, por një konkluzion mund ta jap! Gjendja atje, pra fakti që kemi një protestë, pas një mitingu dhe marshimi popullor shumë masiv, një çadër midis ndërtesës së kryeministrisë dhe asaj të Kuvendit, dëshmon se institucionet edhe simbolikisht kanë rënë. Drejtësia anatemohet si e mbaruar pikërisht nga politika. Qeveria ndodhet nën bllokimin e protestuesve. Kuvendi, pa përfaqësuesit e pakicës opozitare. Gjendje katastrofike. Do të thuash ti se kemi qenë kështu edhe më parë! Jo. Historia nuk përsëritet. Më parë kemi pasur kriza institucionale, por shumica e opinionit anonte në besueshmëri nga ndonjë individ ose parti, kurse tani së pari ka një bjerrje të besimit nga ana e qytetarëve ndaj institucioneve dhe një çarje të madhe në besueshmëri e individëve që udhëheqin krahët e kundërt. Unë kam ndrojtjen e madhe se Shqipëria po shkon gradualisht nga dita në ditë, ose drejt kaosit, ose drejt një diktature të hapur. Kam provat për këtë. Shoqëria me dy pushtete, një te Kryeministria e një tjetër te Çadra poshtë, do të prodhojë shumë shpejt kaos. Kurse një tërësi institucionesh pa opozitë, e çon vendin direkt në një diktaturë institucionale. Po ndodhi kjo mjerë Shqipëria! Aq më shumë se herë të tjera partnerët ndërkombëtarë kanë pasur më shumë vëmendje politiko gjeostrategjike te Shqipëria dhe ndërhynin më drejtpërdrejt. Aktualisht kriza europiane dhe politika e re amerikane e pashfaqur ende plotësisht në horizontet e reja të Presidentit Trump, ka lënë një farë boshllëku të fortë në politikën shqiptare.
Javën e kaluar, përfaqësues të maxhorancës i ofruan Bashës alternativën e bisedimeve në tryezë për të diskutuar për ngërçin e krijuar por nuk pati një letër-këmbim zyrtar, ndërsa Basha mblodhi aleatët për të dalë në një qëndrim për ftesën për dialog. Si i komentoi ato lëvizje?
Nuk kuptova as se çfarë ofruan dhe as se çfarë kundër propozuan aleatët në opozitë. Ishte më shumë një si furtunë në kushtet e pranisë të zonjës Mogherini në Tiranë. Nuk u kuptua se çfarë propozuan aleatët në qeverisje, sepse unë nuk pashë ndonjë tekst zyrtar deklarate të botohet e zezë mbi të bardhë, por edhe nga ana e opozitës sipas meje atë pasdite pati një lloj shpërqendrimi sepse flitej sa për qeveri teknike, aq për qeveri me bazë të gjerë sa për qeveri të qëllimeve të mira, etj. Por, këto janë zgjidhje politike të ndryshme.
Sipas jush sa i qartë ka qenë kryetari i opozitës në kërkesat e tij për qeverinë teknike dhe si do i konsideronit reagimet e përfaqësuesve të maxhorancës?
Zoti Lulzim Basha po e thotë qartë, qeveri teknike si kusht për zgjedhje të lira. Maxhoranca deri tani nuk ka dëgjuar nga ai vesh. Problemi është se koha po funksionon mbrapsht duke shkuar marramenthi drejt pikës zero. Qeveria duket e fortë, por a do të bëhen ose jo zgjedhjet këtë nuk e ka në dorë qeveria, por Lulzim Basha. Duhet të analizojmë ftohtë. Imagjinoni sikur ditët e fundit ose pak orë para zbardhjes të rezultatit të zgjedhjeve, Partia Demokratike të tërheqë komisionerët dhe kandidatët e saj! E imagjinoni se çfarë ndodh. Shqipëria imediatisht kthehet realisht në një shtet diktatorial. E mendoni Parlamentin shqiptar para njëzet vjetësh, kur Partia Socialiste nuk hyri në Kuvend dhe përballë Sali Berishës ishte një dhe vetëm një deputet socialist, një Sali socialist, sepse edhe ai Sali e kishte emrin. Shqipëria përfundoi në gjakderdhje. A ka forca sot në Shqipëri që mund të prodhojnë gjakderdhje? Unë them se edhe sot ka, çdo shoqëri ka. Pra, qeveria sado indiferente të duket është e ndjeshme dhe fragjile. Ndërkaq, edhe opozita duhet të ruhet për të mos kërkuar fitoren elektorale në tavolinë dhe t’i konsiderojë zgjedhjet e fituara.
Sepse në një farë mënyre nëse qeverisë i kërkohet të iki si e dështuar, dhe ajo pranon, atëherë kështu ajo pranon edhe humbjen në zgjedhje. Para zgjedhjeve. Ideja është për qeveri teknike, sepse opozita nuk ka besim te qeveria se i realizon ato zgjedhje lirshëm. Kurse analiza e qeverisjes është diçka tjetër. Unë mendoj se bashkimi i kërkesës për qeveri teknike me analizën e dështimeve të qeverisë, ndonëse duket si një mbivendosje e paevitueshme, e vështirëson zgjidhjen e problemit. Sado të duket e çuditshme alternativat tona paraqiten: Negocime, ose kaos e diktaturë. Negocime të vërteta ose kaos. Unë shoh se as zoti Lulzim Basha nuk mund të tërhiqet më pas dhe ai ka avantazhe politike që sa vinë dhe i forcohen me afrimin e ditës së zgjedhjeve, sepse ai ka në dorë të mos i pranojë ato, por shoh se edhe me këtë tërsëllëmë që kanë marrë punët edhe zoti Edi Rama si vështirë të tërhiqet. Flas në kushtet e sotme në mbrëmje, sepse një sinjal nga jashtë, ose një skandal që mund të shpërthejë dhe ta kthejë opinionin shqiptar nga gjendja e pakënaqësisë në atë të inatit, me bllokime sheshesh, historia mbaron. Por, do të kemi pastaj zgjedhje zoti na ruajt!
Ka pasur një propozim që kryeministri i qeverisë teknike të vijë nga radhët e PS. Sa e përmbush kjo kërkesën për të pasur administratorë të besueshëm të procesit zgjedhor?
Tani të vijmë te qeveria teknike. Edhe sikur të mos kishte para droge ose manipulime. Sot në zonat elektorale të gjitha pushtetet janë në duart e militantëve socialistë. Taksat, drejtoritë arsimore, shëndetësore, komisariatet e policisë, prefektët, kryetarët e bashkive. Mendoni ju se një qytetar i thjeshtë, ta zëmë që i punon gruaja si pastruese në muzeun e Gjirokastrës, do ta kishte të lehtë të shkonte në mitingun e opozitës, nëse atje ta zëmë nga qeveria do të kandidonte ministrja e Kulturës? Kuptohemi sepse ata nëpunës nuk janë punonjës të vërtetë civilë, por militantë politikë, që e dinë se një ndryshim pushteti drejtorët e muzeve i kthen në pastrues muzesh! Pra opozita ka të drejtë të veçojë fuqinë e qeverisë nga procesi elektoral. Por, një qeveri teknike duhet të shihet me kujdes.
Duket si e papranueshme nga të dy palët, por në thelb ka shumë forma dhe nuanca të qeverisë teknike që me urtësi të dy palët mund ta realizojnë. Nuk është ndonjë gjë që nuk bëhet. Ka mundësi për një hapësirë të përbashkët dialogu dhe vendim-marrje pa anashkaluar opozitën që kërkon me të drejtë qeveri teknike, por edhe pa e detyruar partinë socialiste në pushtet që bashkë me qeverinë teknike të pranojë edhe humbjen në tavolinë de facto të zgjedhjeve. Modestish e them se nëse duhet unë jam gati të përpunojnë një platformë me shumë zgjedhje alternative për këtë qeveri teknike poqese aktorët politikë e kërkojnë. Sigurisht jo vetëm, por në bashkëpunim me kolegë, me të cilët kemi infrastrukturat teknologjike, shkencore dhe metodologjike për ta bërë këtë gjë. Jemi gati! Shqipëria duhet nxjerrë nga gremina ku po bie.
A mendoni se krijimi i qeverisë teknike çdo 4 vjet është një alternativ që do i jap fund kontestimeve të gjithanshme të zgjedhjeve në vend, siç është hedhur një ide?
Një qeveri teknike mund të jetë sipas formateve të ndryshme, pra që edhe t’i japi besimin legjitim opozitës se nuk do shkojë në zgjedhje me një elektorat të ndrojtur dhe nën presion, por edhe ta sigurojë partinë në pushtet se me qeverinë teknike gara mbetet e hapur dhe se shkohet në zgjedhje të lira dhe të barabarta. Se me thënë të drejtën tangërllik të madh do të kishin ata ministra, të gjithë anëtarët e qeverisë, që edhe do të donin të kandidonin për deputet, por edhe të ruanin postin e ministrit. Kryeministri atyre mund t’u thoshte: Doni të bëheni deputet? Jepni dorëheqjen nga postet ministeriale njëherë dhe shkoni te elektorati si perandori Henri zbathur në Kanosë. Zbathur si të gjithë të tjerët. Por qeveria teknike nuk është veçse një kusht. Se qeveri teknike ishte pothuajse edhe një tjetër dikur, por ra sepse humbi besimin e partive politike. Ndërkaq duhet ribërë ligji elektoral. Duhet liberalizuar, sepse është antikushtetues gjithë ditën edhe gjithë natën. Duhet liberalizuar ai. Por, për këtë flasim herë tjetër. Unë e kam mik dhe ruaj shumë respekt për zotin Koço Kokëdhima, por nuk jam dakord kur ai thotë se anëtarë komisionesh elektorale duhet të jenë nëpunës të shtetit. Po të ishin nëpunës tamam, mirë do ta kishte. Por, ata janë militantë partiakë kokë e këmbë të njëanshëm. Unë kam një formulë tjetër për anëtarët e komisioneve elektorale, por edhe për këtë poqese ma kërkojnë mund ta paraqes bashkë me kolegët me të cilët punojmë prej vitesh.
Ju jeni ndër akademikët që e keni mbështetur kërkesën e opozitës për qeveri teknike. Pse mendoni se kjo qeveri nuk bën dot zgjedhje sipas standardeve ndërkombëtare? Ku qëndron problemi thelbësor?
E thashë përse. Sepse supozoj ministren e Arsimit, ta zëmë që shkon për fushatë elektorale. Me të do të shkojë edhe prefekti, edhe kryetari i bashkisë, edhe drejtoresha e drejtorisë Arsimore, edhe drejtori i shkollës, të gjithë socialistë, edhe të mbështetur ta zëmë nga zëvendëskryeministri, edhe ai socialist, dhe mendoni se përpara kësaj makineria gjigante që të merr frymën, shpirtin erzin, ka zysh filloreje që thotë: Mirëmëngjes shërbëtorët e mi, unë do të shkoj në mitingun e opozitës dhe jo te ju? Ka budalla që e ha këtë?