I gjithë pushteti sovjetëve!
Kryeministër, kryeprokuror, kryegjykatës, kryeredaktor, kryeaktivist i shoqërisë civile! Jemi në 100 vjetorin e parrullës “i gjithë pushteti në duart e sovjetëve”, nuk jemi në Bashkimin Sovjetik, jemi në Shqipëri 2017. Krye kreu i të gjithave po kërkon të bëhet një individ që u votua vetëm për kryeministër, por sillet sikur është votuar për kontrolluar katër pushtete njëherësh.
Kur ka mbetur edhe më pak se katër muaj nga përfundimi i mandatit, kalaja e fundit që i ka mbetur pa marrë është drejtësia. Mesa duket, instikti autokratik që e karakterizon, i pëshpërit në vesh:- drejtësinë duhet ta marrësh para fundit të mandatit të parë. Merret me mend, mandati i dytë, kështu si ka qeveris mandatin e parë ka pak gjasa të fitohet, prandaj duhet të merret. Dhe që të merret duhet mbyllur edhe kjo puna me vettingun. Në rast se opozita nuk do të kishte dal me çadër në shesh, nuk do të kishte më asnjë hapësirë mediatike.
Media, përjashto atë on-line, pothuajse kontrollohet nga pushteti, nëse do të shohësh lajme, nuk ka nevojë më të bësh zapping televizionit, është e kotë, në të gjitha edicionet transmetohet e njëjta kasetë. Si?! Tendera, konçensione, leje ndërtimi dhe dajak për ndonjë gazetar që s’ka “kapacitete” të bashkëpunojë si biznesmen me pushtetin, por bën thjesht punën e gazetarit.
Turpi i turpeve është shoqëria civile. Ky pushtet, i cili e ka shfrytëzuar maksimalisht shoqërinë civile kundër pushteteve të mëparshme, sot është varrmihësi i shoqërisë civile. Shoqëria civile është kthyer tashmë në një patericë të mirfilltë të pushtetit. Katër vite në pushtet të rilindjes, nuk kemi parë asnjë aksion serioz nga shoqëria civile kundër pushtetit. Por kur bëhet fjalë për të mbështetur pushtetin e sovjetëve, shoqëria civile është gati të ngrejë edhe çadrat e turpit të vettingut. Kur llogaritë e sovjetëve nuk dalin, dhe për këtë shtyjnë ngritjen e komisioneve të vettingut në shkelje të kushtetutës, shoqëria civile nuk ndihet, nuk i qëndron pas “firmës” së saj.
Keqpërdorim më të ulët se ky i shoqërisë civile nuk ishte parë më parë. Nuk kanë qenë aspak të kulluar pushtetet e mëparshme, por në kishte shoqëri civile, ishin kundër pushtetit. Kishte shumë media kundër pushteteve të mëparshme, sot i ka futur pushteti në “kazan” dhe i shërben çorbë me regji qëndrore sipas shijeve të veta. Ekziston një teori- lereni t’i marrë të gjitha sepse nuk do të mund t’i mbajë dot shumë kunguj nën sqetull njëkohësisht. Kjo teori në Europën Juglindore duket se dështoi. Popujt e kësaj pjese të Europës janë të prirur t’u binden diktatorëve. Shembujt janë të shumtë dhe të freskët, Turqia, Rumania, Maqedonia (në krizë për këtë shkak), Serbia po ashtu po shkon drejt një gjendje të tillë. Diktatorët janë në gjendje t’i mbajnë shumë kunguj nën sqetull, dhe për këtë shkak nuk duhen lënë t’i marrin të gjitha.
Të marrin gjithçka nëse i beson kësaj teorie, të marrin lirinë, dinjitetin, edhe shpresën ta marrin. Shqipëria po shkon me shpejtësi drejt këtyre shembujve, për të mos thënë që është edhe më keq akoma, sepse në këto pushtete të kapura ka hisen e tij edhe krimi, si askund tjetër në këto përmasa. Kjo situatë, në vazhdon kështu, ka për të çuar në kriza dhe shpërthime të paparashikueshme. Por, eksperiencën e kemi, populli ynë ka zor sa të ngrihet, po u ngrit, nuk rrëzon thjeshtë një pushtet, por rrëzon gjithçka që i del përpara. Demokraci dhe shtet ligjor nënkupton ndarje pushtetesh, kjo gjë nuk po ndodh, ky është fakt, ndaj duhet detyruar pushteti të respektojë rregullat e demokracisë. Ne po bëjmë shtet – thotë kryeministri. Në fakt po bën pushtet (personal) dhe jo shtet! A duhet lënë gjendja deri në atë pikë sa populli të ngrihet dhe të djegë jorganin për një plesht??? Unë mendoj se jo. Më mirë të largojmë vetëm pleshtin dhe të ruajmë jorganin.