Gruaja e Martin Camajt: Jam e lumtur që u martova me shqiptar
Ndërsa pak ditë na ndajnë nga 25-vjetori i vdekjes së shkrimtarit Martin Camaj gruaja e tij ndodhet në Tiranë për të ndjekur aktivitetet që do të zhvillohen për ndër të tij.
Erika Camaj është shprehur se e gëzon fakti që shumë personalitete shqiptare e vlerësojnë shkrimtarin ndërsa tha se ishte e lumtur dhe e vetëdijshme që u martua me një shqiptar.
“Kam dëgjuar se shumë personalitete shqiptare e vlerësojnë Camajn. Kjo më gëzon. E kam përjetuar veprën e tij me elementë të theksuar shqiptarë sepse që kur u martova me të isha e lumtur dhe e vetëdijshme që po jetoja me një shqiptar”, është shprehur Erika.
Camaj themeloi në Prekal shkollën ku veproi si mësues i vetëm deri më 1948. Camaj mori pjesë në rezistencën kundër partizanëve komunistë gjë që bëri që në diktaturë të qëndronte në arrati dhe të mos i përmendej emri.
Viti 1950 e gjen Martinin në Beograd ku u regjistrua në universitetin e kryeqytetit jugosllav. Pas mbylljes së studimeve në Beograd, Camaj përgatitet për formimin pasuniversitar në albanologji pranë fakultetit filozofik të Universitetit të Sarajevës.
Në dhjetorin e 1960-ës vendoset në Mynih ku përzgjedh si vend studimi Seminarin e Gjuhësisë me synimin që të përvetësojë metodat e studimit gjuhësor historiko-krahasues.
Më 1969 martohet me Erikën, me të cilën nuk pati fëmijë. Më 16 korrik 1971 merr emërimin si profesor joordinar në albanologji, ndërsa më 14 shtator 1978 emërohet ordinar me marrëdhënie punësimi të përhershëm.
Jetoi në Lenggries dhe vdiq më 12 mars të vitit 1992 në Mynih.
Veprat e tij me nivel të lartë artistik nuk ishin të studiuara ndërsa vetëm pas rënies së demokracisë i botohen shkrimet në atdheun e tij.
Disa nga veprat më të rëndësishme të Camajt janë vëllimi i tij i parë me varg klasik “Nji fyell ndër male”, Prishtinë 1953 (Një fyell ndër male), dhe “Kanga e vërrinit”, Prishtinë 1954 (Kënga e lëndinave), u frymëzuan nga banorët e zonave ku lindi, malësorët e veriut, mbas të cilëve qëndroi shumë i afërt shpirtërisht edhe mbas shumë e shumë viteve në mërgim dhe pamundësia për t’u kthyer.
Këto u ndoqën nga “Djella”, Romë 1958, një novelë me disa vargje mbi dashurinë e një mësuesi me një vajzë të re.
Përmbledhja e poezive “Legjenda”, Romë 1964 dhe “Lirika mes dy moteve”, Munich 1967, kishte disa poezi nga “Ksnga e vërrinit”, që u ribotuan në “Poezi” 1953-1967, Munich 1981.