Hafizi në Kuvend: Të vendoset standardi i minimumit jetik
Seanca plenare e Kuvendit, ku sërish nuk është e pranishme opozita, nisi të enjten me diskutimin e deputetes së partisë LIBRA, Mimoza Hafizi, e cila përsëriti shqetësimin për vendosjen e standardit të minimumit jetik në Shqipëri dhe për të cilin qeveria nuk ka ende një studim.
“Kemi tre muaj, tha Hafizi, që nisma jonë ligjore për njohjen e minimumit jetik ka ngecur në procedura parlamentare. Njohja e minimumit jetik janë të ardhurat që duhet të ketë çdo njeri për ushqim, për arsim dhe kujdes shëndetësor. Njerëzit që kanë më pak të ardhura se ky minimum jetik duhet të konsiderohen të varfër. Sot, ka 400 mijë shqiptarë që jetojnë me 400 lekë të vjetra në ditë”, u shpreh deputetja Hafizi.
Ministria e Financave, vijoi ajo, e kundërshton këtë duke kërkuar një analizë të impaktit financiar dhe buxhetor që duhet të kryhet nga ekspertë.
Në emër të partisë LIBRA, Hafizi kërkoi që minimum jetik t’i nënshtrohet një debati publik në parlamentin e Shqipërisë.