Ish-deputetja e BDI-së: Ja pse politika maqedonase është e padrejtë me shqiptarët
Ish-deputetja e BDI-së, Ermira Mehmeti, edhe pse tashmë jashtë politikës aktive, vazhdon kohë pas kohe që të komentojë zhvillimet politike në Maqedoni. Ajo së fundmi nëpërmjet një statusi social në facebook ka kritikuar Maqedoninë si shtet se luan politikë të dyfishtë. Nga njëra anë zemërohen kur Greqia ua mohon të drejtën e emrit kushtetues, e nga ana tjetër bashkëqytetarëve shqiptarë jua mohon të drejtën e gjuhës. Përveç këtij dallimi, Mehmeti ka numëruar edhe disa raste tjera.
“Po na zemërohen kur vendi fqinj u mohon të drejtën e përdorimit të emrit, kurse bashkëqytetarëve ua mohojnë përdorimin e gjuhës së tyre.
Zemërohen kur një vend tjetër fqinj u kishte mohuar të drejtën si shtet amë të kujdeset për pjesëtarët e popullit të saj përtej kufijve, kurse protestojnë pse një shtet amë kujdeset për të drejtat e popullit të vet.
Zemërohen kur kisha në një vend të tretë fqinj përzihet në çështjet autoqefale dhe të identitetit, kurse vet i detyrojnë predikuesit të përzihen në politikë dhe të udhëheqin protesta shoviniste kundër bashkëqytetarëve të tyre.
S. Ky nuk është një status nacionalist. Kjo është një përpjekje e thjeshtë për të ilustruar se politika e mohimit të të drejtave të dikujt është po aq zhgënjyese për të gjithë, për të gjitha kombet dhe për të gjitha bashkësitë etnike”, kështu ka shkruar në profilin e saj në facebook Ermira Mehmeti.