Kujtim Gjonaj: Vendosja e Ministrisë së Kulturës në Kinostudio shkatërroi historinë e filmit
“Ne jemi komb që në përgjithësi mohojmë të kaluarën”, – thotë regjisori i njohur Kujtim Gjonaj ka një krijimtari të vlerësuar në filma. Gjonaj flet për punën që bëhet për filmin, por ndalet dhe te problemet në fushën e kinemasë. Tregon se duhet të ketë më shumë investime, por sipas tij, kinemaja është një art që duhet të bëhet nga profesionistët. Problem të madh regjisori shikon dhe mungesën e distribuimit të filmit. Sipas tij është fatkeqësi, që sot filmi nuk shkon dot te publiku. Regjisori ndalet dhe tek Kinostudio, që sipas tij është harruar historia e kinemasë dhe sot aty është Ministria e Kulturës. “Ne kemi vakum historik, dhe në këtë kuptim dhe vendosja e Ministrisë së Kulturës në Kinostudio, prishja e ambienteve që kishin një lloj vlere, uzurpimi i tyre nga televizionet, heqja e pllakës përkujtimore që ishte te dera e Kinostudios, të gjitha këto bëjnë këtë që ne themi historia fillon me mua. Por jo historia nuk fillon me mua, historia ka vijimësinë e saj. Por ne mundohemi ta shkelim paraardhësin me këmbë. Çfarë pune i prishte Ministrisë së Kulturës heqja e pllakës nga dera e Kinostudios që shkruante themelimin e saj. Se kuptoj çfarë pune i prishte termi Kinostudio “Shqipëria e Re”? Nga Kinostudio më pas erdhi emri “Albafilm”. Mua nuk më intereson kush është ministër, por mendimi i atij që ka pushtetin në dorë. Çfarë pune i prishte emri atyre, që erdhën në fuqi? Se u harrua një epokë mbi një 50- vjeçar. U shkatërrua ai vend. Merr brezin e ri sot dhe pyete ku po shkon, po shkoj në Kinostudio, por se di që aty janë bërë filma. Në këtë kuptim unë them që ne mohojmë, dhe kur harrojmë ne nuk kemi më histori”.