Poeti i madh grek Odisea Elitis dhe “Albaniada” e tij
Në dhjetorin e shkuar, një dokument origjinal historik del nga arkivat e Radiotelevizionit Grek (ERT) pas 60 vitesh mungesë dhe i prezantohet dëgjuesve të Radios Shtetërore Greke.
Bëhet fjalë për veprën e papërfunduar të poetit të madh grek, nobelisitit në letërsi në vitin 1979 Odisea Elitis, e cila që në titull të jep shkas për të kërkuar më tej rreth kësaj vepre dhe lidhjes së saj me Shqipërinë. Vepra mban titullin “Albaniada”, është transmetuar një herë të vetme pikërisht në fund të vitit 1956 në Stacionin Radiofonik të Athinës në ato vite i quajtur EIP.
Elitis lindi në Kretë, më pas familja u transferua në Athinë ku ai studioi Drejtësi në Universitetin e Athinës. Poezitë e tij të para u publikuan në vitin 1935. Ai ka qene dy herë drejtor i Radiotelevizionit ERT në vitet 1945–46 dhe 1953–54, ku dy vite më pas do të regjistroheshin si një dokument unik dhe autentik vargjet e poemës “Albaniada”. Një poemë kushtuar luftës antifashiste në territorin e Shqipërisë. Në vitin 1960 fiton Çmimin e Parë Shtetëror të Poezisë. Në vitet 1948–1952 dhe 1969–1972 ka jetuar në Paris. Veprat e Elitis u përkthyen në italisht, frëngjisht, anglisht, gjermanisht etj. Poeti grek Odisea Elitis vdiq në 18 mars 1996.
“Albaniada”, kjo vepër me këtë titull monumetal, të zgjedhur sipas modelit të eposit homerik, u transmetua në Radio nën shoqërimin e muzikës së kompozitorit të shquar grek Manos Haxidhakis, regji radiofonike të Nikos Gacos dhe recitim të Thanos Kocopulos dhe Micos Ligizu.
Ky ekzemplar unik u ritransmetua për herë të parë ekskluzivisht pas 60 vitesh në Greqi pak muaj më parë, në datën 5 dhjetor 2016 në orën 8 të mbrëmjes për dy orë të plota në Kanalin e Dytë dhe të Tretë, si dhe në stacionet radiofonike lokale të ERT në të gjithë Greqinë. Në këtë ritransmetim të munguar për 60 vjet, mikpritës në studio ishte Kostas Kanavuris, bashkë me poetin Jorgo Koropulis dhe historianin Menelao Haralambadhis, të cilët pas transmetimit radiofonik të dokumentit historik, diskutuan dhe e ndriçuan veprën nga ana historike, artistike, shoqërore dhe radiofonike.
Korifeu i poezisë helene, duke iu referuar veprës së tij “Albaniada”, në një intervistë dhënë revistës studentore “Panspudhastiki” në vitin 1962, theksonte:
«… Kjo poemë nuk u botua kurrë. Vetëm është transmetuar në tetor të vitit 1956 nga Stacioni Radiofonik i Athinës…Nuk kishte, me aq sa di unë, asnjë rezonancë,megjithëse paraqitja radiofonike ndihmoi të theksohej teknika e veçantë. Ndoshta e kisha fajin unë, ndoshta tematika. Fakti është, se më mungoi nga ai moment e më tej dëshira për të vazhduar një vepër me dimensione kaq të mëdha…Punova mjaftueshëm me pjesën e dytë dhe papritmas e ndalova…».
Viti 2011 shpallet në Greqi viti i Odisea Elitisit, me rastin e 100-vjetorit të lindjes të poetit nobelist. Me këtë rast, studiuesi Panajoti Andhriopulu shkruan: “kujtojmë, por disa e injorojnë faktin se Elitis luftoi në Shqipëri në vitet 1940-1941 në vijën e parë të frontit”.
Në 28 tetor 1940 Elitis renditet si nëntoger në Shtabin e Komandës në Ushtri. Pjesëmarrja e Elitisit në luftën italo-greke në dimrin e vitit 1940-1941 ku ai ishte nëntoger në Sarandë, luajti një rol shumë të rëndësishëm në formimin e tij poetik dhe ideologjik dhe shënoi fillimin e një periudhe të re në pasurinë shpirtërore. Përvoja e tij në ato muaj të vështirë në Shqipëri do të ishin guri i themelit shpirtëror i një poeti të ardhshëm nobelist.
Gjatë luftës në Shqipëri, Elitisi u sëmur shumë rëndë nga tifoja e zorrëve dhe u shpëtua “nga mrekullia” siç ka rrëfyer edhe vetë autori. Vetë ai përshkruan përvojën e tij në front dhe thekson veprat në të cilat u reflektua përvoja e tij tronditëse poetike. Në datë 26 shkurt 1941 u transferua i sëmurë rëndë në spitalin e Janinës e më pas në Athinë.
Sipas disa studiuesve, Elitis donte të çmonte dhe vlerësonte bashkëluftëtarët e tij në Shqipëri nëpërmjet poemave, ndërsa disa studiues të tjerë mbrojnë tezën e shkrimit të poezive për mikun e tij poetin Jorgo Sarandari, i cili luftoi po ashtu në Shqipëri dhe vdiq pasi u transferua në Athinë i sëmurë shumë rëndë.
Duke shkruar për vendin ku ai luftoi dhe vuajti, Elitisi ka thënë: “Shqipëria për gjendjen time fizike ishte një aventurë e vështirë, por për historinë time shpirtërore, ishte një plagë e thellë…, u bë shkak lufta të kuptoja çfarë është luftimi, luftimi në grup jo ai vetjak. Dua të them çfarë domethënie ka të luftosh në një skuadër, me ideale të caktuara…”
Elitis shkroi tri poema me temë luftën në Shqipëri, në pranverën e vitit 1941 i sapokthyer nga fronti: 1. “Albaniada”, 2. “Barbaria” dhe 3. “Këngë heroike dhe e përzishme për nëntogerin e rënë në Shqipëri”. Vepra e tretë ka ardhur edhe në shqip. Për herë të parë, fragmente të saj nën përkthimin e Ismail Kadaresë janë botuar në vitin 1986 tek “Antologji e poezisë së re greke” (botimet Naim Frashëri). Kurse poema e plotë është përkthyer nga Romeo Çollaku dhe gjendet në përmbledhjen me poezi të përzgjedhura të Odiseas Eltisit, botuar në vitin 2014 nga botimet Odeon.
“Albaniada” është një vepër e papërfunduar me tri pjesë. Disa fragmente të saj u publikuan në tetor të vitit 1962 në revistën studentore, ndërsa gjithë pjesa tjetër e kësaj poeme u shkatërrua.
Në artikullin e kësaj reviste, të titulluar “Jetova mrekullinë e Shqipërisë”, shkëpusim:
Gazetari: – Si ka ndodhur që nuk është botuar “Albaniada”, mos ndoshta janë botuar fragmente në ndonjë revistë?:
Elitis: – Jo, kjo poemë nuk u botua kurrë. Por, u transmetua në tetor të vitit 1956 në Stacionin Radiofonik të Athinës me recitim të Thanos Kocopulos dhe Micos Ligizu, regjia radiofonike Nikos Gacos dhe muzika Manos Haxidhakis. Me aq sa di unë, nuk kishte asnjë rezonancë, megjithëse paraqitja radiofonike ndihmoi duke theksuar teknikën e veçantë të veprës. Ndoshta ishte faji im, ndoshta ishte faji i tematikës. Fakti është se më mungoi nga ai moment e më tej dëshira për të vazhduar një vepër me dimensione kaq të mëdha…Punova mjaftueshëm me pjesën e dytë dhe papritmas e ndalova….
Vepra tjetër “Barbaria” nuk u botua kurrë dhe është shkatërruar.
Në “Autoportretin” e tij shkruan: “Shumë pak njerëz e dinë se peshën më të rëndë në luftë e mbajnë nëntogerët. Armik ishte tirania, ishte forma e padrejtësisë”.
Pas luftës Elitis shqyrton në mënyrë sistematike marrëdhënien poezi-shoqëri.
Në vitin 1977 Teatri Kombëtar Grek prezantoi shfaqjen me fragmente nga poezi të ndryshme të cilat frymëzuan Odisea Elitisin, kryesisht nga lufta në Shqipëri. Në këtë shfaqje pati fragmente dhe nga poema “Albaniada”.
“Albaniada” ishte një vepër, e cila nuk e pa dritën e botimit, as ashtu e papërfunduar. Nuk jepet asnjë shkak për mosbotimin e kësaj vepre. Rreth kësaj mbetet vetëm ajo që thotë poeti, se ndoshta e kishte fajin tematika. Lufta italo-greke që Elitisi përjetoi në Shqipëri la gjurmë të mëdha në rrugëtimin e tij poetik, gjendja shpirtërore do të ndikonte vite më pas për t’u vulosur njëherë e përgjithmonë në shpirtin e tij poetik. Ndoshta, detyra e tij si drejtor i ERT-it do të ndikonte që të paktën radiofonikisht dy vite më pas të kishim një dokument të vetëm, vargjet e “Albaniadës”. Ndoshta këto vargje do të botohen në të ardhmen në Greqi, pse jo ndoshta do të përkthehen dhe në shqip, për ta parë lexuesit shqiptarë luftën italo-greke në një këndvështrim ndryshe, poetik, me sytë dhe shpirtin e një ushtari të ri grek, por me mjeshtërinë e një nobelisti të ardhshëm. /Vizion Plus/