Albspirit

Media/News/Publishing

Rohan: Kosova e ka ushtrinë e saj, FSK-në, çfarë dallon ajo nga një ushtri?

Vjenë, 9 mars 2017 – Ish-zëvendësi i ndërmjetësit të OKB-së në bisedimet për statusin e Kosovës, Albert Rohan, ka thënë se Forca e Sigurisë së Kosovës “realisht është Ushtria e Kosovës” dhe ka shtuar se çfarëdo ndryshimi lidhur me të duhet të bëhet brenda kuadrit kushtetues.

“Forca e Sigurisë së Kosovës është një ushtri. Kufizimi i vetëm është në numrin e saj dhe në pajisjet e rënda. Nuk e di se çfarë duhet të ndryshojë në konceptin dhe në mandatin e kësaj force. Në çfarëdo rasti, mandati i saj mund të ndryshojë vetëm brenda procedurave të ligjit të Kosovës dhe të Kushtetutës”, ka thënë Rohan në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.

Duke u përgjigjur në pyetjen se a mund ta krijojë Kosova ushtrinë e saj përmes ndryshimeve e plotësimeve të Ligjit për FSK-në, përkundër reagimeve të forta të NATO-s dhe SHBA-ve, Rohan ka thënë se ai nuk sheh dallim midis Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe një ushtrie të Kosovës.

“Por, ajo e ka një Ushtri. A mund të më qartësohet se cili është dallimi ndërmjet Forcave të Sigurisë dhe një Ushtrie?”, ka pyetur ai.

Albert Rohan ka thënë se dialogu i Brukselit është alternativa e vetme për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes Kosovës e Serbisë dhe ka theksuar se, në fund të dialogut, mund të ndodhë njohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia.

“Pranimi i shtetësisë si një fakt jetësor nuk mund të vijë në fillim, por në fund të dialogut. Do të ishte e pakuptimtë të shpresohej diçka tjetër. Në fund, Serbia mund ta njohë Kosovën… si do të ndodhë kjo nuk e di. Supozoj se kjo mund të ndodhë në kontekstin e anëtarësimit të të dyja vendeve në BE, kurdo qoftë. Por, kjo situatë do të ndodhte në fund dhe jo në fillim. Ndërkohë duhet të vazhdojë ky proces proaktiv i arritjes së gjërave të vogla, por të rëndësishme, një nga një, dhe të mos fillohet me çështjet e mëdha që nuk mund të zgjidhen sot”, ka thënë Rohan.

Ish-zëvendësi i ndërmjetësit të OKB-së në bisedimet për statusin e Kosovës ka folur edhe për krijimin e Asociacionit të Komunave më shumicë serbe.

Ai ka thënë se çështja e Asociacionit propozuar edhe me Planin e Ahtisaarit, por ka shpjeguar se ky asociacion nuk mund të ketë kompetenca ekzekutive dhe ka shpjeguar se ideja për formimin e Asociacionit buron nga Karta Evropiane.

“Ajo nuk është një shtresë administrative, jo diçka që ka përgjegjësi të veta, por një Asociacion që duhet të promovojë interesat e komunave”, ka thënë Rohan.

Ai ka shpjeguar edhe cilat mund të jenë kompetencat e asociacionit.

“Ka të bëjë me promovimin dhe mbrojtjen e interesave të përbashkëta të komunave. Detyrat do të ishin: trajnimi, ndërtimi i kapaciteteve, ndihma teknike, rekomandime të politikave. Pra për nga natyra është plotësisht e ndryshme nga ajo që Beogradi ka në mendje. Këso lloj Asociacionesh ekzistojnë edhe në vendim tim në Austri, në Gjermani dhe çdokund. Ne kemi një Asociacion të Komunave dhe një Asociacion të Qyteteve. Por, ato nuk kanë kompetenca vetanake. Janë organizma këshillëdhënës ose të lobimit. Ato diskutojnë, për shembull,për resurset financiare që duhet t’u jepen komunave, por pa kompetenca ekzekutive. Kjo është ideja e Këshillit të Evropës, kjo ishte ideja që ne kishim kur e futëm në Planin Ahtisaari dhe çdo gjë tjetër është në kundërshtim me këtë ide”, ka thënë ai.

Rohan ka folur edhe për Marrëveshjen e Demarkacionit mes Kosovës e Malit të Zi. Ai ka shprehur habinë që kjo çështje është problematizuar kaq shumë dhe ka theksuar se “kufijtë e Kosovës sot korrespondojnë me kufijtë në ish Federatën Jugosllave, përveç atij me Maqedoninë”.

“Zakonisht demarkacionet e kufirit janë procese teknike, ku teknikët dhe ekspertët vendosin se ku shtrihet vija kufitare. Nuk mund ta kuptoj se pse kjo është bërë një problem politik. Qëndrimi i opozitës është i vështirë të kuptohet. Do të duhej të ishte një proces i qetë ndërmjet dy fqinjëve që do ta përcaktonin vijën kufitare bazuar në hartat ekzistuese”, ka thënë Albert Rohan për Radion Evropa e Lirë. (r.m.)

Please follow and like us: