Të lutem, ma lër rehat Republikën e re!
Rrugës, në ecje e sipër, po dëgjoja dje për Republikën e re, për të cilën po fliste nga çadra e bulevardit zoti Basha. Ka të drejtë, jo vetëm ai, por edhe ca të tjerë që janë entuziazmuar këto ditë e shkruajnë në gazeta po për këtë gjë. Është vërtet term i bukur dhe veçanërisht për ata që lexojnë histori apo japin fillozofi nëpër shkolla a universitete…
Ajo që më dëgjoi veshi, po në ecje e sipër, ishte dhe puna e studentëve të shkëlqyer që duhej të drejtonin Shqipërinë e re apo Republikën e re të Bashës. Ishin nja 10000 të tillë që kishin ngelur rrugëve, e Rama i ka flakur a zëvëndësuar në zyrat e shtetit me njerëz të krimit…
Për të ndërtuar Republikën e re, natyrisht, duhet të shembim të vjetrën. Dhe duhet të pyesim: a di gjë zoti Basha për këtë Republikë të vjetër, p.sh., kush e ndërtoi dhe a ka ndonjë rol, apo, të paktën, a ka dëgjuar gjë për të. Se në këtë Republikë të vjetër është dhe vetë ai, pasi komandoi e dirigjoi në shumë poste për tetë vjet rresht.
Kjo kërkesë është e domosdoshme dhe kur e sheh problemin nga një kënd tjetër. Besoj që Basha, me kulturën juridike që ka marrë si një ish-student ekselence, e di që çdo situatë aktuale është produkt i asaj paraardhëse. Studentëve të ekselencës, që thotë Basha,ia ka penguar rrugën së pari vetë Basha dhe ajo partia që ai vetë drejton. Ja t’i marrim një shembull të vockël. Nëse kemi me dhjetëra universitete private që kanë prodhuar juristë më shumë seç i duhen Francës, e jo më Shqipërisë sonë, si të bëjmë me këta të vjetrit. Apo beson ndonjë këtu që kur ishte partia e zotit Basha i kishte penguar këto inisiativa për prodhime të këtij lloji, që ne i quajmë universitete private e të cilët kanë prodhuar studentë ekselence që i pengon Rama.
Rama i mbylli ca prej këtyre universiteteve, e për mendjen time duhet të mbyllte edhe ca më shumë. E kjo domosdoshmri duhet të vinte thjesht edhe për t’i hapur rrugë Republikës së re.
Në emër të Republikës së re që do të ndërtojë zoti Basha,ai thotë që do të ulë taksat deri në 9 përqind, të cilat paskëtaj do të jenë edhe më të ulëtat në Ballkan. Vërtet thua do të shpëtojmë dhe do të kemi bum investimesh të huaja? Po le ta zëmë se do t’u ulë vërtet taksat. Ky eksperiment do besuar edhe sepse e ka provuar ai dhe partia e tij. Në mandatin paraardhës kur qeveriste Basha dhe partia e tij taksat ishin të nivelit dhjetë përqind. Thua u rritën investitorët? Këtu mund të dalin shumë e të thonë se kështu ishte dhe ai nuk gënjen. E vërteta, natyrisht,është shumë më e thjeshtë. Mjafton të më thotë njëri se cilët kategori punëtorësh i afroi atëherë, apo do t’i afrojë zoti Basha në Republikën e re të tij, këtyre investitorëve? Ndoshta mendon se një pjesë e juristëve të universiteteve private që krijoi ai dhe partia e tij do të shndrrohen automatikisht edhe në profesionistë të një lloji tjetër.
Sepse investitorëve edhe t’ua bësh taksat zero, nuk të vijnë kurrë, kur nuk ka kush u punon në zanatet që kërkojnë specialistë. Po ta vriste ca mendjen zoti Basha dhe të tjerë, do ta kuptonin pse në Shqipëri vijnë vetëm për Call Center apo fasoneri…
Republika e re kërkon profesionistë të përsosur të krijuar në shkolla profesionale. Pikërisht këtë po e bën Rama dhe po e kërkon ta bëjë në emër të një republike që, natyrisht,është e ndryshme nga ajo e reja që kërkon të ndërtojë Basha. Nëse ka pasur tre mijë studentë në shkolla profesionale në kohën e Bashës dhe u bënë nëntë mijë këtë vit dhe, po ashtu, ka njëzet e shtatë mijë kërkesa për vitin që vjen, atëhere për mua jemi duke bërë vërtet Republikën e re në vend të asaj të vjetrës.
Republika e re, duhet të rregullojë edhe marrëdhëniet me pronën. Nëse partia e Ramës ka legalizuar njëzet herë më shumë se partia e Bashës, atëhere nuk kemi se çfarë na duhet kjo Republikë e re e Bashës. Republika e vjetër e krijuar së pari nga partia e Bashës e ngatërroi kaq keq punën me pronën sa deri tani kanë vajtur në varreza nja dhjetë mijë vetë. As në luftën e dytë nuk janë vrarë kaq shumë shqiptarë… Se për çfarë duhet dhe përse duhet të vrasë apo të vetëvrasë njerëz kjo lloj Republike e re, të cilën pati rastin ta shijojë edhe vetë zoti Basha në qeverinë e vjetër të tij, një zot e di. Unë për vete nuk e dua dhe jam gati të bërtas që Rama të legalizojë realisht dhe sa më shumë që të mundet.
Po le të themi se nuk ka asnjë meritë Rama në këto legalizime. Le ta zëmë se kështu është vërtet. Po, ndërkaq, një gjë e dimë me shumë siguri dhe pa na e thënë Basha.
Republika e vjetër e Bashës me komandantët Berisha e Nano krijoi katërqind e ca komuna e bashki. Sa herë kishte ndonjë fushatë zgjedhore shtoheshin disa…
Shumë më tepër se krijoi Zogu apo Enver Hoxha. Kur mendon se është rritur teknologjia apo telekomunikacioni si dhe numri i rrugëve lidhëse, duhet të ndodhte e kundërta me atë që kishte bërë Zogu apo Hoxha. Po këto katërqind që ndërtoi partia e Bashës, e cila ka vërtet këtu pjesën e luanit, ishin pa zyra, e pale të mendosh që mund të kish studentë ekselence. Po, po, kështu ishte në këto bashki a komuna, a ku di unë si duhet t’i emëronim realisht. Di vetëm që shtimi i tyre na i pakësoi pyjet, na prishi territorrin, na e ngatërroi më keq punën e pronave dhe krjoi një klasë të re xhambazësh apo qehallarësh militantë, që kontribuoi vetëm në zgjedhjet e radhës.
Rama e pakësoi shumë numrin e këtyre komunave dhe prapë i ka shumë ato që i kanë mbetur për mendjen time, po gjithsesi janë shumë, po shumë më pak se ato që krijoi partia e vjetër ku militon apo drejton Basha.
Republika e re e Bashës kërkon të vendosë rregulla të reja sepse, sipas partisë dhe militantëve të saj, Rama e betonizoi Tiranën. Po le ta zëmë se është kështu dhe se unë jam budalla sepse besoj në të kundërtën. Pra, vërtet, besoj se po të mos ishte Rama, do ta pinim edhe sot kafen që do rridhte nga ndonjë kioskë që mbante brenda saj dhe kalin e Skënderbeut apo se në bishtin e tij do të rridhte kafeja. Pra,le ta zëmë se jam fanatik i Ramës dhe nuk besoj që ai e bëri katrahurë Tiranën dhe Basha e rregulloi. Çdo shqipar që i ka hipur ndonjherë avionit, e sheh nga lart se nuk është puna e Tiranës kjo gjullurdi e kaos territori, po e një kasaphane që shtrihet në gjithë Shqipërinë dhe në të cilën ka katërqind mijë ndërtime pa leje. Thua i ka bërë Rama edhe këto, apo më së shumti partia e Bashës? Ajo që di unë me siguri dhe me siguri e ka mësuar edhe Basha, është që kush ndërton pa leje në Republikën që kërkon ndërtojë Rama, qoftë ky i bërë edhe në fshatin më të humbur, shkon në burg.
Në ish-Republikën e vjetër, ku qeveriste dikur edhe vetë Basha, po të kishte vazhduar edhe pak historia e saj, do të kishim mbetur përfundimisht pa pyje e pas ca kohësh dhe me një tokë të mbytur nga të gjitha anët për shkak të erozionit. Në Republikën që kërkon të ndërtojë zoti Rama, mund të futesh edhe në burg po preve dru pa leje. Mund të futesh në burg po nuk respektove sezonin e lejuar për gjueti. Madje është çmendur aq shumë ky zoti Rama sa ka bërë moratorium për të mos prerë pyje e për të mos vrarë zogj.
Për cilën Republikë të re flet zoti Basha?
Për atë të Tiranës që ndërtoi ai katër vjet kur ishte kryetar i saj e që filloi me një akt të paprecedent, jo vetëm në vendet e qytetëruara po dhe në ato të botës së tretë? Për atë Tiranë kur pas dy muaj kryetari i komisionit qendror që rinumëroi edhe njëherë nga e para votat e hedhura, nxjerr fitues zotin Basha, e për këtë rinumërim ky kryetar komisioni shpërblehet duke u bërë numri dy pas Bashës. Thua që ky njeri, pra zoti Basha, të shqetësohet vërtet për studentë ekselence të mbetur rrugëve? Shkoni dhe tregojeni këtë histori në Evropë dhe do të thonë thjesht: Jo, Republikë të re nuk ndërton dot kurrë ky njeri, po atë nuk mund ta marrësh asnjëherë seriozisht, apo t’i japësh zyra shteti. Akoma më shumë, mund të thonë në subkonshin e popullit, i ka larë njëherë e mirë hesapet për t’i dhënë gjë në dorë.
Unë besoj që Basha duhet të flasë për gjë tjetër dhe ta lërë shakanë me Republikën e re. Duhet të flasë, ndoshta, për një parti të re demokratike, nëse kjo do të ishte e mundur. Dhe nëse vërtet është e mundur, kësaj partie të re duhet t’i prijë një njeri që kërkon një Republikë të re, pa pjesëmarrjen e atyre që krijuan Republikën e vjetër, ku dhe Basha vetë është i vjetër më shume seç mendon.
Po nëse është i dashuruar me termin Republikë e re, atëhere të zërë edhe njëherë e të rrëmojë në librat e tij të shkollës, si bëhet kjo republikë në praktikë. Pasi, ai vetë, edhe kur jo vetëm e pa, por edhe kur kontribuoi në Republikën e vjetër që kërkon të shembë, ishte nga ushtarët më aktivë në qametet që prodhoi ajo.
Them që në të gjitha rastet është mirë ta lërë rehat Republikën dhe të vërë e të zgjidhë sherret e shamatatë me ata të vetët të vjetër, apo të rinj që po mprehin dhëmbët për t’u bërë deputetë në sezonin që po vjen, apo po mprehin dhëmbët që ta hanë atë vetë, kur të mbarojnë zgjedhjet e reja. Dhe siç kam shkruar dhe pak ditë më parë, ky vend nuk është në bulevard, po në zyrat e mëdha buzë Lanës.
Të lutem, ma lër rehat Republikën! Lëre të rregullojë pronat e sakatuara, pyjet e prera, lumenjtë e prishur dhe njerëzit që prehen nëpër varre nga maskarallëqet e një epoke që kurrë nuk duhet përsëritur! (Konica.al)