BE akordon 30 milion euro për refugjatët në Ballkan
Bashkimi Europian miratoi një paketë shtesë prej 30 milionë euro për të ndihmuar në trajtimin e ndikimit të krizës së refugjatëve në Ballkanin Perëndimor, siç publikoi Komisioneri Hahn në faqen e tij në twitter. Financimi do të mbështesë kryesisht Serbinë e Maqedoninë, por dhe vende të tjera të rajonit për të menaxhuar kufijtë e tyre dhe flukset e migrimit, për të akomoduar dhe për të ofruar shërbime për migrantët dhe refugjatët, si dhe për të mbështetur komunitetet pritëse. Ky financim i ri vjen pas asistencës së deritanishme të BEsë, me mbi 59 milion euro, të dhëna tashmë ndaj Serbisë dhe Maqedonisë, që nga fillimi i krizës së refugjatëve në vitin 2015.
Sipas Komisionit, “paketa e sotme do të ndihmojë për të përmirësuar më tej aftësitë e menaxhimit të kufirit dhe migracionit në rajon. Kjo do të lejojë mbështetje të vazhdueshme për policinë kufitare për kryerjen e kontrolleve të kufijve, në përputhje me standardet europiane dhe për të trajtuar trafikun e njerëzve. Fondet do të sigurojnë mbështetje të mëtejshme për këto autoritete për t’ju përgjigjur nevojave themelore të emigrantëve, apo refugjatëve, si akomodimi, shërbimet shëndetësore dhe të mbrojtjes, duke synuar në veçanti grupet më të rrezikuara. Mbështetja do të ofrohet edhe ndaj atyre emigrantëve, që dëshirojnë të kthehen vullnetarisht në vendet e tyre të origjinës.”