Albspirit

Media/News/Publishing

Analiza e politologut amerikan: Politika e SHBA në Ballkan mbetet e njëjtë

Presidenti i Institutit Amerikan të së Drejtës Ndërkombëtare me seli në Washington, Don Wallace, ka thënë se Shtetet e Bashkuara nuk do të braktisin NATO-n e as që do të ndryshojnë politikën drejt BE-së.

Ai gjithashtu tha se Washington-i nuk do të ndryshojë asgjë në marrëdhëniet me vendet e Ballkanit Perëndimor.

Wallace, për Radio Televizionin e Serbisë (RTS), tha se ende nuk e di se çfarë do të thotë “Bashkimi Evropian me dy shpejtësi” për anëtarët e tij, sidomos për ato që janë në lindje të kontinentit, raporton agjensia Tanjug.

Ai shtoi se ka spekulime se si do të duket Unioni pas Brexit-it dhe nëse administrata e Presidentit amerikan, Donald Trump, do të të ndryshojë politikën drejt Evropës dhe NATO-s.

Wallace ka theksuar se nuk ka vend për një frikë të tillë.

”Unë jam absolutisht i sigurt se SHBA-të nuk do të braktisin as NATO-n e as Evropën. Tani ne dërguam për herë të parë trupa edhe në Norvegji. Qëllimi është që Oslos t’i sigurohet mbështetja shtesë në raport me Moskën”, tha ai.

Wallace tha se “mendon që Brexit-i ishte një gjë e tmerrshme, ndërsa Trump-i e ka mirëpritur Brexit-in”.

“Por ai është optimist në lidhje me ndryshimet në marrëdhëniet me Rusinë. Gjithashtu, kreu i Pentagonit, James Mattis, dhe nënpresidenti Pence tashmë kanë qenë në Evropë dhe porositën se nuk ka nevojë për nervozë – nuk do të ketë ndryshim në politikën ndaj jush”, shpjegoi Wallace.

Ai beson se nuk do të ketë ndryshim në politikën e Washington-it ndaj Ballkanit Perëndimor.

”Për Ballkanin Perëndimor do të jetë e rëndësishme se kush do të jenë ambasadorët e vendeve të rajonit, ndihmësit apo zëvendës sekretarët e shtetit për rajonin, pasi që ende nuk janë emëruar. Mendoj se nuk do të ketë ndërhyrje ushtarake, apo diçka të tillë. Trump-i nuk beson në ndërhyrje ushtarake, nuk është rritur me atë ide dhe nuk ka asnjë rrezik”, përfundoi Wallace.

Please follow and like us: