Artur Zheji: Hajde vrasim dhe hajde t’fusim në burg xhepistat!
Këmbanat e fundit të një shoqërie të kapur kanë rënë prej kohësh. Kur anija e shpartalluar e shtetit, që gjithmonë një anije shpartallirë ka qenë, merr ujë dhe fundoset. Dhe kjo fundosje dhe ky fund, është sot rrëzimi i çdo njësie minimale matëse e të Drejtës nga e Padrejta.
Korrupsioni ka lindur me njeriun dhe do të vdesë bashkë me rracën njerëzore. Detyra e një shoqërie është ta mbajë atë në një ekuilibër të arësyeshëm, që nuk tejkalon masën e 20% të operacioneve financiare ndërshtetërore dhe duke rritur gradualisht masat rrepresive ndëshkuese.
Mirëpo të jeshë dorëlëshuar, nga frika apo nga paraja, me vrasësit serialë të shoqërisë shqiptare dhe ti lesh ata të lirë, një e nga një, është të dënosh me vdekje shoqërinë shqiptare. Kësaj i thonë: Hajde vrasim dhe hajde t’fusim në burg xhepistat!
Njeriu që nga vrasja e parë, që nga Kaini që vrau vëllain e tij, vrasjen e ka cilësuar si më të rëndin krim, që lyp edhe më të rëndin ndëshkim, që është të paktën izolimi i përjetshëm i vrasësit, që vret për motive të dobta dhe grabitqare.
Në Shqipëri ishte fillimisht e vështirë të dënoje vrasësit, e organizuar në banda dhe ende kështu vazhdon. Sepse ata, me miqtë e tyre blejnë ekspertizën, blejnë ose kërcënojnë dëshmimtarët, blejnë apo kërcënojnë gjykatësit.
Por situata e sotme, është fundi. Edhe ata dy apo tre superpersonazhe, si supervrasës që kanë tronditur Shqipërinë, që ishin dënuar, me disa burgime të përjetshme, janë sot të lirë ose drejt lirimit.
Ky është suksesi i Parë i madh i Vettingut dhe të një kryeministri që kërcënon, mëngjes, drekë dhe darkë, sistemin gjygjësor shqiptar, ashtu gjysmak dhe pa mbrojtje, nga askush.
Kjo është klima e sëmurë, e para diktaturës. Gjygjtarët dhe prokurorët, janë me dashje të vullnetit të qeverisë nën trysni të dyfishtë:
Nga njera anë, frika reale nga krimi, që ka shumë miq në shtet dhe nga ana tjetër, frika nga shteti, që kërkon ti hedhë në rrugë.
Cili do të ishte fati i një gjygjtari dhe familjes së tij, që ka nënshkruar një dënim të përjetshëm për vrasje, nëse hidhet në rrugë nga Vettingu, Rama-Xhafa?
Sigurisht askush nuk do tja dijë për këtë.
Prandaj dhe me sa duket dhe kjo është, krejt e turpshme, gjygjtarët që lirojnë prangat e vrasësve dhe hapin dyert e burgimeve të përjetshme, janë padyshim, shumë më pranë kualifikimit të pas vettingut, se sa ata, që i kanë futur në burg ata.
Mirë thotë populli: Edhe e Keqja ska fund!
Ky është rasti, por ku i dihet se çfarë dimri vjen pas.