Albspirit

Media/News/Publishing

Deklarata anti-Trump e Ramës e përkeqësimi i marrëdhënieve me SHBA

Kastriot Islami 

“Mos e dashtë Zoti që Amerika ta zgjedhë Trump për president”, kështu është shprehur kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në Zonën e Debatit në Klan Kosova gjatë fushatës elektorale për president të SHBA. Një ngjarje paprecedent…! Një deklaratë e turpshme! Një qëndrim i dënueshëm! Rama ka treguar gjatë kësaj interviste se është i lutur Zotit që kandidati republikan për President të SHBA, Donald Trump, të mos zgjidhet në këtë post. Dhe akoma më e rëndë ka qenë ajo që ka shtuar duke pohuar se “nëse ndodh që Trump të zgjidhet si i pari i SHBA-së, atëherë do të përkeqësoheshin marrëdhëniet diplomatike në mes të shqiptarëve dhe amerikanëve…”. Një deklaratë e rëndë dhe e rrezikshme, që eventualisht mund të ishte me pasoja të paparashikueshme për Shqipërinë e shqiptarët nga një personazh i kapur marrëzisht nga mania për pushtet apo frika nga humbja e tij.

Sulmi i Ramës ndaj Trump ndëhyrje maniakale për interesa personale pushteti…

Një deklaratë në kufijtë e marrëzisë nëse ka qenë tërësisht nga manitë personale. Apo një përzierje marrëzie me klientelizëm nëse kjo deklaratë është bërë pas një orientimi apo si shërbesë ndaj zgjatimeve të establishmentit anti-Trump. Në cdo rast, kjo që ka deklaruar kryeministri i Shqipërisë, nuk është thjesht e vetëm një ndërhyrje e paprecedentë në fushatën elektorale të vendit më të fuqishëm të botës por tregues se deri në çfarë niveli mund të dëmtohen interesat e vendit thjesht dhe vetëm nga manitë apo interesat e pakontrolluara personale pushtetmbajtëse. Një ngjarje e ngjashme me veprimet e lidershipit komunist që shkoi deri në prishjen e marrëdhënieve me SHBA, jo thjesht për arsye ideologjike, por mbi të gjitha për të marrë e ruajtur për 50 vjet pushtetin. Sigurisht që ky qëndrim është më kompleks dhe tregon edhe më shumë se kaq.

Rama, armët e tmerrshme kimike dhe zhgënjimi i madh

Për Ramën, kjo nuk ishte as hera e parë dhe as një ngjarje e veçantë; ai kishte premtuar, pa u konsultuar me askënd në Shqipëri, se mund të sillte në vend “armët e tmerrshme kimike” siriane që nuk i kishte pranuar asnjë vend tjetër i botës demokratike, madje shumë herë më i fuqishëm se Shqipëria  në çdo aspekt dhe disa dhjetëra apo qindra herë më i pajisur në mjete e burime njerëzore se Shqipëria për të menaxhuar armët e rrezikshme kimike siriane. Kjo ishte bërë, po ashtu edhe siç u refuzua, thjesht dhe vetëm për të siguruar një mbështetje politike për atë vetë personalisht, qoftë edhe në formën e nje letre vlerësimi nga Presidenti i SHBA, që Rama mendonte se do ti rriste jetëgjatësinë në pushtet. Ndërkohë që ky moment ishte edhe “zhgënjimi i parë i madh” i aleatit strategjik ndaj kreut të qeverisë shqiptare, zhgënjim të cilin Rama do të përpiqej ta sfumonte me kalimin e kohës me mbështetësit e tij që më vonë do të rrjeshtoheshin me establishmentin Anti-Trump .

E njëjta sjellje tipike manikale për pushtet e Ramës me “importin e plehrave të rrezikshme”

E njëjta sjellje dhe të njëjtat synime rezultojnë edhe po ti referohemi çështjes së “plehrave të rrezikshme” që mafia europiane, duket me shumë gjasa ka mundur të sjellë për ti depozituar në Shqipëri. Dhe kjo lëndë të rrezikshme do kishin për qëllim jo thjesht për të helmatisur shqiptarët por që Rama të siguronte një “pasaportë vlerësimi” për jetëgjatësinë e tij politike në pushtet në një moment kur shqiptarët po bëheshin gati për të shpërthyer për shkak të varfërimit e mjerimit të skajshëm dhe pamundësisë për të larguar me votë të lirë regjimin e “korrupsionit, krimit e kanabisit” të drejtuar nga Rama. Dhe kështu mund të radhiten dhjetëra shembuj, që kryeministri Rama kërkon të zgjasë jetëgjatësinë në krye të qeverisë me ndihmën e këtyre marifeteve. Po le të rikthehemi te deklarata e Ramës për presidentin Trump.

Ç’ka pasur parasysh Rama me përkeqësim të marrëdhënieve SHBA-Shqipëri me zgjedhjen e Trump?!

Normalisht bazuar në deklaratën e Ramës kundër Trump, shqiptarët duhet të prisnin me ankth që marrëdhëniet mes Shqipërisë e SHBA mund të përkeqësoheshin menjëherë pasi Trump do të futej në zyrën e Presidentit të SHBA, duke supozuar se kjo do të ndodhte për shkak të Trump të cilin Rama e kishte cilësuar si “turp i njerzimit”. Ose kjo do të mund të shkaktohej nga Rama përderisa ai të ishte Kryeministër i Shqipërisë, dhe për shumë arsye ai nuk do të mund të toleronte gjithçka Trump kishte deklaruar gjatë fushatës elektorale kundër ‘myslimanëve” e shqiptarëve (kjo e sajuar mediatikisht) gjë që kishte shërbyer për reagimin e “ashpër të Kryeministrit shqiptar.  Ose ndoshta edhe për shkak të “orientimeve” të ardhura nga “qëndra e establishmentit anti-Trump” për të minuar, qoftë edhe modestisht, administratën e re amerikane që do të vendosej edhe në Tiranë. Shyqyr zotit që kjo deklaratë marrëzie e Ramës s’pati asnjë efekt apo ndikim në marrëdhëniet mes shqiptarëve dhe amerikanëve, sepse interesat amerikane për Shqipërinë dhe shqiptarët në rajon, duke qenë strategjike, as nuk janë varur dhe as kanë ndryshuar nga ndryshimet në SHBA. Ndërkohë që Shqipëria, po ti referohemi periudhës së gjatë të sundimit komunist, ka prishur marrëdhëniet me SHBA për arsye në dukje ideologjike por në realitet për interesa personale të marrjes dhe mbajtjes së pushtetit; letë shpresojmë se Rama nuk ka patur parasysh një ekstrapolim të këtij qëndrimi kur ka bërë këtë deklaratë, për më tepër që një gjë e tillë, në kushtet qoftë edhe të “demokracisë hibride” shqiptare është e pamundur të ndodhë dhe do të hidje në erë nga shqiptarët.

Zgjatimet e betejës së Trumpit me establishmentin global, me ndikim deri në Tiranë e rajon…

Fatmirësisht, qytetarët shqiptarë, në shumicë masive, vazhdojnë ta konsiderojnë SHBA një “partnere strategjike” edhe pas zgjedhjes së Trump si President i SHBA, pavarësisht deklaratës së marrëzisë së Ramës, duke pritur madje që Rama të marrë ndëshkimin e merituar për mbroçkullën e lëshuar. Madje jo pak shqiptarë prisnin naivisht që Rama të largohej nga posti i Kryeministyrit, pas implikimit të tij të paprecedentë në zgjedhjet e shtetit më të fuqishëm dhe më demokratik të planetit dhe artikulimit turpërues. Kjo gjë nuk ndodhi, jo vetëm për shkak të amoralitetit të Ramës por ndoshta edhe sepse pas kësaj ngjarjeje, mesa duket, fshihet një marifet i koordinuar edhe globalisht me establishmentin anti-Trump, përmes së cilit Rama mendonte se do të mund të rriste jetëgjatësinë në krye të qeverisjes së vëndit. Anëtarë të kupolës së tij e ngushtë, ndonëse të dëshpëruar në ekstrem nga fitorja e Trump, edhe sot e kësaj dite shprehen, se të gjithë kundërshtarët e tij do të çuditeshin për mbështetjen që Rama do të siguronte nga SHBA, nëse “zoti do të kishte dëgjuar lutjen e tij kundër Trump…”.  Kjo lojë marifetesh sic duket nuk ka sosur ende dhe prandaj Rama vazhdon të përpëlitet në krye të qeverisë duke tentuar ta manipulojë zgjedhjet e të përfitojë nga koha e nevojshme që i duhet administratës së re anti-establishment për të vepruar edhe ndaj zgjatimeve të establishmentit anti-Trump deri në Tiranë, rajon e gjetiu, që synojnë të ruajnë statukuonë duke shpresuar se do të vijë dita kur ballanca do të zhvendoset në favorin e tyre.

Në vend të një përfundimi: Çadra e lirisë duhet të presë zgjatimet anti-Trump në Tiranë…

Situata politike në Tiranë është e tensionuar dhe mund të precipitojë në kaos, trazira sociale dhe destabilitet nëse Rama nuk largohet edhe për pak ditë nga drejtimi i qeverisë së “korrupsionit, krimit dhe kanabisit”, projekt që ka marrë trajtën aktuale edhe për shkak të mbështetjes që ka pasur dhe orientimeve eventuale që merr aktualisht nga establishment anti-Trump. Implikimi i Ramës në fushatën zgjedhore presidenciale në SHBA është tregues i qartë i kësaj ndërlidhjeje.  Shqiptarët kryesisht duhet të kuptojnë se “hallet e shqetësimet” e tyre, varfëria, papunësia e deri mungesa e kafshatës së bukës, lidhen ngushtësisht me Ramën në krye të regjimit të “korrupsionit, krimit dhe kanabisit” që ka pasur bekimin edhe të establishmentit anti-Trump, për të mos thënë më shumë se kaq. Madje edhe që sot orientohet prej për të rezistuar e mbijetuar.  Prandaj elita e “republikës së re” që ka ofruar Basha gjatë këtyre ditëve ne Çadrën e Lirisë, duhet të guxojë maksimalisht që krahas sensibilizimit dhe ndërgjegjësimit të publikut shqiptar për të rrëzuar “zgjatimin e establishmentit anti-Trump, që në Shqipëri është shfaqur në formën banale e të rrezikshme të një rregjimi “të korruptuar, kriminal e kanabist” të ndriçojë edhe administratën e re Trump për gjithçka ndodh në Shqipëri dhe mbi të gjitha për nevojën e veprimet të saj urgjent, pavarësisht angazhimeve të saj, shumë të mëdha e plot sfida, si brënda SHBA ashtu edhe në rajone problematike të globit. Sepse nuk është rastësi që gjatë këtyre ditëve deklarohet se në rajonin e Ballkanit dy shtete (madje në njërin jetojnë edhe 30 përqind shqiptarë) mund të shpërbëhen dhe tre shtete të tjerë, ku përfshihet edhe Shqipëria, janë në krizë të thellë, gati për të futur në kaos e përfshirë në trazira sociale…

Please follow and like us: