Ekspertët: Putin përpiqet të sabotojë demokracitë
Presidenti rus Vladimir Putin po përpiqet të sabotojë demokracinë në Shtetet e Bashkuara dhe Evropë dhe të shpërbëjë aleancën dhjetra vjeçare të NATO-s, duke ndërhyrë në zgjedhjet e tyre, thanë analistët e marrëdhënieve me jashtë në një seancë të Kongresit të enjten në Uashington.
Peter Doran, zëvendës president i Qendrës për Analiza të Politikave Evropiane, një organizatë që nxit marrëdhënie më të ngushta mes Evropës Qendrore dhe Lindore dhe Shteteve të Bashkuara, tha se ligjvënësit amerikanë “nuk duhet të kenë asnjë dyshim që Rusia është rivale e Shteteve të Bashkuara”.
Zoti Doran deklaroi se “qeveria ruse po e intensifikon përdorimin e propagandës shtetërore kundër demokracive perëndimore. Kjo vë në rrezik shtetet demokratike dhe NATO-n. Synimet strategjike të qeverisë ruse bien ndesh thellësisht me interesat amerikane në Evropë”.
Daniel Baer, ish-përfaqësues i OSBE-së tha se është e mundur që të gjenden gjurmët e fushatave të dizinformimit të që kanë në shënjestër demokracitë perëndimore nga agjencitë e zbulimit të Moskës, përmes degëve të veta të propagandës “tek një grup ndërmjetësish që e paraqesin veten si burime të pavarura”.
Ai tha se faqe interneti që kishin nxjerrë artikuj që dukeshin si lajme vitin e kaluar në Shtetet e Bashkuara, mund të jenë paraqitur si “legjitime dhe tërheqëse për të bindur audiencat. Për shembull, ato që kishin si objektiv përkrahësit e Donald Trumpit, mund të kishin përfshirë në profilet e tyre parulla si ‘Le ta bëjmë Amerikën madhështore përsëri’, ose ‘I krishterë, patriot, SHBA’ në profilet e tyre. Dhe në fakt, postimet mund ta kishin origjinën në një fabrikë lajmesh të rreme në Shën Peterburg”.
Zoti Baer tha se botimet që e kishin origjinën në Rusi më pas “ishin amplifikuar me mjete teknike, duke postuar mijëra mesazhe në Twitter me të njëjtat lajme të rreme të shoqëruar nga hashtage”.