Albspirit

Media/News/Publishing

Intervista/Kleo Lati: Kurtizanet e kohëve moderne, jetë luksi duke shitur trupin

Intervistë me shkrimtarin Kleo Lati për romanin e tij më të fundit, “Trupi im më përket mua”

11356063_770200349765257_1309948642_n

Një roman i cili nuk ul zërin para padrejtësive të heshtura, që bëhen zyrave të njerëzve të pushtetshëm. Një roman në të cilin spikat femra pa aftësi profesionale, por nëpërmjet trupit të saj arrin të jetë në postin e preferuar. Këto skllave moderne të seksit, apo edhe personalitetet që përdorin parat e pista të fituara në mënyra të errta, siç i quan edhe autori Kleo Lati kjo kategori njerëzish vërtet jeton në katet e sipërme të shoqërisë, por për nga degradimi dhe mjerimi shpirtëror jetojnë në “bodrumet” e shoqërisë

“Trupi im më përket mua” është një roman që pasqyron një realitet të ditëve të sotme, marrëdhënien ndërmjet pushtetit, parasë dhe femrës. Cila ishte shtysa për ju si shkrimtar që të trajtoni një temë të tillë?

Shtysa është vetë tema e mprehtë, që në realitetin tonë është shndërruar në një plagë sociale. Në marrëdhënien mes pushtetit, parasë dhe femrës spikat, me nota shumë të dhimbshme dhe të trishta, ai degradim moral dhe shpirtëror jo thjesht i disa njerëzve, por i kategorive të tëra sociale. Romani pasqyron atë marrëdhënie të pistë ndërmjet pushtetit dhe parasë, një marrëdhënie që çon në një degradim dhe mjerim shpirtëror që është në nivel të lartë, bile sa më lart që ngjiten njerëzit në katet e sipërme të politikës dhe biznesit, aq më poshtë bien ata në vlerat e tyre shpirtërore dhe morale. Njerëz të paaftë, pa vlera dhe merita të veçanta, por që për “meritë” kryesore kanë t’i ngjiten si kulpër pushtetit, duke siguruar më këtë pushtet sa më shumë pará, por edhe me fitimin e sa më shumë parave këta njerëz arrijnë të sigurojnë sa më shumë pushtet. Kjo lidhje e fuqishme, por e pistë dhe e ulët mes pushtetit dhe parasë, për këtë kategori njerëzish shfaqet edhe ne marrëdhënien me femrën, ndaj të cilës ata manifestojnë një etje dhe epsh të shfrenuar. Po aq të shfrenuar siç e shfaqin etjen dhe epshin edhe për pushtetin dhe paranë. Kjo i bën ata të besojnë se janë të gjithëpushtetshëm, pasi kanë gjithçka, fitojnë gjithçka, shijojnë gjithçka. Madje ata kanë iluzionin se bëjnë pjesë në elitën e shoqërisë. Por, sikurse thoshte teologu dhe filozofi gjerman Albert Schweitzer, “Kush beson se është i krishterë pse shkon në kishë, ai gabon. Njeriu nuk bëhet makinë kur futet në një garazh”… Kjo kategori njerëzish vërtet jeton në katet e sipërme të shoqërisë, por për nga degradimi dhe mjerimi shpirtëror jetojnë në “bodrumet” e shoqërisë.

Kjo kategori njerëzish me pushtet dhe pará në roman e shikon femrën si objekt kënaqësish seksuale?

11328937_770202229765069_13664923_nKështu del në roman, pasi kështu ndodh realisht në jetë. Të gjithë e shohin këtë realitet, këtë fenomen, femra që skllavërohen për trupin e tyre, që shihen dhe trajtohen thjesht si objekt seksual, si lodër në duart e meshkujve të fuqishëm me pushtet dhe pará, por që këtë pushtet duan që ta dominojnë edhe mbi trupin e femrës. Ky realitet gjen shprehjen e vet të dhimbshme edhe përmes thenies së njërës prej personazheve kryesore të romanit, Denisës, e cila vetë ka shitur trupin e vet tek njeriu me pushtet dhe pará, që kështu të sigurojë jetën e saj: “Sot njerëzit i zgjidhin problemet vetëm përmes dy rrugëve: ose përmes pushtetit, ose përmes parasë. Aq më mirë për ata që i kanë mundësitë me të dyja rrugët sëbashku. Bosi i ka të dyja këto…”. Dhe “bosi” Denisës, që është një politikan i lartë, një biznesmen, përbën, në fakt, një tipologji. Njerëz si ai janë ngjitur në majat e pushtetit dhe politikës, janë të mbrojtur prej pushtetit dhe parasë, por jo prej turpit. Për këta meshkuj, femra është thjesht një trup, një objekt, një send kënaqësie. Dhe po t’i referohemi sërish fjalëve të Denisës, realiteti i dhimbshëm bëhet akoma më i qartë. Ja si i thotë ajo, sekretarja dhe dashnorja, shefit të vet: “Jam skllavja jote…Bëj çfarë të duash me mua…Me ço lart në qiell, më përplas në tokë, më përdor si të duash…jam e jotja…bëj çfarë të duash me trupin tim…trupi im tani nuk është më i imi…është i yti…edhe marrëzitë më të mëdha jam gati të bëj për ty…”.

Po femra si mike? Femra si qenie njerëzore? Femra si shpirt i bukur, që dashuron bukur, sa vend zë në roman?

Vërtet që në titullin e romanit flitet për trupin e femrës, por në thelb romani më shumë flet për shpirtin, për botën e brendshme të personazheve, për ndjesitë dhe ndjenjat e tyre.  Romani jo vetëm stigmatizon njeriun që ka pushtet dhe pará dhe që femrën e sheh vetëm si trup, si objekt kënaqësie, si skllave seksi, si lodër erotike, por edhe himnizon femrën e virtytshme, dashurinë, pasionin. Kjo dashuri e pastër është virtyti që sfidon dhe shpesh, për fat të keq, sfidohet prej vesit, ashtu sikurse shpesh ndodh që e shëmtuara e sulmon ashpër të bukurën. Edlira, personazhi simpatik i romanit, është femra e virtytshme që edhe pse e gjendur përpara nevojës së mbijetesës, nuk e shet trupin e saj për të fituar një vend pune, sikurse ndodh rëndom sot në realitetin tonë.

Ju përmendni se një post zihet duke mos përdorur aftësitë profesionale, por ato trupore. Por këtë askush nuk e thotë me zë të lartë. Ju përse e publikuat në një roman?

Sepse unë kam një parim kur shkruaj: sado që të më pëlqejë të fantazoj, asgjë më të bukur nuk mund të krijoj nëse nuk pasqyroj realitetin. Dostojevski thoshte: “Nuk ka asgjë më fantastike se realiteti!”. Personazhet e këtij romani janë njerëz që i shohim përditë nëpër mjedise të larta politike, në parlament, në dikastere qendrore, në vende luksi. Është e papranueshme për një shkrimtar të heshtë përballë realitetit që jeton, apo ta zbukurojë atë, duke e shtrembëruar. Është vërtet e dhimbshme, shumë e dhimbshme që sot në Shqipëri njerëzit që kanë pushtet dhe pará të madhe sillen si padronë jo vetëm të pushtetit, por edhe si padronë të trupit të femrës, duke e detyruar femrën t’u jepet dëshirave, kënaqësive dhe epsheve të tyre thjesht nga nevoja që ato kanë për të carë në jetë. Heshtja ndaj një padrejtësie është, për mendimin tim, jo thjesht një padrejtësi tjetër, por edhe bashkëfajësi. Shoqëritë e kulturuara dhe të civilizuara dallohen, veç të tjerash, edhe nga fuqia reaguese ndaj të keqes, të së shëmtuarës, të ultës. Shoqëria shqiptare ka nevojë të shkundet, të zgjohet, të ndërgjegjësohet.

Ju sot e shihni në Shqipëri këtë sjellje ne trend?

Po, fatkeqësisht e shoh se në vendin tonë sot kjo mënyrë sjelljeje nuk është diçka e izoluar tek pak njerëz, por është shndërruar në trend, në mënyrë jetese, është bërë thuajse si diçka normale, e pranueshme, si një lloj fataliteti ndaj të cilit është e vështirë, në mos e pamundur, për të reaguar. Dhe kështu ndodh që skllavet e seksit – skllavet moderne të seksit, ato që janë me diploma dhe mastera, që bëhen sekretare dhe dashnore të shefave të fuqishëm – që unë do t’i quaja kurtizanet e kohëve modern. Janë të bukura si kurtizanet e dikurshme, zotërojnë aftësi dhe teknika për t’iu avitur njerëzve me pushtet dhe pará, por që megjithatë nuk e kanë shkëlqimin e kurtizaneve të dikurshme. Por këtyre kurtizaneve të kohëve moderne u mjafton shkëlqimi i jashtëm që sigurojnë pikërisht ngaqë jetojnë e bashkëjetojnë me njerëzit që zotërojnë pushtet dhe pará. Këto femra, që hyjnë në këtë lloj marrëdhënieje me këtë kategori njerëzish, sigurojnë jetë luksi në këmbim të shitjes së trupit të tyre.

A është paraja e pistë pushtet? Kjo para e fituar në rrugë jo të ndershme, a e meriton të të japë pushtet?

Paraja e pistë, normalisht, do duhej të ishte vetëm e tillë dhe kaq: pará e pistë. Por, për fat të keq, paraja e pistë këtu tek ne arrin që të krijojë pushtet. Pra, ajo ka aftësinë që të bëjë “pis” jo thjesht disa njerëz, por kategori të tëra njerëzish. Dhe sa më e pistë është paraja këtu tek ne, aq më shumë pushtet prodhon ajo. Nën zë, por edhe me zë, ndonëse jo të plotë, flitet për njerëz me pushtet që me pará të pista kanë vënë pasuri marramendëse brenda një kohe të shkurtër, kanë ndërtuar vila luksoze, kanë blerë makina luksoze. Por…me anë atë të pushtetit dhe parasë këta arrijnë që të sigurojnë edhe “dashnore luksi”, sikurse thuhet në roman. Sigurisht që kjo pará e fituar në rrugë jo të ndershme nuk e meriton aspak që të të japë pushtet. Madje edhe kur paraja fitohet me meritë dhe djersë, as ajo në vetvete nuk e meriton të të japë pushtet. Pushteti meritohet nga aftësia, nga integriteti, nga personaliteti i njeriut. Por mjerisht tek ne nuk ndodh kështu.

Përveç aftësisë, çfarë i mungon femrës, sipas jush, që shet trupin e saj për një vend pune?

Në rastin më klasik, këtyre lloj femrash, përveç aftësisë, u mungon dinjiteti dhe personaliteti i tyre. Ndaj dhe e kanë të lehtë, ose më të lehtë, që trupin e tyre ta venë në shërbim të qëllimit të tyre për të siguruar një vend pune. Ato tashmë e njohin shumë mirë realitetin shqiptar, se si funksionon ai, ndaj dhe iu aviten burrave me pushtet dhe pará, në këmbim të trupit të tyre. Por, le ta pranojmë, se jo pak femra detyrohen që të shkelin mbi dinjitetin dhe personalitetin e tyre – gjë që në kushte normale nuk do ta pranonin kurrë – dhe duke parë se të gjitha dyert u mbyllen, u përplasen dhunshëm në fytyrë, për të mbijetuar ato pranojnë të shesin trupin e tyre. Duket sikur sipër këtyre dyerve të mbyllura të shtetit është shkruar me shkronja të mëdha, aq sa t’i lexojnë të gjithë lehtësisht edhe nga një distancë e largët, pa qenë nevoja që të afrohen dhe të  shqyejnë sytë, siç ndodh zakonisht me shkrimet mbi dyert e zyrave: “Këtu nuk hyn askush që nuk paguan. Askush që nuk ka mik apo të afërt një deputet. Askush që nuk ka rekomandimin e një ministri. Askush që nuk është militant i partisë në pushtet”. Madje, sipër disa dyerve të mbyllura të zyrave të shtetit, duket sikur është shkruar me shkronja akoma më të mëdha dhe me ngjyrë akoma më të fortë se ato të tjerat: “Këtu nuk hyn askush që nuk ka bërë një krim. Askush që nuk ka vjedhur një bankë. Askush që ka frikë nga ligjet e shtetit. Askush që nuk është i lidhur me biznesin fitimprurës të prostitucionit dhe të narkotikëve. Askush që nuk është dënuar me burg. Askush që ka mbaruar me meritë studimet në universitet…”. Nëse nuk pranojnë, e kanë të qartë se humbasin. Ja, kjo është drama e shoqërisë së sotme shqiptare. Se duke qene dramë e femrës, ajo padyshim që është dramë e vetë shoqërisë.

Ne përmendim një fjalë të vjetër në kohët moderne: Skllave. Femrat e zgjedhim vet rrugën për t’u bërë skllave?

Unë mendoj se janë më shumë ato femra që detyrohen nga rrethanat që ta zgjedhin vetë këtë rrugë, sesa ato që e zgjedhin këtë gjë me dëshirën e tyre. Shumica e tyre janë viktima jo thjesht të varfërisë ekonomike, por më shumë të varfërisë shpirtërore, të një lloj mjerimi njerëzor që shpesh na bën të kujtojmë personazhet e skalitur aq mjeshtërisht nga Mopasani. Edhe pse tek kategori të caktuara njerëzish tek ne sot ka një shkëlqim të jashtëm, fatkeqësia është se mjerimi dhe varfëria e brendshme, ajo e shpirtit, shpesh është e frikshme.

Kleo Lati, ju jeni edhe gazetar, edhe shkrimtar. Cila është dashuri dhe cila pasion: gazetaria apo letërsia?

Unë kam mbaruar studimet për gazetari. Kam punuar vite e vite të tëra si gazetar. Në një farë mënyre, mund të them se jam “martuar” me gazetarinë. Kurse letërsia është e “dashura” ime, të  cilës i jap gjithë pasionin tim, pa asnjë kusht. Të dashurosh fort, sipas meje, është të dashurosh pa kusht. Të tillë dashuri kam për letërsinë.

Bisedoi: Klaudia Malaj

Please follow and like us: