Më mirë BURG-ART
Gëzim Zilja*
Ndërtimi i atyre që quhen Bunk’art, që sipas qeverisë dhe kryeministrit cilësohen si muze për të ruajtur memorien mbi diktaturën dhe krimet e komunizmit, në fakt janë krejt e kundërta, shkruan Zilja.
Është fjala për Bunk’art-in që po merr një shtrirje, rëndësi dhe propagandë që nuk e meriton. Bunk’art-i me sa kam parë është një “art” që vendoset në bunkerët ose vendstrehimet e nëndheshme të ndërtuara në periudhën e diktaturës, si monumente të kujtesës së popullit nga tmerret e diktaturës. Por a e përcjellin këto bunk’art-et e ndërtuara deri tani në kryeqytetin e Shqipërisë këtë mesazh?
Nuk është gjë e re ndërtimi i strehimeve të nëndheshme apo bunkerëve të luftës në shtetet që e kanë provuar luftën ose janë kërcënuar nga ajo. Në Shqipëri gjatë periudhës së diktaturës ato morën një përhapje të gjerë jashtë një logjike të caktuar qoftë dhe asaj të luftës. Patën teprime deri në marrëzi dhe një kosto të lartë për popullin shqiptar.
Janë tri bunk’art-e në Tiranë dhe i katërti në ndërtim e sipër. Ai pranë selisë së Kuvendit është një bunker i zakonshëm, i shoqëruar nga tri-katër struktura-skelete betoni, që të japin përshtypjen e mbajtëseve të tuneleve të minierave. Është pak e vështirë të kuptosh mesazhin që jep ky Bunk’art si monument kujtese për atë kohë të çmendur. Bunk’art-i 3, është një bunker i stërmadh në krah të Ministrisë së Rendit, ku në kupolë nga ana e brendshme janë vendosur fotot e shumë njerëzve të vrarë ose burgosur nga diktatura. Çfarë lidhje ka ky vendstrehim (tunel) nëntokësor me fotot e viktimave në hyrje të tunelit? Sikur aty të ishin burgosur ose vrarë njerëz mund të kishte kuptim por kjo në atë tunel nuk ka ndodhur. Bunk’art 1, ndodhet në thellësitë e barkut të Malit të Dajtit, i përbërë nga dhjetëra ambiente nga ku do të udhëhiqte rezistencën partia e punës në rast agresioni nga imperializmi amerikan dhe social-imperializmi sovjetik!? Në të tria rastet nuk kemi të bëjmë me monumente-kujtesë të tmerreve të komunizmit dhe gjenocidin e pashembullt që ai ushtroi mbi popullin shqiptar. Nuk jam kundër bunk’art-ve por mesazhi që ato përcjellin është shumë larg të vërtetës së lemerishme, që ushtroi diktatura kundër popullit të vet. Bunkerët përcjellin një absurd, kurse vendstrehimet janë gjëra normale, derisa luftërat vazhdojnë dhe asnjë vend nuk është i sigurt.
Në Shqipëri sistemi komunist krahas bunkerëve dhe strehimeve nëntokësore do të ngrinte kampe përqendrimi, burgje e dhoma torturash, ku kundërshtarët e regjimit izoloheshin, torturoheshin e shfaroseshin sistematikisht. Burgjet e Spaçit e të Qafë Barit, janë të krahasueshëm me ato naziste, të Buhenvaldit, Treblinkës, Mathauzenit, Dakaut, e gjetkë, ku jeta e njeriut vlente më pak se e një insekti. Ndërsa fshatrat ku u internuan qindra familje, që përbënin ajkën e qytetarisë dhe intelektualizmit shqiptar, me kasollet e barakat, ku ata vuajtën për dhjetëra vite me radhë janë unike dhe të krahasueshme me gulagët e diktaturës staliniane. Edhe nëse nuk i ke parë nga afër kampet e përqendrimit të kohës së Hitlerit mjafton t’i shohësh nga TV-ja në ato emisionet e përgatitura me një kujdes të jashtëzakonshëm dhe je i sigurt për një natë të trazuar pa gjumë dhe një reflektim njerëzor mbi botën e paqes, të urrejtjes e të luftës.
Pyetja që më mundon është: Më mirë bunk’art-e apo burgje-muze dhe lagje-muze me kasollet prej kartoni të fshatrave (të paktën një ose dy) të Myzeqesë e gjetkë, ashtu si kanë qenë me të gjitha hollësitë? Cila është historia e vërtetë dhe cila të mëson, të kujton, të drithëron e të bën qenie me vlera njerëzore? Përgjigja del vetvetiu. Atëherë pse të harxhohen para për këto bunk’art-et që do të vazhdojnë të shtohen e të mos rindërtohet burgu i Spaçit (çudi si e kanë rrënuar në atë humbëtirë) apo dy- tri vendbanime në fshatrat e Shqipërisë me kasollet ende të pa rrënuara plotësisht? E them hapur: Nuk mbyllet, as mbytet historia e komunizmit me këstet e ish-të dënuarve e përndjekurve politikë që trumbetojnë spikerët (kanë 25 vjet) e gazetave çdo mëngjes. Ai është borxh dhe ne duhet ta paguajmë (ta kishim paguar) me taksat tona deri më një, por borxh, borxh i madh gjaku, kujtese dhe qytetërimi janë burgjet, dhomat e fjetjes së të burgosurve, dhomat e torturave e të izolimeve, vendet e varreve të të pushkatuarve me dhe pa gjyq, vendbanimet e ish-të internuarve me dhomën e oficerit, ku duhet të paraqiteshin dy herë në ditë etj. etj.
Le të vonohen edhe ca sheshet e Çorovodës apo Librazhdit, presin ato. Po muzetë e sipërpërmendura, që mund t’i quajmë në kontekstin e kohës edhe BURG-ART, nuk duhet të vonohen as edhe një çast. Ndryshe do të vazhdojmë të endemi kuturu e të mashtrojmë veten si deri më sot, pa mësuar asgjë nga historia dhe vuajtjet e kaluara.
*shkrimtar