Polonia kundër Europës
Në samitin e BE Polonia tregoi kokëfortësi kundër rizgjedhjes së polakut Donald Tusk deri në bllokimin e deklaratës së BE. Por me këtë qëndrim, Polonia vetizolohet, mendon Barbara Wesel.
Mund të quhet një amok politik i klasit të parë. Ende pa filluar samiti i BE kryeministrja polake, bëir të ditur se Polonia do të bënte gjithçka për të penguar rizgjedhjen e Donald Tusk si kreun e Këshillit të BE. Si marionetë e bindur ajo ndjek udhëzimet e pakuptimta të kreut të partisë, PiS, Jaroslaw Kaczynski. Ai e urren Tusk, e bën përgjegjës për humbjen e tij në 2007 e në një farë mënyre edhe për vdekjen e vëllait të tij. Por kjo përpjekje polake për të marrë peng 27 anëtarët e tjerë të BE dështoi.
Çfarë synon të arrijë Jaroslaw Kaczynski, teoricieni i komploteve dhe njeriu që lëviz fijet në prapaskenë me këtë aksion? Që në kohën e tij si kryeministër, Kaczynski e lodhte BE me kërkesa maksimale. Shenja dalluese e tij: kokëfortësi pa kufi dhe nacionalizëm i ashpër. As vitet e fundit nuk kanë sjellë tek kreu i PiS zbutjen që sjell mosha. Përkundrazi, ai kërkon t’ia imponojë BE vullnetin e tij, dhe duke e vlerësuar gabimisht veten përdor shantazhin. Në rastin e Tusk ai dështoi. Votimi përfundoi 27:1. Madje edhe miqtë e Vishegradit e lanë vetëm.
Polonia vetëizolohet
E paqartë është se ç’donte të arrinte Kaczynski me këtë? Nuk bëhej fjalë për më shumë fonde e të drejtë vote për Poloninë si dikur. Këtu bëhej fjalë për vetërespektin e një burri. Ndoshta edhe për politikën e brendshme polake – tonet për “diktatin e Brukselit” pas rizgjedhjes së Tusk flasin për këtë. Edhe tek qeveria polake me sa duket e dinë tani se si funksionjnë “faktet alternative.” Ajo mendon se votuesit e saj do ta pëlqejnë këtë teatër politik, edhe roli i viktimës preferohet nga një pjesë e publikut.
Por ku është vendi i Polonisë në Europë? Kaczynski e izoloi vendin e tij. “Bëni kujdes, se sa ura të prishura lini pas vetes”, paralajmëroi Donald Tusk bashkëkombasit e tij. Por anëtarët e qeverisë polake sillen si adoleshentë të nevrikosur duke mbyllur dyert pas vetes. Një sjellje qesharake. Që një vend nuk e nënshkruan deklaratën e një samiti për inat, kjo nuk ka ndodhur në historinë e BE të pasur me budallallëqe.
Durimi i BE nuk është i pafund
Europa është në situatë të vështirë dhe durimi i BE nuk është i pafund. Që tani dëgjon zëra për të mbyllur rubinetin e fondeve për Poloninë. Çdo vit kalojnë 11 miliardë euro nga fondet e BE në Poloni. Pas dy vitesh do të diskutohet sërish për buxhetin e ti, e kësaj here do të ketë më pak fonde, sepse britanikët nuk janë më në BE. Nëse Polonia vazhdon të veprojë kështu, nuk do të ketë më miq, që e mbështesin në rishpërndarjen e buxhetit. Ndër ta edhe Gjermania. Acarimi i vazhdueshëm që vjen nga Varshava i lodh marrëdhëniet fqinjësore. E po qe se Polonia rrezikon unitetin në BE për shkak se i është prishur humori politik, në Europën e “shpejtësive të ndryshme” vendi i saj do të jetë në vendparkimin e ri shumë larg.