Albspirit

Media/News/Publishing

Lamtumirë Saimir, por në çadër nuk ka pse festohet

Lajmi i “dorëheqjes” së ministrit të Brendëshëm fillimisht u prit me skepticizëm, më pas me ankth dhe së fundi me entuziazëm në çadrën e protestës së opozitës. Në pamje të parë dukej sikur PD, që prej tre javësh po vë gishtin mbi paratë e drogës dhe mbi kriminelët që mund të përdoren në zgjedhje, kishte arritur suksesin e parë. Opozita, e mbështetur në mënyrë okulte dhe nga Ilir Meta (për qëllimet që i kanë të përbashkëta) kishte të drejtë të mendonte se po hapej një dritë jeshile.

Në fakt asgjë e tillë nuk ka ndodhur.

Cilado qofshin arsyet që kanë nxitur largimin e Tahirit, ato nuk kanë lidhje me çadrën.

Deri më tani ka dy versione kryesore për këtë ngjarje.

Varianti i parë që qarkulloi për këtë akt të papritur ishte presioni i madh i Ilir Metës. Me sulmet e vazhdueshme që zgjasin prej dy vjetësh, por sidomos me breshëritë e fundit që e njollosën ministrin e Brendëshëm si një vjedhës potencial zgjedhjesh, madje edhe nga homologë të tij, kreu i LSI-së, arriti më në fund ta marrë kokën e “armikut” të tij.

Ata që mbrojnë këtë version këmbëngulin se Meta e arriti atë që donte si kushtin e vetëm të vazhdimit të alenacës me Ramën. Ata thonë gjithashtu se kreu i LSI- po e përdor këtë edhe si një shkelje syri për PD-në duke e ftuar në një bashkëpunim në distancë që do e godiste kryeministrin pas krahëve.

Varianti i dytë është ai që pretendon se pavarësisht presionit të aleatit qeveritar, fati i Saimir Tahirit u vulos nga ndërkombëtarët. Pakënaqësia e sherbimeve të huaja, raportet e tyre për dështimin e luftës kundër narkotrafikut, ia bënë Ramës të pamundur ta mbronte atë. Ata që mbështesin këtë version flasin për disa raporte sekrete shërbimesh inteligjente kundër Tahirit që përcaktuan përfundimisht fatin e tij.

Por, kushdo që nga këto hipoteza të jetë e vërtetë, opozita nuk ka arsye pse të gëzohet. Sepse edhe nëse veproi i nënshtruar dhe i leckosur nga presioni i Metës, edhe në të kundërt, nëse u detyrua të reagojë nga insistimi i ndërkombëtarëve, Edi Rama nuk po e paraqet “shitjen” e ministrit të tij, si një shenjë reflektimi.

Ai nuk po e largon Tahirin për mosukseset dhe dështimet në punën e tij. Madje në të kundërt, enkas për të mos pranuar këto dështime (lexoi të gjitha në analizën poshtë/Lapsi.aL) ai gjeti një alibi.

Menjëherë me shpërthimin e lajmit për dorëheqjen e Tahirit, të shpërndarë nga mediat pranë LSI-së, zyra e shtypi të kryeministrit, fabrikoi një news paralel. Ajo theksoi variantin se kabineti qeveritar do të përsonte ndryshime radikale, dhe se disa ministra do të largohen për t’u angazhuar në fushatë.

Këtë fabul e përforcoi edhe qëndrimi i vetë Tahirit. Megjithëse shumë njerëzve pranë tij ai ua kishte pranuar largimin, publikisht në Facebook e mohoi, qoftë kërkesën për dorëheqje, qoftë pranimin e saj.

Lajmi se kabineti qeveritar do të ndryshojë, pasi ministrat duhet të punojnë në qarqet elektorale është një fabrikim që nuk ngjall asnjë pikë besimi.

Së pari sepse elektoralisht, PS mund të qe më e fortë me Pandeli Majkon sesa me Mimi Kodhelin, më e fortë me Fatmir Xhafën sesa me Ilir Beqen. Më e fortë madje edhe me Taulant Ballën sesa me Lindita Nikollin.

Edhe në raport me zgjedhësit Rilindjes i voliste më shumë, të çonte në elektorat, deputetë të thjeshtë por me histori në PS, sesa ministra të rij po me një barrë akuzash për korrupsin mbi supe.

Pra duket qartë se riformatimi i kabinetit është një manovër për të flijuar një grup të tërë, në këmbim të mosnjollosjes së një ministri të vetëm. Ajo është një përpjekje për të daravitur zhurmën se Ramën e detyruruan të shiste Tahirin.

Për këtë arsye në çadrën e PD, nuk kanë shkak të gëzohen për lamtumirën e Tahirit. Ajo nuk është fryti i kërkesave të PD për të rrëzuar këtë qeveri. Aq më pak ajo është një shenjë reflektimi e Ramës.

Fakti se kryeministit iu desh një alibi, qoftë për të daravitur presionin e Metës, qoftë për të mos shfaqur dobësinë përballë ndërkombëtarëve, nuk është një sinjal i mirë. Kjo tregon se Rama do vazhdojë në të njëjtën rrugë. Me apo pa Tahirin ai nuk do heqë dorë, as nga të fortët, as nga trafiqet.

Prandaj më shumë se për festë, në çadrën e PD-së ka nevojë për rrezistencë.

Please follow and like us: