Albspirit

Media/News/Publishing

Përplasja e analistëve për dorëheqjen e Tahirit: Imponim apo zgjedhje?

Për largimin e Saimir Tahirit gjithnjë e më tepër po përforcohen dy versione. I pari është ai që Ramës iu kërkua të ndahej nga ministri i tij i brendshëm. Dhe i dyti se Rama nuk u detyrua të heqë Tahirin por po bën një riformatim të kabinetit qeveritar. Lidhur me këto dy opsione, i pari mbrohet më shumë nga LSI dhe i dyti nga zyra e shtypit në kryeministri, kanë debatuar sot në distancë edhe zërat më të rëndësishëm të shtypit shqiptar. Sipas Skënder Minxhozit “dorëheqja e Tahirit ishte një lëvizje e fortë tektonike për këtë qeveri”.

“Në një qeveri e cila ka qenë dukshëm konservatore në lëvizjet e ministrave gjatë katër viteve të fundit, ikja e ministrit të Brendshëm mund të shihet si një zhvendosje e fortë tektonike në prag të zgjedhjeve presidenciale e politike dhe në mesin e një përplasje të ashpër politike me opozitën. Pa harruar negociatat delikate me aleatin e vogël problematik, Lëvizjen Socialiste për Integrim” – shkruan ai.

Edhe Blendi Fevziu flet për një dorëheqje që i është imponuar. “Duhet të biem dakord që nuk bëhet fjalë për një dorëheqje të Tahirit, por për një dorëheqje të imponuar. Pra Tahirit i është kërkuar largimi nga Kryeministri Rama. Edhe pse Tahiri kanë refuzuar të ike, ai do zëvendësohet tashmë” – thotë Fevziu.

Ndërsa Mero Baze ka një version të ndryshëm. Për të nuk ka dorëheqje, as imponim. Sipas Bazes e gjitha ka të bëjë me një taktikë elektorale të Ramës: “Perceptimi se Edi Rama po dorëzonte Saimir Tahirin, nën presionin e Ilir Metës dhe opozitës, ishte një goditje e fortë për të, biles një gjë shumë më e dëmshme, se sa të ikte vetë Edi Rama.

Një lëvizje të tillë naive dhe frikacake, e pat bërë Sali Berisha në 1 mars të 1997, duke shkarkuar qeverinë Meksi për të shpëtuar vetë, por 9 ditë më vonë dorëzoi pushtetin.

Në këtë pikë perceptimi i asaj që po bënte Rama paradite ishte politikisht jo korrekte dhe një dorëzim pa u hedhur ende pushkë e parë.

Këtë duket se e ka ndjerë dhe vetë Edi Rama, i cili filloi të sqarojë shtypin se nuk bëhet fjalë për ndonjë dorëheqje të Saimir Tahirit, apo ndonjë pazar për dorëheqje të tij, por për një skemë politike të Ramës, për ndryshime në qeveri për qëllime elektorale”.

Të tre analistët kanë mendime të kundërta edhe për rolin e Metës në zëvendësimin e Saimir Tahirit.

“Gjëja që të vjen ndër mend është që Tahiri ka qenë objekt shkëmbimi për koalicionin e ardhshëm. Ai ka qenë në qendër të sulmeve të Ilir Metës dhe me gjase, Meta është një nga shkaqet e largimit të tij. i trembur nga protesta dhe nga afria e Metës me të. Nën presionin qe asnjanësia e Metës mund ta stimulonte  protestën, me gjase Rama ka vendosur të sakrifikojë Tahirin qe Meta të deklarohet që tani për koalicionin. Me këtë veprim Rama mendon se do dekurajojë PD dhe protestën e saj” shkruan Fevziu në shkrimin “Përse e largoi Rama, Tahirin”.

Pak a shumë me këtë variant është edhe Minxhozi i cili nuk e përjashton këtë lëvizje nga optika e negociatave parazgjedhore me LSI. “Rama ka rezistuar gjatë ndaj kërkesave të përsëritura dhe insistuese të Metës, për të larguar Saimir Tahirin” shkruan ai në artikullin: “Kulisë shqiptare apo ndërmjetësin ndërkombëtar”?

Por edhe këtu Mero Baze ka një optikë tjetër.  Sipas tij Meta nuk ka pasur gisht në këtë lëvizje: “Ilir Meta, po ashtu mund të ndjehet mirë, që në listën e të larguarve mund të jetë Saimir Tahiri, por nuk besoj që është i lumtur, pasi nuk është negociuar me të ky ndryshim. Ashtu si ai nuk e pyeti kurrë Edi Ramën, kë do t’i çonte për ministër, duket se edhe Edi Rama e respektoi këtë traditë deri në fund” shkruan ai në shkrimin: “Një qeveri teknike, socialistësh”.

Please follow and like us: