Albspirit

Media/News/Publishing

Pse e shiti Rama Tahirin?

Dorëheqja e Saimir Tahirit nuk është vullnetare. Nëse ka një gjë të sigurt është fakti se ajo është e imponuar. Është e imponuar në kushtet kur opozita po qëndron prej 3 javësh në çadrën para kryeministrisë. Thelbi i kërkesave të saj si përdorimi i parave të drogës për  zgjedhjet e ardhshme, përdorimi i kriminelëve në 18 qershor lidhen drejtpërsëdrejti me punën e tij. Por ajo është e imponuar edhe nga brenda koalicionit. Saimir Tahiri ka qenë gjithnjë një target për tu goditur nga Ilir Meta. Vetëm në javët e fundit ministri Koka ngriti alarmin se policia e Durrësit po përdoret për të vjedhur zgjedhjet dhe të njëjtën gjë përsëriti edhe deputeti i jugut Tavo.

Prandaj pas të gjithë këtij presioni variant i servirur i dorëheqjes, ngjan me një përrallë. Varianti më i saktë është se Rama e shiti “Tahirin”.

Dhe kuptohet që për të arritur tek kjo shitje, ministri i brendshëm e kishte “mbushur kupën”.

Pavarësisht se si PD e sulmoi atë për interesat e saj. Pavarësisht se kritikat e LSI, në më të shumtën e rasteve qenë larg të qenit parimore. Pavarësisht se disa gazeta pranë qeverisë organizuan fushata kundër tij vetëm se i qenë prekur interesat, Saimir Tahiri në një farë mënyre e kishte mbushur kupën me dështimet e tij.

Dhe në tre vite e gjysmë ato nuk janë pak.

Ai e futi policinë në Lazarat po nuk kapi asnjë nga kokat e drogës.

Ai e la të lirë të ikte pra parlamentit, Kostandin Xhuvanin në kërkim, i cili pastaj vrau 4 vetë.

Policia e kapi ish -deputetin Mark Froku me një trafikant droge në makinë, por ai nuk u ndaloi dhe ngjarja u mbajt e fshehtë për shumë kohë.

Ai i fshehu më pas dokumentet e Interpolit që kishin ardhur nga Belgjika për Mark Frokun, vetëm që mos njolloste grupin e tij parlamentar dhe kjo aferë shkarkoi Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë Artan Didi dhe arrestoi një punonjës të thjeshtë.

Ai donte ta zgjidhte me ndërmjetësim akuzën e Tom Doshit në zyrën e tij se Durim Bami ishte një vrasës dhe nuk bëri asnjë denoncim për këtë. Ai e takoi Durim Bamin, vrasësin me pagesë të vetëdenoncuar, në vilën qeveritare në Durrës dhe në zyrën e tij në Ministrinë e Brendshme.

Ai u kap me presh në duar ne rastin e makinës që “kishte shitur” te kushërinjtë, por e përdorte sërish kur shkonte me pushime. Për t’u mbrojtur, ai e thelloi me keq skandalin kur pranoi se, në mënyrë krejt të paligjshme ua kishte shitur makinën kushërinjve, por nuk kishte bërë akt shitje për të shmangur pagesën e detyrimeve që i lindnin nga një gjyq i humbur. Ai tha hapur se kishte mashtruar shtetin që drejtonte, por vazhdoi të mbante detyrën shtetërore.

Nën drejtimin e tij në rend, Shqipëria është mbushur me hashash. Nën drejtimin e tij vrasësit e bankierit Santo nuk janë kapur. Klement Balili “u la” të harbohej në dasma, të takohej me krerë të lartë të PS, të shëtiste me skaf në plazh gjatë verës, megjithëse ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Nën drejtimin e tij në rend, Shqipëria u njoh botërisht si “republikë hashashi” dhe mediat ndërkombëtare vërshuan në vend për të përshkruar tokën që furnizonte me kanabis mbarë Europën.

Nën drejtimin e tij në rend, skafet e gomonet vërshuan në Adriatik, si në periudhën e errët të pas ’97-ës, por me drogë dhe jo me klandestinë.

Nën drejtimin e tij në Ministrinë e Brendshme lulëzoi një prej bandave më të rrezikshme në vend, ajo e Emiljano Shullazit, për të cilin Tahiri është akuzuar se mban lidhje personale. Dhe për shkak të kësaj lidhjeje krerët e policisë refuzuan ta arrestojnë pas masakrës se rrugës se Kavajas dhe donin të bënin të njëjtën gjë me kërcënimin e rektorit, derisa drejtuesit më të lartë të prokurorisë nuk u lanë rrugë tjetër zgjedhjeje.

Këto janë pra bëmat më të mëdha të “epokës” Tahiri?

Në çdo vend normal të botës do të qe gjëja më e natyrshme që një ministër me këto rekorde të largohej. Jo se e do Meta, as sepse e kërkon Basha. Por mbi të gjitha sepse ai i bënte mirë vetë Ramës për të treguar se di të reflektojë, se nuk është i kapur, se një ministër që së paku ka dështuar, ai ka forcën t’i tregojë derën.

Mirëpo asnjëherë Rama nuk e mendoi këtë. Ai e mbështeti publikisht ministrin e tij dhe e mbajti atë deri në orët e fundit. Ai u përpoq ta lidhë fatin e tij me atë të Saimirit dhe kurrë nuk pranoi një gabim të këtij të fundit.

Prandaj “dorëheqja” e kësaj fundjave para se të jetë një fitore e opozitës. Para se të jetë një rast që Ilir Meta të dalë ngadhënjimtar është një prove se sa e vlerëson kryeministri marrëdhënien e besnikërisë. Ai nuk e shiti Tahirin kur e kërkonte interesi publik. Ai e shiti atë si një si një kockë që hidhet në tryezën e bisedimeve për të qetësuar rivalët dhe aleatët. (Lapsi.al)

Please follow and like us: