Reforma është kushti europiano-perëndimore për t’u anëtarësuar Shqipëria në BE
Spartak Ngjela
Vetingu është kusht i politikës amerikane që ajo të vijojë të drejtojë në Shqipëri, Reformën në Drejtësi; kurse Reforma është kushti europiano-perëndimore për t’u anëtarësuar Shqipëria në Bashkimin Europian.
Kjo është esenca e kësaj kohë politike në Shqipëri, sepse çështja e zgjedhjeve nuk mund të jetë prioritet i politikës amerikane në aleancën shqiptaro-amerikane.
Atëherë, ku e ka lidhjen e vet kushti amerikan dhe europiano-perëndimor me procesin zgjedhor? Nuk ka asnjë lidhje.
Por atëherë, çfarë është kushti i PD-së dhe i Saliut për procesin zgjedhor? Ky është kusht që i është vënë qeverisë dhe maxhorancës aktuale.
Po pse e ngatërron kushtin amerikan me kushtin ndaj qeverisë Sali Berisha? Nuk e ngatërron këtë çështje Saliu, por zgjedhjet janë kot. Ai i trembet vetingut dhe Reformës në Drejtësi.
Por, si mund t’ia dalë kësaj në krye Saliu duke iu vënë kusht Amerikës? Sigurisht që ky është naivitet fëminor. Nuk realizohet dot një kusht i tillë: politikës amerikane nuk mund t’i vihet kusht, nga ata që rrezikohen prej Reformës në Drejtësi për arsye korrupsioni; sepse, logjikisht, politika amerikane do t’i pozicionomte këta si antiamerikanë: të gjithë ata që nuk duan të votojnë vetingun…
Por çfarë do të ndodhë pas kësaj? Ajo që duhet të ndodhë eshte se do miratohet vetingu në Parlament. Kjo është domosdoshmëri e pakapërcyeshme dot nga Saliu, sepse, për të dhe ata që e pasojnë, votimi i vetingut është një e keqe me e vogël sesa mosvotimi i tij.
Po kushti i zgjedhjeve çfarë eshte? Politika amerikane kuptohet qartë se nuk ka fare anësi në ketë çështje, madje, pasi të votohet vetingu, pa problem që ajo e pranon sugjerimin për qeveri teknike, dhe patjetër që angazhohet për një proces të drejtë zgjedhor. Sepse procesi i lirë zgjedhor nuk është interes i politikës amerikane, por interesi shqiptarëve në funksion të demokracisë. Interesi politik i aleancës shqiptaro-amerikane është vetingu dhe Reforma në Drejtësi. Dhe ky nuk është angazhim, por KUSHT.
Pse, a mund ta bëjë këtë politika amerikane? Po, sepse ajo ka kusht vetëm vetingun dhe Reformën në Drejtësi…
Po, sipas kësaj logjike, Saliu provohet që është kundër vetingut? Logjika e përdorur sipas këtij dialogu me pyetje- pergjigje, këtë provon; por, pikërisht kjo, e detyron Saliun dhe PD-në të hyjnë në Parlament e të votojnë vetingun; dhe, pastaj, mund të kthehet në çadër dhe të vijojë betejën per zgjedhjet e lira. Në të kundërt, Saliu i provon politikës amerikane që halli i tij nuk është procesi zgjedhor në Shqiperi, por vetingu dhe bllokimi i Reformës në Drejtësi, të cilën, duhet ta ritheksojme: ai nuk e ndalon dot – kjo është pamundësi absolute.