Sarajeva kërkon liberalizimin e vizave me Kosovën
Ministri i Punëve të Jashtme i Bosnje-Hercegovinës, Igor Cërnadak deklaroi se vendi i tij ishte plotësisht i gatshëm të liberalizonte regjimin e vizave me Kosovën dhe të mundësonte lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave.
Në një prononcim për Anadolu Agency (AA), ai theksoi se ”kur thotë se Bosnje-Hercegovina është e gatshme, kjo nënkupton një konsensus brenda institucioneve se jeta rrjedh normalisht”.
“Pra, ne duam liberalizim të regjimit të vizave. Duam që tregtia e jashtme të jetë më intensive, që njerëzit të lëvizin lirshëm, që njerëzit të kenë më shumë kontakte dhe që jeta të ketë rrjedhën normale. Edhe pse nuk do të ketë njohje të Kosovës, sigurisht jo deri në fund të këtij mandati, gjithsesi shpresoj të ketë përmirësim të disa prej këtyre çështjeve normale të jetës, brenda të cilave zhvillohen marrëdhënieve ekonomike dhe marrëdhëniet tjera”, tha Cërnadak.
Ministri i Jashtëm i BH-së, tha më tej se një vit më parë kishin iniciuar një nismë për të cilën ndërkohë njëzëri solli vendim edhe Këshilli i Ministrave të BH-së, që të liberalizohet regjimi i vizave, por kjo të bëhet me ndërmjetësimin e Komisionit Evropian, sepse sipas tij, BH-ja nuk ka marrëdhënie diplomatike me Kosovën.