Albspirit

Media/News/Publishing

Si e katapultoi Rama në PS Saimir Tahirin?

Saimir Tahiri ishte një prej ministrave të kabinetit “Rama”, që është sulmuar më shumë prej opozitës gjatë katër viteve të fundit. Janw me qindra deklarata për shtyp nga PD-ja dhe raportime në media, që akuzonin Tahirin për lidhje me krimin dhe kryesisht trafikun e drogës. Ai shihej si ministri i besuar i Ramës që lejoi dhe kontrolloi për 4 vite kultivimin dhe trafikun e kanabisit. Por si u ngjit Saimir Tahiri në Partinë Socialiste, për të mbërritur deri në postin e rëndësishëm të Ministrit të Brendshëm?

Lapsi.al sjell një historik të shkurtër të ngjitjes së Tahirit në PS dhe më pas emërimin si ministër i Brendshëm. Edi Rama e prezantoi Tahirin si zëdhënësin e ri të selisë rozë në vjeshtë të vitit 2005, kur ai ishte ende 26 vjeç.

Merita e vetme e tij deri në atë kohë ishte thjesht se ishte me origjinë nga Tepelena dhe kishte në një farë mënyre mbështetjen e Gramoz Ruçit. Fillimisht askush prej “xhaketave të vjetra” në PS nuk e mori seriozisht, por pak nga pak Tahiri po afirmohej publikisht si një prej “skifterave” më të zëshëm të Ramës. Ky i fundit e kandidoi për deputet në zonën e Kombinatit në zgjedhjet e vitit 2009.

Pasi mori mandatin e deputetit, Tahiri u bë edhe drejtuesi i PS-së për Tiranën, post që e mban ende dhe sot në shkelje të plotë të garës brenda partisë. Nën aureolën e fondacionit “Qemal Stafa”, Tahiri trajnoi një grup të madh të rinjsh, që u përdorën më pas për të prishur lidhjet e vjetra në PS nga ana e Edi Ramës, me qëllim vënien nën kontroll të plotë të Partisë Socialiste.

Edhe në fushatën për zgjedhjet lokale të vitit 2011, Tahiri ishte drejtuesi i fushatës në Tiranë, ndonëse zyrtarisht kryetar i PS-së ishte Besnik Baraj. De jure ai u bë kryetar i PS-së në Tiranë në mars të vitit 2012. Në korridoret e PS-së, Tahrin e thërrisnin me përkëdheli “Qemal Stafa i ri”, ndërsa shumë figura të vjetra të socilistëve e shihnin vëngër ngjitjen e tij në karrier dhe afërsinë me kryetarin Edi Rama. Rivali i heshtur i Tahirit në PS mbetet kryebashkiaku Erion Veliaj. Të dy bashkë ata e shohin veten si pasardhës të Ramës në krye të PS-së.

Afërsia me Ramën dhe të qënit një lloj “kamikazi” i tij, e shpërbleu Saimir Tahirin me postin e Ministrit të Brendshëm në shtator 2013, pasi socialistët erdhën në pushtet me ndihmën e LSI-së. Por që prej asaj dite 34-vjeçari ishte një prej ministrave më të sulmuar nga opozita, dhe i akuzuar në media për lidhje me krimin dhe trafikun e drogës.

Në mënyrë të veçantë opozita i ka faturuar Tahirit lidhjet e errëta me një personazh të njohur të botës së krimit, Emiljano Shullazin. Këtij të fundit Tahiri e kishte të vështirë t’i përmendte emrin publikisht. Gjatë kohës që shërbeu si ministër i Brendsshë i vetmi sukses i tij mund të konsiderohet operacioni në Lazarat, për faktin se u finaliza pa gjakderdhje dhe se e hoqi Lazaratin si njolla e zezë e kultivimit të kanabisit. Por ajo që ndodhi më vonë ishte edhe më e rëndë.

I gjithë territori i Shqipërisë u “lazaratizua” dhe kultivimi i kanabisit mori përmasa të frikshme. Saimir Tahiri është parë gjithnjë si një prej ministrave problematik edhe prej Ilir Metë. Jo zyrtarisht ky i fundit i ka kërkuar shpesh Ramës shkarkimin e tij. Por kryeministri e lëshoi të besuarin e tij në krye të Ministrisë së Brendshme vetëm tre muaj para zgjedhjeve parlamentare, për arsye që nuk dihen ende zyrtarisht, por siç Lapsi.al ka raportuar më herët mund të jenë tre: Tahiri është shkarkuar si “konçension” për opozitën, nga presioni i Ilir Metës, apo se ndoshta është kërkuar nga shërbimet e huaja.

Please follow and like us: